Në shtratin e Titos

Autori:admin

Në shtratin e Titos, tash e 16 vjet, flen Branisllavi. Ndërsa në dhomën e Rrahman Morinës, është rehatuar Marian Millosavlevici. Një kat më lart, në hapësirën që e kishte kthyer në shtëpi të dytë shefi i sigurimit shtetëror të Jugosllavisë , banon familja Nikolic nga Prizreni.

13

“Të gjitha dhomat janë të zëna”, thotë me shaka Branisllav Milenkovic derisa spjegon se Ish presidenti i Jugosllavisë , Josip Broz Tito këtu ka pushuar sa herë që ja ka mësyrë Kosovës, e sidomos Brezovicës për skijim.

6Vila e Supit, mbanë emrin objekti në të cilin personalitete me nam të historisë së ish Jugosllavisë kanë kaluar “pushimet”, kryesisht dimërore.
“Pushim i kanë thënë edhe bisedave informative, e takimeve të fshehta”, thotë me shaka “pronari” i ri i kësaj godine të famshme.

Ai nuk është ndonjë personalitet i njohur publik, por që nga paslufta bashkë me katër familje tjera, dy nga rrethina e Ferizajt dhe dy nga Prizreni jetojnë aty. Shtëpinë, tokën dhe gjithë pasurinë i kishte në fshatin Prelez të Ferizajit.

Bashkë me 19 banorë të tjerë, gjithashtu të shpërngulur nga vende tjera të Kosovës ndanë hapësirën e kuzhinës së dikurshme për funksionarët e lartë, që është kthyer në dhomë pritjeje për mysafirë.

“Këtu kanë drekuar më të mëdhnjtë e shtetit”, thotë Milenkovic.

Vila në shërbim të sigurimit shtetëror

Rrëfimi për të kaluarën e vilës, është pak i njohur si për banorët e tanishëm të saj ashtu edhe për ata përreth. Për një periudhë të gjatë , në vitet 90’të, aty nuk ka mundur të futet askush pa ftesë të inspektorëve policorë apo të zyrtarëve të sigurimit shtetëror.

E mysafirë të sajë kohë pas kohe kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të sistemit dhe informatorë të sturkturave të sigurisë së asaj kohe.

Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarë të Kuvendit Komunal të Shtërpcës, të cilët nuk pëlqejnë të flasin me emër për vilën “e tmerrit”, siç e quajnë këtë objekt trekatësh.

“Sigurimi shtetëror këtu i ka kry punë të vetat”.

9

Jeta që bëjnë 19 banorë të përkohshëm në Vilën e Supit dallon shumë nga ajo që dikur bënte i pari i ish Jugosllavisë apo kushdo që të ketë banuar këtu.
Radio-sistemi dhe centrali telefonik në hyrje të Vilës, tani është jashtë funksioni. Banorët nuk dinë as çfarë është.
Ndërsa hapësira që ndanë sallën e madhe të ditës dhe kuzhinës me shkallët që qojnë për në dy katet ku janë dhomat e fjetjes ende ruan dekorin e dikurshëm.
Kamini luksoz i kohës tani është zëvendësuar me shporet të zi dhe rreth tij janë vendosur drunjtë për ngrohje. E gjithë hapësira është kthyer në dhomë të përbashkët pritjeje për të gjitha pesë familjet që banojnë këtu.

“Nuk kemi mundë si tjera”, thotë kryefamiljari Milenkovic.

Refugjatët nuk e duan Vilën e Titos

Sado luksoze që ishte dikur, kjo hapësirë duket e ngushtë për Sreqkon, të birin e vogël të Marianit.
Të dyve u është mërzitur kjo formë e jetës.
“Ne po bëjmë jetë qeni”, ja pret babai i tij.

7

“Për 16 vjet asnjë ndihmë nuk kemi marrë nga askush. As kryetari i komunës nuk ka ardhë me na pa”.
Pasurinë që kanë lënë në vendet prej nga janë shpërngulur thonë se nuk e kanë shitur, por në mungesë të mjeteve financiare e kanë të vështirë të ndërtojnë një shtëpi.

Ata akuzojnë Ministrinë për Kthim dhe Komunitete se u kanë ndërtuar shtëpi shumë njerëzve që nuk kanë nevojë fare për to, ndërsa i kanë lënë pa kulm mbi kokë nevojtarët.
Në situatë të rëndë financiare dhe në luftë për mbijetesë , banorë t e përkohshëm të vilë s që është shfrytëzuar për pushim nga liderë t e ish Jugosllavisë , janë të gatshëm t’ua lëshojnë këtë godinë liderve politik të tashëm të vendit.

“Neve nuk na ka mbetur rrugë tjetër. Do të ikim sikur që po ikin çdo ditë njerëzit nga Kosova. Ndoshta në Hungari është më mirë se këtu”.

“Vilën e Kosovën le ta mbajnë politikanët”, përfundon Milenkovic.

115

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ne-shtratin-e-titos/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala