Ndihma selektive e kryeministrisë

Autori:Gazeta Fjala

Zyra e Kryeministrit të Kosovës në një vendim që ka marrë gjatë ditës së mërkurë ka ndarë afër 10 mijë euro për shërimin e një qytetare të sëmurë me kancer.

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala tha para kabinetit qeveritare se propozojnë që mjetet prej 9 mijë e 700 euro të merren nga rezerva shtetërore dhe t’i barten në llogari.

Mirëpo ky vendim i kryeministrit është parë si diskriminues ndaj pacientëve të tjerë në nevojë.

SH.Z së cilës iu ndanë këto mjete qëllon të jetë gruaja e një dëshmori nga Rahoveci, mirëpo ajo përveç që gëzuar për këto mjete është ndjerë keq kur e kuptoi që emri i saj të mërkurën u bë pjesë e mediave.

E kontaktuar nga Gazeta Fjala ajo thotë se ka pasur nevojë për ta ndihmuar dhe kërkesën e kishte bërë në ministri të shëndetësisë e jo drejtpërdrejtë në zyrën e kryeministrit.

“Nuk po du me mu përmend emri në media veç pse qeveria i ka nda 10 mijë euro për shërimin tim, unë në këtë gjendje çfarë jam me kushte shumë të vështira i kam hargju kati 100 mijë euro, tash këto 10 mijë euro janë veç sa një darkë e tyne”, tha Sh.Z .

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve përmes një komunikate ka thënë se kjo formë e veprimit të qeverisë është diskriminuese.

Kjo shoqatë duke i uruar shërim të shpejt pacientes SH.Z tha se nuk është në rregull që të tjerët që kanë nevojë për ndihmë të diskriminohen në këtë mënyrë.

Nga ana tjetër zyra për media e kryeministrit nuk ka kthyer ende përgjigje për interesimin e Gazetës rreth kësaj çështjeje.

Vitin e kaluar 1859 kërkesa të pacientëve për ndihmë

Bazuar në vendimet e kryeministrisë që nga janari i vitit të kaluar deri në muajin dhjetor ky është rasti i parë që kryeministria merr një vendim të tillë.

Gazeta Fjala ka parë të gjitha vendimet prej të cilave nuk ka pasur asnjë rast që ka ndarë mjete për shërimin e ndonjë pacienti nga fondi rezervë.

Ndërkohë që vetëm me sëmundjen e kancerit në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2015 janë diagnostikuar 808 raste të reja.

Kurse Ministrisë së Shëndetësisë vitin e kaluar i ishin drejtuar 1859 aplikacione për ndihmë për trajtim jashtë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Prej këtyre aplikacioneve sipas Faik Hotit zëdhënës i MSH, janë trajtuar 1160 kërkesa.

“Nga të cilat për citostatik janë mbështetur 224 pacientë”, tha Hoti.

Me 4 shkurt kur u shënua dita botërore kundër kancerit ministrit Imet Rrahmani ka bërë të ditur se buxheti për barna për trajtimin e sëmundjes së kancerit për këtë vit është 5 milionë euro.

“Me këtë buxhet nuk do të mund të mbulojnë 100 për qind barrën e sëmundjes, derisa shton se institucionet publike shëndetësore gjatë vitit 2015 kanë qenë të mbuluara mirë me terapi kundër kancerit”, deklaroi Rrahmani.

Drejtori i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, i cili tha se ky institucion, në vitin 2015  ka  trajtuar 808 raste të reja.

“Rreth 15 mijë raste janë trajtuar me kimioterapi. Derisa 28 mijë kontrolle janë kryer në Institutin Onkologjik në QKUK. Pothuajse asnjë rast me kimioterapi nuk është trajtuar jashtë vendit, gjë që kemi pasur mbulueshmëri të mirë me terapi gjatë gjithë vitit 2015”, tha Hyseni.

Hyseni tha se vitin e kaluar kjo klinikë vetëm në 4 raste ka dhënë udhëzim për trajtim jashtë vendit me radioterapi.

“Bëhej fjalë për pacientë fëmijë që kishin nevojë për radioterapi specifike Cyber Knife dhe Stereotaxis”, tha Hyseni.

Qeveria pati ndihmuar zyrtarë

Në dhjetor të vitit 2009, qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi kishte ndarë 64 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për mjekimin e Bajrush Xhemajli, pas një aksidenti në të cilin ishte përfshirë ai sa ishte kryetar i komunës së Ferizajt.

Zyra e thesarit në kuadër të Ministrisë së Financave pati thënë se këto mjete i kishte paguar në spitalin austriak, ku Bajrush Xhemajli kishte qenë për shërim.

Xhemajli e pati mohuar se ka marrë asnjë ndihmë nga Qeveria.

Mirëpo njësoj sikurse Xhemajli nuk u patën mbështetur me mjete financiare nga qeveria edhe të lënduarit e tjerë gjatë aksidentit të 21 majit të 2009 në lagjen Veternik të Prishtinës.

Hamdi Rrustemi (prindi i Leutrimit) në ditën e aksidentit kishte kërkuar që djali i tij të dërgohej në spitalin ushtarak Bondsteel ose jashtë Kosovës për shërim, mirëpo, sipas tij, kjo nuk iu mundësua.

“E dija që djali është në një gjendje të keqe edhe pse nuk e shihja, prandaj edhe pata kërkuar që ta dërgojmë në shërim diku tjetër, mirëpo mjekët më thoshin se gjendjen nuk e ka shumë keq, mund të shërohet”, pati thënë Rrustemi.

Rrustemi thotë se institucionet nuk e ndihmuan.

“Qeveria jo që nuk na ka dhënë asgjë, mirëpo ajo as që është interesuar për gjendjen e djalit”, pati thënë Rrustemi.

As Ilir Haziri, i lënduar gjatë aksidentit, nuk ishte ndihmuar financiarisht.

“Për neve tjerëve të aksidentuarit nuk janë interesuar askush nga institucionet, jemi shëruar me mjetet tona”, pati thënë Haziri. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ndihma-selektive-e-kryeministrise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala