Ndërmarrjet Publike mbajnë sekret listat e borxhlinjve

Autori:Gazeta Fjala

Ngrohtorja e Prishtinës “Termokos” edhe pse është ndërmarrje publike nuk ka publikuar listat e borxhlinjve të saj.

Të paktën në ueb faqen e saj nuk figurojnë këto lista.

Por zyrtarë të këtij institucioni nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim vitin e kaluar për faljen e borxheve deri në vitin 2008,  me kusht që të lidhet kontratë me institucionin që të paguhet borxhi prej vitit 2009 e këndej.

Ky vendim i obligonte të gjitha institucionet që të bëjnë publike secilin borxhli të shtetit.

Kritikëve se nuk duhet të publikohen emri dhe mbiemri i personave dhe bizneseve vetëm numrat identifikues iu përgjigj Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ajo tha se publikimi i të gjitha të dhënave nuk është shkelje e privatësisë.

“Neni 4 i UA rregullon çështjen e listave të personave që mund të përfitojnë nga falja e borxheve, konkretisht paragrafi 2 i këtij neni parasheh që lista duhet të përmbajnë shumën e borxhit bazë, ndëshkimet, gjobat, interesin dhe obligimet tjera, dhe në listë duhet të renditen në mënyrë alfabetike, veçmas personat fizik dhe juridik, e që kjo nënkupton që se UA parasheh publikimin e emrit, mbiemrit dhe të dhënave tjera siç u cekë më lartë”, thuhet në opinionin agjencisë.

Rreth 520 mijë vlerësohet të jetë numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare rreth 680 milionë euro, e që qeveria tashmë ka vendosur t’ua falë.

Listat e mangëta

Korporata Energjetike e Kosovës, ka publikuar të dhëna të cunguara. Në listat që gjenden në ueb faqen e saj ajo ka treguar vetëm numrin identifikues të konsumatorëve por jo edhe emrin e mbiemrin.

Edmond Nulleshi Drejtor i Shërbimet e Korporatës, ka thënë se KEK është duke përmbushur në tërësi të gjitha obligimet ligjore që dalin nga Ligji dhe aktet e ndërlidhura nënligjore.

Pasi sipas tij, KEK ka publikuar brenda afatit ligjor deri me 19 nëntor 2015 listat e të gjithë borxhlinjve të energjisë elektrike që janë subjekt i këtij Ligji.

“Baza e shënimeve te konsumatorëve te energjisë elektrike bën identifikimin e tyre me numër unik identifikues te konsumatorët e jo me Emër dhe Mbiemër. Për ketë arsye, listat e publikuara me dy lloj identifikime ( numër unik te konsumatorit dhe numër te njehsorit) janë me se të mjaftueshme dhe transparente për të gjithë ata që janë të interesuar te përfitojnë nga ky Ligj dhe ne baze te interpretimeve kompetente ligjore, ato përmbushin ne tërësi kërkesat e cekura ne UA”, tha Nulleshi.

Ndërkohë që për opionion e Agjencisë  Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila kësaj ndërmarrje u është dërguar në muajin dhjetor, Nulleshi tha kjo agjenci ka lënë mundësinë  që në mënyrë vullnetare jo obligative të publikimit të emrave të borxhlinjve potencial.

Javën e kaluar KEK dhe KEDS nënshkruan marrëveshje për zbatimin përfundimtar të Ligjit për Falje të Borxheve për konsumatoret e  energjisë elektrike.

Përmes kësaj Marrëveshje, thuhen në njoftimin për media se i mundësohet te gjithë konsumatorëve te  energjisë elektrike te cilët kualifikohen për falje te aplikojnë për shlyerje te borxhit ne zyrat e shërbimit te konsumatorëve ne KEDS/KESCO ne tere territorin e Republikës se Kosovës.

Sipas njoftimit brenda dy jave pritet qe te finalizohen te gjitha procedurat detale rreth qasjes ndaj konsumatorëve kur edhe shërbimet përkatëse KEDS/KESCO do te janë te gatshme te presin konsumatorë qe aplikojnë dhe nënshkruajnë marrëveshje për faljen ne fjale .

Me këtë Marrëveshje priten te trajtohen 175.076 konsumatorë te cilët gjeografikisht janë te përfshirë në terë territorin e Kosovës.

Ndërmarrja tjetër “Ujësjellësi Rajonal Prishtina” fillimisht në ueb kanë publikuar vetëm listat pa identifikim (emër dhe mbiemër) të konsumatorëve, kurse pas interesimit të gazetës është publikuar njoftimi por edhe listat e plota.

Zyrtarja për media Arjeta Mjeku tha për Gazetën Fjala se nuk kanë kurrë fare problemi, sepse Ligjit po i përmbahemi qe nga muaji nëntor 2015 ne përpikëri.

“Po ashtu ju njoftoj se si libër me emër e mbiemër te konsumatorit veç e veç i kemi te vendosura ne zyrat për konsumatorë,  me ç ‘rast kur hyn konsumatori brenda zyreve, përveç ueb faqes e ka edhe ne tavolinat e shërbimit te konsumatorëve qe ta gjej secili veten se ku qëndron me borxhe, a është apo jo përfitues i ligjit për faljen e borxheve publike”, tha Mjeku.

Administrata Tatimore e Kosovës ka publikuar në ueb faqen e saj  listat me të gjitha këto të dhëna. Gjithashu edhe Posta dhe Telekomi i Kosoves i ka publikuar të dhënat e borxhlinjëve.

Vendimit të Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve të kompanive publike, llogaritet të përfshijë edhe mbi 25 mijë familje, që janë në asistencë sociale./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ndermarrjet-publike-mbajne-sekret-listat-e-borxhlinjve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala