MTI në prokurori për kabinat që nuk u përdorën kurrë

Autori:Gazeta Fjala

Të vetmet që kanë mbetur në kryeqytet janë këto kabina që ishin vendosur për të ndihmuar orientimin e turistëve, të cilat gjithashtu janë të demoluara dhe nuk kanë funksionuar kurrë.

Kabina gjenden në afërsi të sheshit “Bill Clinton”, tek ura e “Kurrizit”, e që janë pjesë e projektit “Navigatori i Qytetit”.

kabina 1

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në kohën kur udhëhiqej nga ministri Lutfi Zharku,  pati investuar 113 mijë euro për këtë projekt.  Ishte paraparë që në kuadër të projektit  Navigatori i Qytetit apo siç njihet ndryshe si kiosku Informativ, të vendoseshin 12 kioske informative në tërë Kosovën.

Në korrik të 2008-ës madje ishte shpallur edhe fituesi i që do të bënte furnizimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e  pajisjeve për Navigator të  Qytetit. Kompania Ataq Consulting do të ishte përgjegjësja kryesore për implementimin e tij, shkruan Gazeta Fjala.

Projekti në fjalë “Navigatori i Qytetit” që filloi në vitin 2008 duket se nuk pati fare sukses.

Departamenti i Industrisë në MTI përmes zyrës për informim njoftoi se projekti navigatori i qytetit nuk u realizua asnjëherë.

“Meqenëse ky projekt nuk është realizuar asnjëherë në tërësi (konform kontratës), komisioni i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë , në vitin 2011 ka rekomanduar që puna rreth projektit “Navigatori i Qytetit” të ndërpritet”, thuhet në përgjigjen e departamentit të industrisë.

Gjashtë vite pas, lidhur me mos realizimin e këtij projekti lënda gjendet në Prokurorinë e Prishtinës.

“Lënda për këtë projekt është në Prokurorinë Themelore, prandaj nuk mund të japim të dhëna të tjera, të cilat do të pengonin hetimet”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Gazeta Fjala ka kërkuar të dijë nga prokuroria themelore e Prishtinës se ku kanë mbetur procedurat rreth kësaj lënde, mirëpo sipas zëdhënësit të saj Ekrem Lutfiut është e pamundur që të gjendet lënda  pa numër të dosjes.

Numrin e dosjes e as datën kur është proceduar kjo çështje nuk e kanë ofruar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Kështu kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, përveç që nuk ka “Navigatori të Qytetit” funksional, nuk ka as Zyrë Informuese Turistike.

Mungesa e navigatorëve dhe zyrave paraqet pengesë për të gjithë vizitorët që vijnë në kryeqytet e që nuk kanë ku të marrin informacione.  /Gazeta Fjala/

kabina 3

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/mti-ne-prokurori-per-kabinat-qe-nuk-u-perdoren-kurre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala