MPJ nuk jep llogari për fushatën e UNESCO-s

Për muaj të tërë, shteti i Kosovës ishte angazhuar në një fushatë për të arritur synimin kryesor në politikën e jashtme gjatë këtij viti: anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Derisa kërkesa e disa analistëve që përgjegjësit e kësaj fushate të japin dorëheqje pas dështimit për anëtarësim nuk është plotësuar, Ministria e Punëve të Jashme nuk ka dhënë llogari as për shpenzimet e bëra në fushatën që Kosova e bëri për të bindur shtetet që të përkrahin këtë iniciativë të vendit.
Për disa ditë me radhë, Gazeta Fjala ka pritur që të marrë informata rreth kësaj çështje nga Ministria e Jashtme, por deri më tani kjo e fundit nuk i është përgjigjur interesimit të redaksisë.
Ndër të tjera, nga ajo çfarë është parë publikisht, shteti i Kosovës është dashur të shpenzojë për numër të shtuar të udhëtimeve të zyrtarëve shtetëror, rekrutim të lobuesve, hapje të zyrës në Paris, dhe të tjera shpenzime teknike, siç janë për faqe të internetit, publikimi i librave, katalogjeve, dhe të ngjashme.
Por megjithë përpjekjet e bëra, Kosova nuk arriti që të grumbullojë votat e mjaftueshme në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s më 9 nëntor.
Nga gjithsej 95 vota sa i nevojiteshin, Kosova arriti të mbledhë 92, dhe dështimi për anëtarësim nënkupton që Kosova nuk do të ketë të drejtën e aplikimit deri në vitin 2017.
Edhe pse dështoi në këtë proces, Zëvendëskryeministri dhe njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka vazhduar që ta cilësojë humbjen si fitore të Kosovës. Argumentin e tij Thaçi e ka bazuar në votën pro të disa vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe në përkrahjen që Kosova mori nga vendet perëndimore.
Derisa MPJ nuk ka pranuar që të japë detaje rreth shpenzimeve, në një emision në televizionin publik RTK, Zëvëndësministri i Jashtëm Petrit Selimi ishte ankuar për buxhetin e vogël të kësaj ministrie si dhe për resurset njerëzore që ka MPJ.
“Buxheti i Ministrisë së Jashtme edhe resurset tona njerëzore janë nëntë herë më të vogla se të Serbisë, dyfish më të vogla se zyra e UNMIK-ut në Kosovë, ose janë 1.5 për qind e ambasadës së Amerikës në Irak. Këto janë kushtet tona financiare dhe këta janë njerëzit tanë,” ka thënë ai.
Por, Labinot Hajdari nga Qendra Kosovare për Diplomaci, thotë se ana materiale nuk mund të konsiderohet si faktor kyç në dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të rëndësishme.
Ai është kritik i qasjes së MPJ-së ndaj shteteve që e kanë njohur pavarësine e Kosovës, e të cilat nuk përkrahën Kosovën më 9 nëntor kur u votua aplikimi i Kosovës.
“Politika e jashtme e një shteti nuk fillon e as mbaron më një fushatë disa mujore në kuadër të një nisme për anëtarësim. Këtu e kam fjalën për injorimin që institucionet e Kosovës, përkatësisht që MPJ i ka bërë shteteve të cilat veç e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, vota kundër ose abstenimi i të cilave ishte e mjaftueshme për të mos u anëtarësuar,” thotë ai.
Hajdari thekson se përvoja e këtij viti mund të shërbëje në rastin e ardhshëm kur Kosova të aplikojë për anëtarësim.
“Kjo mbase do t’i ndihmonte edhe MPJ-së që të dal me një strategji të re, me një qasje tjetër në radhë të parë ndaj shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, miqësia me të cilat mbase do të rezultonte me lobim edhe tek shtetet të cilat refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale, evropiane dhe ato botërore,” thotë ai.
Ai ka shtuar se për një fushatë të suksesshme për anëtarësim kërkon koordinim më të madh institucional.
Përveç UNESCO-s, Kosova vazhdon të mbetet jashtë edhe nga një numër i konsiderueshëm i organizatave të tjera me rëndësi, siç është Këshilli i Evropës.