Mosmirënjohës!

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjeneralit ja kthyen shpinën.

Nuk ja deshën as 1 miliard euro para të premtuara për investime.

Wesley Clarku që 16 vjet më parë kishte urdhëruar bombardimin e caqeve të ushtrisë serbe për të çliruar Kosovën, nuk gjeti vend tani në shtetin e lire.

Mosgatishmëria e institucioneve të vendit për të bërë zgjidhje për ish-gjeneralin, tani biznesmen ka bërë që Clark të hiqte dorë nga plani i tij me kompaninë Envidity që të prodhonte naftën sintetike në Kosovë.

Nuk është ky i vetmi që ja ka kthyer shpinën shtetit më të ri në Evropë. Janë edhe qindra investitorë tjerë që kanë marrë të njëjtin vendim nga viti 1999 e deri më tani.

Janë edhe shumë donatorë që i kanë rënë pishman për paratë e derdhura në rindërtimin e vendit të sapo dalë nga lufta.

Mbi 3 miliard euro para të donatorëve janë dhënë për Kosovën nga paslufta deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

Pjesa më e madhe e tyre dyshohet se është keqpërdorur nga zyrtarët kosovarë në bashkëpunim me ndërkombëtarët e angazhuar në misionin e Kombeve të Bashkuara.

Krejt kjo për shkak se investimet e bëra nuk kanë dhënë efektin për çfarë janë destinuar.

Dëshmia më e mirë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile që kanë monitoruar shpenzimet e donacioneve është energjetika.

Janë investuar mbi 1 miliard euro në energjetikë dhe Kosova vazhdon të ketë telashe me energjinë.

Ndërkaq, nuk dihet se çfarë ka ndodhur me paratë e premtuara të donatorëve për Kosovën në vitin 2011.

Në një analizë të bërë nga ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati thuhet se kontribuesi më i madh për Kosovën, nëse analizohen shtete veç e veç, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 12.53 për qind, duke u pasuar nga Japonia me 5.82 për qind, Gjermania me 5.48 për qind, Danimarka me 4.01 ppër qind, Kanadaja me 3.18 ppër qind, Zvicra me 3.02 për qind etj.

Ndërkaq, kontribuuesi më i madh me donacione është Bashkimi Evropian, me 867 milionë euro.

Nëse këtyre mjeteve u shtohen edhe donacionet e zotuara të shteteve veç e veç, anëtare në BE, në shumë prej 501,5 milionë euro, atëherë rezulton se donacionet BE-së për ripërtëritjen dhe rimëkëmbjen e Kosovës kapin shumën 1.368 milionë euro ose 58 për qind të donacioneve të përgjithshme të zotuara.

Këto para kryesisht janë dhënë për investimet në ekonomi, të destinuara për rehabilitimin dhe rindërti­min e ndërmarrjeve publike, të cilat sipas Kastratit kanë konsistuar në: trajtimin e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza, rehabilitimin e PTK-së, rehabilitimin dhe rindërtimin e energjetikës dhe infrastrukturës rrugore.

Por, në mungesë të koordinimit dhe të menaxhimit me efikasitet të investimeve të mjeteve të zotuara, procesi i rehabilitimit dhe i rindërtimit nuk ka ecur me ritme të pritura.

 

Investimet në infrastrukturë janë realizuar 125,35 milionë euro, ose 85.6%, të mjeteve të zotuara. Investimet në shërbimet publike janë realizuar 568,64 milionë euro, ose 85.5% të zotimeve.

Për banim, investimet e realizuara janë 361,67 milionë euro, ose 100.0% të zotimeve.

Në bujqësi janë realizuar investime në vlerë 78,57 milionë euro, ose 82.8% të donacioneve.

Tregtia dhe industria ka shfrytëzuar 153,25 milionë euro, ose 84.5% të donacioneve të zotuara.

Arsimi, shëndetësia dhe kultura, kanë shfrytëzuar mjete nga donacionet 216.27 milionë euro, ose 89.5% të zotimeve.

Në kategori të tjera janë shpenzuar 707,00 milionë euro, ose 99.5% të zotimeve të donacioneve ndërkombëtare.

Përfundimisht më 31.12.2005, si viti i fundit i para­parë për rindërtimin dhe ripërtëritjen e Kosovës, janë shpenzuar 2.177.71 milionë €.

Për rindërtimin e shtëpive të rrënuara janë shpenzuar vetëm 361.67 milionë €, ndërkaq dëmet dhe shkatërrimet kanë qenë 2,235.60 €, qartazi shihet se vetëm 16.15% të shtëpive dhe të orendive shtëpiake janë mbuluar nga dona­cionet ndërkombëtare.

Dëmet dhe shkatërrimet në bujqësi (stalla, hangarë, plevica, blegtori dhe mekanizëm bujqësor), janë regjistruar 1,389.30, milionë euro , ndërkaq ndihmat ndërkombëtare janë 78.6 milionë euro, ose vetëm 5.61% të dëmeve të shkaktuara.

Ngjashëm është gjendja edhe më ekonominë, tregtinë dhe industrinë, ku dëmet e regjistruara janë 1,015.30 milionë euro, ndërsa ndihmat 153.2 milionë euro, ose 15%. Përkundrejt asaj që u theksua më lart, për rindërtim dhe furnizim me pajisje janë shpenzuar 1,189.4 milionë euro, ose 54.6% e shumës së përgjithshme të donacioneve ndërkombëtare.

Shuma substanciale e këtyre mjeteve është investuar në infrastrukturën publike (për ujëra dhe trajtimin e ujërave të zeza, për energjetikë, për transport dhe komunika­cion), që ka ndikuar në lehtësimin e jetës së qytetareve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/mosmirenjohes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala