Ministria e Mjedisit i harron gjobat për ndotësit

Autori:Gazeta Fjala

Të shpeshta janë rastet kur qytetarë të pandërgjegjshëm nga dritaret e veturave hedhin cigare, kanace e mbeturina tjera. Por të paktë janë ata që janë ndëshkuar nga 30 euro për një veprim të tillë.

Kaq është gjoba e paraparë me ligj të cilën duhet ta shqiptojnë Inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, e që merret vesh se deri më tani nuk e kanë shqiptuar asnjë gjobë të tillë.

Vetë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pranon se ky udhëzim administraiv nuk ka gjetur zbatim të lakmueshëm në praktikë. Sipas tyre, shkak për këtë është numri i vogël i inspektorëve në dizpocition të autoriteteve, qoftë qendrore apo komunale.

Po ashtu, ministria fajëson edhe mosfunksionimi e gjykatave që nuk arrijnë “të përfundojnë ciklin e llogaridhënues për shkelësit e ligjit”.

“Për shkak te problemeve me të mëdha që ekzistojnë në sferën e mjedisit, e ujërave, si dhe numrit tejet të kufizuar të inspektorëve në nivelin qendror, realizimi i gjobave mandatore zbatohet në rastet mjaft të rralla nga niveli qendror për shkak të natyrës së shkeljes së dispozitave  të këtij udhëzimi që më tepër i përkasin nivelit local,” thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Ambientit për Gazetën Fjala.

Sipas Udhëzimit Administrativ për “Ndëshkimin për gjobat mandatore” e që përcakton dënimet për shkelje eventuale, thuhet se personi i cili hedhë cigaren në rrugë (jo nga dritarja e veturës), apo në sipërfaqë publike, dënohet me 5 euro gjobë.

Udhëzimi në fjalë parasheh dënime edhe për hedhjen e materialeve të tjera në vende publike të palejuara – si kanacet, letrat, ambalazhet nga qelqi e plastika –  e të cilat shihen shumë shpesh në rrugët apo sheshe.

Gazeta Fjala ka kërkuar që të dijë shifrën e saktë të gjobave që janë dhënë nga kjo ministri në pesë vitet e fundit, por ministria nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një gjë të tillë.

Sipas ligjit në fuqi, mjetet financiare që paguhen për këto gjoba derdhen në buxhetin e shtetit.

“Rreth kësaj pyetje për momentin nuk mundemi të japim të dhëna t konkrete, për shkak të natyrës së punës me të cilën merret inspektorati qendror. Shkalla e dënimeve është maksimumi 100 euro. Janë dhënë një numër I kufizuar dënimesh, meqë ju kërkoni që nga viti 2010,” ka qenë përgjigja nga ministria.

Në anën tjetër, Daut Maloku nga Partia e të Gjelbërve të Kosovës, programi i së cilës është i dominuar nga cështjet ekologjike, thekson se zbatimi i këtij udhëzimi administrativ nga ana e ministrisë është hedhur në harresë.

“Ky udhëzim administrativ është harruar fare dhe impementini i tij duhet filluar sërish duke u nisur nga sensibilizimi i opinionit, njoftimi i qytetarëve me nivelin e gjobave për hudhjen e mbeturinave nê ambient të hapur dhe atë përmes formave te njohura të sensibilizimit : broshurat, tryezat, debate ne media.

Ai ka kërkuar që organet përgjegjëse të punojnë më shumë në vetëdijësimin e qytetarëve që të mos hudhin mbetura në vende të palejuara.

“Duhet të  caktohet edhe një afat kohor, të themi ashtu edukativ. që qytetarët mos te gjobiten por të ju tërhiqet vërejtja përmes inspektorëve për veprimet e tyre ne shkeljen e ligjit për ambientin,” i ka thënë Maloku Gazetës Fjala.

Gjobat sipas udhëzimit administrativ

Udhëzimi administrative që është miratuar në vitin 2009, parasheh edhe një numër gjobash për dënime për personat juridik e fizik që hedhin mbeturinat në vende të palejuara.

Varësisht nga dëmi që i bëhet ambientit, gjobat kategorizohen nga 5 euro deri në 100 euro.

Deri sa hedhja e cigares në rrugë dënohet me 5 euro gjobë, kjo ndryshon atëherë kur hedhja e saj bëhet nga vetura që është duke lëvizur.  Ky veprim mund të gjobitet me 30 euro dënim.  30 euro gjobë vlenë edhe në rast se bëhet ndërrimi I vendit të kontenjerëve për mbeturina komunale apo për hedhjen e pajisjebe elektrike në ata kontenjerë.

Në vitet e para pas përfundimit të luftës, skena kur nga ballkonet e ndërtesave shumëkatëshe hedheshin mbeturina ishin të shpeshta.  Meghjithë se një gjë e tillë është rralluar, por kjo ka shtyrë ministrinë që të përfshijë këtë në listën e dënimeve të saj.  Gjoba për hedhje të mbeturinave nga ballkonet e ndërtesave është 50 euro.

Me gjobën më të lartë prej 100 eurove dënohen të gjithë ata që bëjnë hedhjen e mbeturinave në sipërfaqe të lumenjëve, liqeneve, ose sipërfaqeve të tjera ujore.  Po ahtu, në këtë kategori hyjnë edhe të gjithë ata që bëjnë djegjen e mbeturinave në ambiente publike, duke përfshirë edhe gomat e veturave që ndodh cdo vit më 1 maj./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ministria-e-mjedisit-i-harron-gjobat-per-ndotesit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala