Ministrat e PDK-së shpenzojnë buxhetin e Isa Mustafës

Autori:Avdyl Pajaziti

Matematika e Qeverisjes së Isa Mustafës nuk po del e suksesshme në uljen e shpenzimeve të buxhetit. Atë nuk po e përfillin të gjithë ministrat e kabinetit të tij.

Në raportin gjashtëmujor të shpenzimeve të buxhetit shihet se ministrat e partnerit të koalicionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk po mund të mësohen me pak shpenzime. Ndërsa një pjesë e ministrave të LDK-së, duke u munduar të kursejnë kanë bllokuar shumë aktivitete të rëndësishme për qytetarët që kërkojnë para nga buxheti.

Vetë i pari i qeverisë bashkë me një pjesë të ministrave të LDK-së e kanë shpërnguar rripin për të kursyer më shumë por megjithatë për gjashtë muaj komplet qeveria ka shpenzuar 5.4 për qind më shumë se një vit më parë.

Sivjet janë shpenzuar gjatë kësaj periudhe 686 milion euro derisa një vit më parë ishin bërë pagesa në vlerë 651 milion euro.

“Shpenzimet rrjedhëse shënuan rritje prej 12 për qind ku pagat dhe rrogat ishin 11 për qind  më të larta, subvencionet dhe transferet ishin 19 për qind më të larta, ndërsa shpenzimet komunale ishin për 12 për qind më të larta”, thuhet në raportin e gjashtëmujorit, të cilin e posedon Gazeta Fjala. Ndërkaq, kursimet në mallra dhe shërbime kanë rezultuar në një rënie prej 3 për qind.

Shpenzimet për secilin ministër

Vetë i pari i Qeverisë së Kosovës, që i prinë Koalicionit LDK-PDK ka ulur shpenzimet për 15 për qind në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.  Ai duket se ka kursyer në blerje dhe shpenzime të përfaqësimit e marketingut, por ka rritur shpenzimet e telekomunikimit gjatë kësaj periudhe.

Për të arritur këtë ai i ka ndaluar pagesat shtesë shumë kategori të punëtorëve dhe nga 4.5 milion euro sa ishin shpenzuar në vitin 2014 tani ka shpenzuar 3.8 milion euro.

Ndërsa partneri i tij, i koalicionit zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, si ministër i Jashtëm i Kosovës ka shpenzuar për 5 për qind me pak, krahasuar me vitin e kaluar. Në këtë vit janë shpenzuar deri tani 6 milionë e 645 mijë euro, derisa vitin e kaluar ishin shpenzuar 7 milionë e 243 mijë euro.

Kuvendi i Kosovës, në krye me Kadri Veselin ka shpenzuar 21 për qind më shumë buxhet se një vit më parë. Nga 3 milion euro sa i kishte shpenzuar në vitin 2014, këtë vit i ka shpenzuar 3.7 milion euro më shumë. Krejt kjo pasi Kuvendi përveç rritjes së pagave ka rritur edhe shpenzimet për telefoni, blerje të mallrave dhe shërbimeve dhe shpenzimet e udhëtimit. Ndërkaq, në raport shihet se në këtë institucion kanë kursyer goxha  shumë në derivate, të cilat shpenzime i ka ulur për 34 për qind.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, për gjashtë muaj të këtij viti i ka shpenzuar afro 21 mijë euro më pak se një vit më parë duke i ulur shpenzimet e përgjithshme për 2 për qind.

Gjatë kësaj periudhe e para e vendit ka shpenzuar më pak për shërbime telefonike, më pak udhëtime e karburante.

Edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka ndjekur udhëzimet e shefit të tij, për të shtrënguar rripin dhe për të dalë më pak shpenzues në këtë gjashtëmujor.

Ai merret vesh se ua ka ndalur edhe ushqimin që u takon me ligj nga paratë e buxhetit stafit të tij, vetëm për të rezultuar me shifra në minus shpenzime. Kështu ai ka shpenzuar 16 për qind më pak se një vit më parë.

Më pak ka shpenzuar edhe Mahir Jagcilar, ministër i Administrimit Publik i cili thuajse në të gjitha kategoritë ka minus shpenzime krahasuar me një vit më parë, por që për marketing ka shpenzuar mbi 90 për qind më shumë se vjet.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nën drejtimin e Hykmete Bajramit, që vije nga LDK-ja, për gjatë gjashtë muajve të këtij viti e ka shpenzuar për 53 për qind më pak buxhetin e këtij institucioni.  Kjo ministri vitin e kaluar ka shpenzuar mbi 2 milionë e 284 mijë euro, derisa këtë vit 1 milionë e 082 mijë euro.  Krejt ky kursim i parave, po del te jetë shkak i uljeve të shpenzimeve në derivate, telefona, udhëtime jashtë vendit, marketing e shërbime të ndryshme.

Edhe Lutfi Zharku i ministrisë së Infrastrukturës është treguar goxha kursimtar me buxhetin. Ai për këta gjashtë muaj ka shpenzuar 19 për qind me pak krahasuar me vitin e kaluar. Një vit me parë ishin shpenzuar 56 milionë 717 mijë euro, derisa këtë vit janë shpenzuar 46 milionë e 145 mijë euro. Ulje të shpenzimeve edhe në ministrinë e Zharkut ka pasur në udhëtime, për seanca gjyqësore dhe lëndë djegëse, si naftë e benzinë.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Imet Rrahmani duket se nuk ka punuar asgjë gjatë këtij viti. Ai për gjashtë muajt e parë të 2015, nuk ka shpenzuar më shumë se 13 milionë euro. Derisa, në vitin e kaluar në këtë periudhë kohore ishin shpenzuar mbi 50 milionë euro.  Në këtë institucion shihet se në të gjitha kategoritë nuk ka pasur zhvillimet të aktiviteteve.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Kujtim Shala që është pjese e LDK-së, gjatë këtij viti ka shpenzuar 6 milionë e 587 mijë euro. Derisa vitin e kaluar kjo shumë ishte mbi 7 milionë euro.

Edhe në Ministrinë e Arsimit, që drejtohet nga Arsim Bajrami i PDK-së nuk vërehet ndonjë ndryshim i madh i shpenzimit të buxhetit krahasuar me vitin e kaluar. Një vit me parë në këtë ministri ishin shpenzuar 18 milionë euro, këtë vit shpenzim është 17 milionë euro.

Një dallim nga këta ministria e ka ai i Ministrisë së Punës, Arban Abrashi.  Ai brenda kësaj kohe ka rritur shpenzimet në buxhet. Derisa, në vitin e kaluar shpenzimet në këtë ministri kanë qenë 127 milionë, ato tani kanë shkuar në mbi 150 milionë euro. Derisa në përqindje është 18 për qind.

Edhe Ferid Agani, që drejton Ministrinë e Ambientit ka rritur shpenzimet në buxhet. Këtë vit kjo ministri ka shpenzuar për 43 për qind më shumë se vitin e kaluar, apo mbi 20 milionë euro. Derisa vitin e kaluar ky shpenzim ishte mbi 24 milionë euro.

Ndërkaq, më së shumti prej krejt ministrive del se i ka rritur shpenzimet në këtë gjashtëmujor Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi. Nga 11 milion euro sa ishin shpenzuar një vit më parë, sivjet kjo ministri ka shpenzuar 22.5 milion euro apo 103 për qind më shumë.

Më shumë se gjysma e tyre kanë shkuar për mbulimin e obligimeve ndaj fermerëve të cilëve nuk u ishin paguar subvencionet nga viti i kaluar,shkruan Gazeta Fjala.

Kurse, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është ulur shpenzimi i parasë publike. Në gjatë muajt e këtij viti janë shpenzuar 43 për qind parat e buxhetit.

Kursime prej 23 për qind ka pasur edhe në Ministrin e Pushtetit Lokal. Në këtë institucion vitin e kaluar ishin shpenzuar mbi 811 milionë euro, derisa këtë vit ato janë në 628 milionë.

Blerand Stavileci i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që vije nga PDK ka shpenzuar buxhetin thuajse ngjashëm më paraardhësin e tij. Kursime në këtë ministri janë bërë vetëm 2 për qind, krahas vitit të kaluar.

Kurse, Ministri i Punëve te Brendshme, Skënder Hyseni ka kaluar shpenzimet e vitit të kaluar. Ai rritjen e shpenzimeve e ka rritur për 15 për qind. Në vitin e kaluar ishin shpenzuar mbi 42 milionë euro, derisa këtë vit ato kanë shkuar në afri 49 milionë euro.

Rritje të buxhetit ka pasur edhe në Ministrinë e Drejtësisë. Derisa vitin e kaluar në këtë institucion ishin shpenzuar 8 milionë e 200 mijë euro, ato kanë vit kanë shkuar në 9 milionë e 200 mijë. Shpenzimi në përqindje është rritur për 12 për qind.

Edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka pasur kursime në shpenzime buxhetore. Krahasuar me vitin e kaluar, ketë vit aty janë shpenzuar 2 për qind më pak.

Një kursim pak më i madh është vërejtur tek Ministria e Integrimeve Evropiane, që drejtohet nga Bekim Çollaku. Aty sipas buxhetit gjashtë mujor janë shpenzuar 18 për qind e parave. Në vitin e kaluar ishin shpenzuar 866 milionë, derisa këtë vit 706 milionë euro.

Edhe Valon Murati në Ministrinë e Diasporës ka shpenzuar me pak para për këtë vit. Kursimet në këtë ministri, krahasuar me vitin e kaluar janë për 24 për qind./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ministrat-e-pdk-se-shpenzojne-buxhetin-e-isa-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala