Milionerët që plaçkitin vozitësit

Autori:Avdyl Pajaziti

Nuk është krejt e rastësishme se pse po shtyhet pafundësisht aplikimi i Kosovës në Sistemin e Kartës Ndërkombëtare të Sigurimeve. Njëherë u vonua miratimi i Ligjit për sigurimet dhe formimi i Byrosë Nacionale, e tash kur këta mekanizma ekzistojnë, po vonohet aplikimi.

Gazeta Fjala ka mësuar se kompanitë e sigurimeve në Kosovë po i druhen pranimit eventual në kartonin e gjelbër, pasi që shumat siguruese të shteteve anëtarë për automjete dhe persona janë shumë të larta, që shkojnë deri në 5 milionë euro. Ndërkohë, në Kosovë, deri në miratimin e Ligjit për sigurimet, limiti i shumës siguruese ka qenë 100 mijë euro.

Vetëm pas miratimit të Ligjit për sigurimet, me ndihmën e ekspertëve u arrit që për dëme në persona, shuma siguruese nga 100 mijë, të jetë 1 milion euro. E, kamata vjetore për vonesat që kompanitë i bëjnë ndaj palëve, nga 3.5 për qind, shkoi në 12 për qind.

“Pranimi në kartonin e gjelbër më se paku u konvenon kompanive të sigurimeve. Shumat siguruese në disa shtete shkojnë deri në 5 milionë euro dhe imagjinojeni sikur një gjerman të aksidentohet në Kosovë me dëmtime që e arrijnë ketë shumë”, ka saktësuar një burim, i afërt me këtë proces.

Rregullat e Këshillit të Byrove në Bruksel e kërkojnë që fillimisht shteti që do aderim, të bëjë kërkesë për aplikim, e kur të mblidhet Asambleja, pastaj shqyrtohet se a pranohet kërkesa. Pas kësaj, jepet ose jo iza për aplikim.

Edhe njohësit e sigurimeve pranojnë se problemi kryesor do të jetë se sa solvente dhe me çfarë potenciali kompanitë po inkuadrohen në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimeve. Besnik Nikçi thotë se çështja e liberalizimit të tregut nuk është asgjë në krahasim me këtë problem.

“Problemi kryesor që do të shtrohet është sa solvente janë kompanitë e sigurimeve dhe me çfarë potenciali këto “krijesa” po inkuadrohen  në Sistemin e Kartës Ndërkombëtare të Sigurimit dhe një imazh më se i keq i performancës në trajtimin e dëmeve që kanë kompanitë e sigurimit si në vend, ashtu dhe jashtë vendit”, vlerësoi Nikçi, për Gazetën Fjala.

Për një dekadë e gjysmë, kompanitë e sigurimeve dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve kanë mbledhur të hyra më tepër se 200 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë 14 vjetëve këto kompani kanë pas të hyra bruto diku rreth 13 milionë për çdo vit. Vetëm në vitin 2012, vlera e policave kufitare kap shumën prej 14.7 milionë eurosh. Gjatë vitit 2013 kompanitë kanë pasur të hyra prej 13,1 milionë eurosh.

Kompanitë të pa përgjegjshme ndaj klientëve

Prej 13 kompanive të sigurimeve se janë në Kosovë, asnjëra nuk ka dalë për mashalla pas kontrolleve të kryera nga inspektoret e Bankës Qendrore të Kosovës. Zyrtarët e BQK-së në një ekzaminim të kryer gjatë vitit 2013 kanë shqiptuar dënime të ashpra për kompanitë. Shkeljet kryesisht kanë të bëjnë në mungesën e trajtimit të dëmeve ndaj palëve, vonesave në ekzekutimin e pagesave edhe me vendim gjyqësor, dhe mungesës se stafit profesional.

Në divizionin e ankesave në Bankën Qendrore të Kosovës, në vitin 2013, kanë arritur gjithsej 140 ankesa nga ana e palëve të dëmtuara. Ndër këto ka pasur ankesa për vonesa në trajtimin e dëmeve, por numri më i madh i tyre ka të bëjë me lartësinë e shumës së ofruar për zhdëmtim nga kompanitë e sigurimeve. Inspektorët e BQK-se, përkatësisht Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve, ekzaminojnë kompanitë e sigurimeve në pajtim me planin njëvjeçar të ekzaminimeve, i cili aprovohet nga menaxhmenti i lartë i BQK-së. Ky plan përfshin ekzaminimin e të gjitha kompanive të sigurimeve dhe ndërmjetësuesve, e të cilët janë nën mbikëqyrjen e BQK-së.

Problem tjetër i kësaj industrie është edhe koncentrimi i madh i kompanive të sigurimeve në sigurimet e detyrueshme e më pak tek ato vullnetare. Nëse shikohen ueb faqet e tyre, vetëm tri nga to ofrojnë sigurime të jetës dhe njëjtë është edhe me sigurimet në bujqësi. Tregu i sigurimeve kryesisht dominohet nga sigurimet e detyrueshme TPL dhe policat kufitare.

Kjo përformacë jo e mirë vërehet edhe në raportet e Bankës Qendore të Kosovës. Në raportin e vitit 2013, gjithsej asetet e kompanive të sigurimeve arritën vlerën prej 130.8 milionë euro dhe shënuan rritje 16.3 për qind. Deri në fund të vitit 2012, numri i policave të shitura nga kompanitë arrit në 757 mijë polica, ndërsa vlera e primeve të pranuara nga to ishte 81.5 milionë euro.

“Vlera e primeve të pranuara nga TPL-të në vitin 2012 arriti në 44.1 milionë euro dhe u zvogëlua për 3.4 për qind. Pjesë e rëndësishme e policave të sigurimit, të cilat përfaqësojnë 18.1 për qind të gjithsej primeve të pranuara. Primet e pranuara nga policat kufitare shënuan rritje të konsiderueshme prej 52.6 për qind, duke arritur vlerën prej 14.7 milionë euro”, thuhet në raport.

Megjithatë, prej të gjitha këtyre të hyrave, për zhdëmtim ndaj palëve shkojnë vetëm 38 për qind e totalit. Pjesa tjetër e parave iu mbesin kompanive.

Larg liberalizimit

Me ketë përformancë dhe këto probleme, njohësit e sigurimeve thonë se liberalizimit i tregut të sigurimeve është shumë larg, dhe me ketë edhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të sigurimeve.

Sipas njohësit të sigurimeve, Besnik Nikçi, problemi kryesor do të jetë se sa solvente dhe me çfarë potenciali kompanitë po inkuadrohen në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimeve. Për me tepër, kjo çështje ndërlikohet kur dihet se shumat siguruese të shteteve që janë pjesë e kartonit të gjelbër shkojnë deri në 5 milionë euro. Ndërkohë, në Kosovë, deri në miratimin e Ligjit për sigurimet, limiti i shumës siguruese ka qenë 100 mijë euro. Vetëm pas miratimit të Ligjit për sigurimet, me ndihmën e ekspertëve u arrit që për dëme në persona, shuma siguruese nga 100 mijë, të jetë 1 milion euro. E, kamata vjetore për vonesat që kompanitë i bëjnë ndaj palëve, nga 3.5 për qind, shkoi në 12 për qind.

“Me vjen keq që në tregun e sigurimeve të Kosovës nuk mund të veçohet diç me vlerë pos dobësive dhe stagnimit në kontinuitet. Tregues më i mirë për një konstatim të tillë është struktura aktuale e primit të sigurimeve të detyrueshme në raport me sigurimet vullnetare”, ka thënë Nikçi.

Ai ka shtuar se mungesa e ofrimit të një solvence adekuate për rastet e siguruara jashtë territorit të Kosovës dhe trajtimi pa kompetencë të duhur i dëmeve, e benë industrinë e sigurimeve të dobët perballë mekanizmave ndërkombëtar të sigurimeve. “Sa i përket përformancës se trajtimit të dëmeve me element të huaj, rezultojnë dështime në përmbushjen e detyrimeve sipas MOU dhe njëkohësisht të kërkesave të siguruesve të huaj për çfarë shqetësojnë vërejtjet e shumta të byrove nacionale anëtare të COB. Përformanca e tillë, jo vetëm që nuk jep shpresë për integrim të Kosovës, përkundrazi ka rezultuar me tërheqje nga rekomandimet që COB kishte bërë më herët për Kosovën”, vlerëson Nikçi.

Njohësit e sigurimeve, gjithashtu kërkojnë nga kompanitë e sigurimeve, që urgjentisht duhet të përshpejtojnë trajtimin dhe likuidimin e dëmeve pezull, të aktualizojnë zgjidhjen e kontesteve me procedurë ndërmjetësimi dhe pajtimi gjyqësor, si dhe përgatitje adekuate në organizimin kualitativ të shërbimeve për trajtimin e dëmeve. /GazetaFjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/milioneret-qe-plackitin-vozitesit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala