“Milionerët” e Isa Mustafës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri që ka në dorë fatin e më të varfërve të Kosovës, del të jetë njëri nga zyrtarët më të pasur në kabinetin e kryeministrit, Isa Mustafa.

Shumica e atyre që trokasin në derën e Arban Abrashit, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk kanë kulm mbi kokë, e as të ardhura për kushtet elementare të jetës, ndërsa ai ka deklaruar se posedon pasuri në vlerë 600 mijë euro. Vetëm shtëpia e ministrit, ka vlerën e 200 mijë eurove.

Por, ai nuk është i vetmi zyrtarë i lartë, përkrah kryeministrit Mustafa, që peshonë shumë financiarisht.

Jetë luksoze, bën edhe ministri Skender Hyseni nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ai është pronar i një pasurie prej 502 mijë euro.

Shtëpia ku ministri jeton ka vlerën e 350 mijë eurove. Ndërsa Audia që ai vozit kushton 39 mijë euro, raporton Gazeta Fjala.

Të gjithë ministrat kanë deklaruar shtëpitë e tyre të shtrenjta, e vozisin vetura luksoze, bashkë me familjarët e tyre, shkruan Gazeta Fjala.

I pasur del të jetë edhe ministri i forcës së sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. E tërë pasuria e tij ka vlerën e 356 mijë eurove. Vetëm shtëpia e tij ka vlerë 120 mijë euro, derisa 140 mijë euro kushtojnë tokat e tij.

Në listënse të pasurve, është edhe ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku. Shtëpia dhe tokat e Zharkut kanë vlerë 337 mijë euro.

Edhe kreu i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, duket se ka një jetë të shtrenjtë.

Ministri Shala, ka nën pronësi pasurinë prej 326 mijë eurove. Vetëm tokat e tij kanë vlerën e 160 mijë eurove, derisa tri veturat e deklaruara kushtojnë mbi 12 mijë euro.

Vila e Kuçit kushton 60 mijë euro

Hajredin Kuçi nga Ministria e Drejtësisë, ka pasurinë prej gati 300 mijë eurove. 164 mijë euro ka vlerën vetëm shtëpia e tij, derisa shtëpia e tij e vikendit i ka kushtuar Kuçit,60 mijë euro.

Vetura që ministri i drejtësisë vozit kushton 15 mijë euro, ndërsa vetura e bashkëshortës së tij 7,500 euro.

Ndërkaq, 241 mijë euro është vlera e pasurisë së Ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar. Shtëpia e Yagcilarit, kushton 110 mijë euro. Derisa, 162 mijë euro janë detyrimet financiare, që Yagcilar duhet të kthej në banka për investimet që  ka bërë. Vetëm dhuratat që i ka bërë gruas kanë kushtuar 5 mijë euro.

Valon Murati , nga Ministria e Diasporës, ka në pronësi 168 mijë euro pasuri. Banesa e tij ka vlerën e 130 mijë eurove, derisa vetura që vozit ka vlerën e 19 mijë eurove.

Bekim Çollaku me veturë luksoze 

Hykmete Bajrami, e cila udhëheqë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë është pronare e banesës në vlerën prej 180 mijë eurove. Ndërsa shtëpia e Bajramit, ka vlerën e 137 mijë eurove.

Avdullah Hoti nga Ministria e Financave, ka 160 mijë euro pasuri. 128 mijë euro, kanë kushtuar vetëm banesat e tij. E vetura që vozit, ka vlerën e 5,800 euro.

Memli Krasniqi, nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë e Zhvillimit Rural, nuk ka deklaruar ndonjë shtëpi. Por, vetëm apartamenti i ministrit ka vlerën e 100 mijë eurove.

Krasniqi del të jetë adhurues i pikturave. 3,500 euro, ai ka blerë vetëm piktura arti. Derisa biblioteka personale e tij ka vlerën e 10 mijë eurove.

Ndërsa vlera e pasurisë së Blerand Stavilecit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është 154 mijë euro. Rreth 100 mijë euro është vlera e banesës së tij, ndërsa lokali që ka nën pronësi ka vlerën e 49 mijë euro.

Pasuria e Ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmanit, ka vlerën e 145 mijë eurove, përfshirë shtëpitë, lokalet, e veturën që vozit.

Ndërkaq, 132 mijë euro është vlera e pasurisë së Ministrit të Integrimeve, Bekim Çollaku. Shtëpia e tij ka vlerën e 150 mijë eurove, ndërsa parcelat 86 mijë euro.

Vetura e tij luksoze i ka kushtuar hiq më pak se 31 mijë euro.

Ljubomir Marici, nga Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal, duket se është më i varfëri ndër ministrat e tjerë.

Rreth 116 mijë euro, është pasuria që ka deklaruar. Apartamenti i tij ka vlerën e 29 mijë euro, derisa apartamenti nën pronësi të bashkëshortës, kushton 70 mijë euro. Maric vozit veturën e 10 mijë eurove, ndërsa bashkëshortja e tij të 7 mijë eurove. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/milioneret-e-isa-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala