Milionat për servisim të veturave, ZAP kritikon qeverinë

Zyra e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafës, do të shpenzoj 90 mijë për servisim të automjeteve të saj. Kjo është bërë e ditur nga publikimi i njoftimit për nënshkrimin e kontratës.
Megjithëse përmendet shuma e parashikuar për kontratë nuk jepen shumë detaje se sa vetura do t`i nënshtrohen servisimit dhe çfarë lloje të veturave janë. Në këtë kontratë shkruan shkurt “Shërbime të servisimit të automjeteve”.
Kontrata vlen për 36 muaj që i bie nga 30 mijë euro për çdo vit, shkruan Gazeta Fjala.
Muajin e fundit përveç kryeministrisë edhe institucionet tjera për këta tenderë nuk kanë dhënë shumë detaje. Lidhur me këtë çështje edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm vitin e kaluar pati kritika.
Ajo kishte konstatuar se institucionet publike nuk menaxhojnë mirë me këta tenderë.
Komuna e Shtërpcës për servisimi për kohëzgjatjen 36 muaj ka dhënë tenderin në vlerën e 35 mijë euro. Kurse Spitali i Përgjithshëm në Prizren do të paguaj 29 mijë euro, për një 12 muaj, pa u dhënë detaje tjera.
Tenderët e muajit prill
Të rralla janë rastet kur institucionet tregojnë për numrin e veturave që do të servisohen ose specifikacionet tjera që lidhen me mirëmbajtjen e tyre, shkruan Gazeta Fjala.
Ministria e Financave, Ministria e Ambientit dhe Kuvendi në kontratat e fundit për servisim dhe mirëmbajtja e veturave kanë treguar llojet e automjeteve.
Për servisimin e Mercedes GJIP ML320 dhe Mercedes veturë C180, ministria e Financave do të harxhoj 51 mijë euro, për 36 muaj.
Ndërkohë që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka treguar se një veturë e tyre do të servisohet duke specifikuar llojin e veturës që është BMË dhe se asaj gjithashtu do t`i ndërrohet edhe vaji dhe ndërrimin e pjesëve të reja. Kjo do të kushtoj rreth 2 mijë euro.
Kuvendi i Kosovës, për mirëmbajtjen e e automjeteve Mercedes Benz ka ndarë 27 mijë euro për 3 vite, megjithëkëtë nuk dihet sa vetura.
Kritika nga ZAP
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm vitin e kaluar ka publikuar një raport special lidhur me tenderët për servisimin e veturave zyrtare, në të cilin ka konstatuar se institucionet publike nuk menaxhojnë mirë me këta tenderë.
Auditimi për Mirëmbajtjen dhe Riparimin e Automjeteve është kryer në pesë institucione si
Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës (Dogana), Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), dhe Ministria e Administratës Publike (MAP).
ZAP ka gjetur se asnjë nga organizatat buxhetore të audituara nuk e kishte bërë identifikimin dhe vlerësimin e nevojave bazuar në të dhënat e shpenzimeve aktuale nga vitet e mëparshme.
Sipas ZAP janë përdoruar procedura të ndryshme për të blerë artikuj të njëjtë, kishte konkurrencë të ulët dhe nganjëherë ishin aplikuar kritere të panevojshme.
“Shumica e kontratave nuk ishin ekonomike, çmime të ndryshme të furnizimit janë gjetur në Organizata buxhetore ndryshme për të njëjtin artikull dhe çmime më të larta në krahasim me çmimet e tregut. Mungesa e regjistrave, madje edhe në rastet kur ishin mbajtur, nuk ishin përdorur për ndonjë qëllim”, shkruan në raportin e ZAP të publikuar në muajin qershor.
ZAP bënë të ditur se në tre vite, 2011-2013 shpenzimet për këtë kategori në tërë sektorin publik ishin 15 milionë e 664 mijë e 172 euro.
Ndërsa në pesë Organizatat Buxhetore të audituara ishin 4 milionë e gjysmë euro.
Nuk përfillen rekomandimet e ZAP
Auditori Gjeneral për të shmangur gjetjet kishte dhënë disa rekomandime për Ministrinë e Financave.
Sipas ZAP Ministri i Financave duhet të konsiderojë që Agjencisë Qendrore të Prokurimit t’i jepet përgjegjësia e përgjithshme për prokurim të centralizuar për këto mirëmbajtje si dhe të siguroj që stafi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit specializohet në hulumtimin e tregut vendas dhe atë ndërkombëtar.
“ Duhet të kryej analiza për alternativa të tilla si lizingu veçanërisht për Organizatat buxhetore me nevoja të vogla për automjete. Konsiderojë ndryshimin e UA nr.03/2008 aktual ose nxjerrjen e një udhëzim të ri me kërkesa shtesë për mbajtjen e të dhënave mbi shpenzimet. Sigurojë që Agjencia Qendrore e Prokurimit të bëjë një shabllon për shpenzimet e mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve sipas llojit, sasisë dhe çmimit”, shkruan në rekomandimet e ZAP.
Gazeta ka kërkuar të dijë nga Ministria e Financave nëse ka marrë parasysh rekomandimet e auditorit dhe çfarë është ndërmarrë rreth tyre, mirëpo kjo ministri ende nuk ka treguar ani pse gazeta ka pritur disa ditë për përgjigje. /Gazeta Fjala/.