Milionat për rrugët e rrezikshme

Autori:Gazeta Fjala

Shoferët e pesëmbdhjetë veturave që u përfshinë në tri aksidente të ndara të dielen në Prishtinë, kanë paguar nga 40 euro për mirëmbajtjen dhe sigurinë e tyre në rrugë, momentin kur kishin regjistruar veturat e tyre.

Megjithëkëtë,  paratë që paguan bashkë me miliona euro tjera taksa të qytetarëve nuk kryen punë ditën kur bora mbuloi Kosovën.

Kompanitë e kontraktuara për të mirëmbajtur rrugët edhe pse i morën paratë, e vunë në rrezik jetën e vozitësve, duke mos i pastruar rrugët.

Kështu që nga e diela mbrëma në tërë Kosovën janë shkaktuar më shumë se 120 aksidente rrugore, 19 prej të cilave me lëndime sipas të dhënave zyrtare të policisë së Kosovës.

Nuk është hera e parë që institucionet përgjegjëse, bora i zë në befasi edhe pse është muaji janar. Madje në disa raste komunat ende nuk kanë përgjedhur kompanitë që do të merren me mirëmbajtjen diomërore të rrugëve lokale.

Gazeta Fjala, ka analizuar një pjesë të madhe të tenderëve të publikuar nga institucionet në KRPP dhe buxhetin e ndarë për ta.

Tenderët milionësh të Ministrisë së Inftastrukturës për mirëmbajtje

Vetëm për mirëmbajtjen dimërore të Autostradës Ibrahim Rugova në dy të tendere të ndara Ministria e Infrastrukturës ka ndarë 2 milion e 386 mijë e 473 euro.

Tenderi i shpallur është për mirëmbajtja Rutinë dhe Mirëmbajtja dimërore deri në vitin 2017 të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Në tenderin e parë fituese janë shpallur Famis Co  me çmimin 1 milion e 178 mijë e 744 euro dhe konsorciumi fitues Papenburg & Adriani & Toifor me 682 mijë e 520 euro.

Ndërsa për tenderin e dytë të kësaj ministrie u shpërblyen Arbotec me çmimin prej 963 mijë e 409 dhe konsorciumi Damastion Pro. & Milenium Con me 739 mijë e 366 euro.

Nga Ministria e Infrastruktures gjithashtu 14 kompani dhe konsorciume fituese ishin shpallur fituese vitin e kaluar për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale.

Ato kanë kontratë me këtë ministri për një afat tre vjeçarë.

Vetëm për regjionin e Prishtinës kjo Ministri dha kontrata që i kanë kushtuar 2 milion e 16 mijë e 897 euro.

Ndërkohë që për regjionin e Mitrovicës kjo ministri ka paguar 1 milion e 269 mijë e 809 euro. Kontrata për rrugët e regjionit të Pejës kushtoi 1 milion e 178 mijë e 617 euro.

Në Prizren për tu larguar  bora nga të gjitha rrugët regjionale do të kushtoj  prej 1 milion e 250 mijë e 359.

Për rajonin e Gjakovës u shpenzuan  1 milion e 128 mijë e 39 euro nga ministria e Infrastrukturës. Ndërsa për dy regjionet tjera Ferizaj 1 milion e 037 mijë e 519 euro dhe Gjilan 1 milion e 253 mijë e 862 euro.

Milionat e komunave për pastrimin e borës

Mbi gjysmë million euro ka ndarë vetëm komuna e Prishtinës për të mirëmbajtur rrugët gjatë kësaj sezone.

Këtë vit, sipas njoftimit në KRPP, komuna e Prishtinës ka përzgjedhur 6 kompani për mirëmbajte të rrugëve dhe trotuareve.

Kompanitë fituese janë “Dardania” , “Toifor”, “VZ Company”, “Ve mor”, “Pastrimi” dhe “Niti” &”Ledi Ing”.

“Pjesa e I-rë “Dardania” 76,128.69 euro. Pjesa e II-të “Toifor” 91,747.12 euro. Pjesa e III-të, VZ Company” 108,068.64 euro. Pjesa e IV-të, “Ve mor” 66,486.22 euro. Pjesa e V-të, “Pastrimi” 103,204.10 euro. Pjesa e VI-të, “Niti” &”Ledi Ing” 95,827.31 euro”, thuhet në njoftimin e KRPP-së.

Derisa, vlera e përgjithshme e kontratës e kap shumën e 542 mijë eurove.

Ndryshe, Komuna vitin e kaluar pati përzgjedhur katër kompani për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror. Kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në kryeqytet janë ‘Zahiri’, ‘Toifor’, ‘Euro Partners’dhe Alko Impex’.

Këto kompani ishin të kontraktuara t’i mirëmbajnë gjithsej 310 rrugë të qytetit. Ndërsa, për mirëmbajtjen e rrugëve në viset rurale të Komunës së Prishtinës, janë të kontraktuara dy kompani, ‘VZ kompani’ dhe ‘Dardania”.

Komuna e Prizrenit ka hapur kontratën për tenderin për të mirëmbajtur rrugët gjatë dimrit me 25 nëntor dhe qëndroj i hapur për pranimin e ofertave deri me 7 janar 2016.

Komuna e Ferizajt shumë heret ka filluar përgatitjet. Ajo në muajin qershor ka nënshkruar kontratë për “Mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve gjatë sezonit dimëror dhe veror në qytetin e Ferizajt”, me kompaninë “Pastërtia”.

Për mirëmbajtjen 12 mujore  ajo do të paguaj 33 mijë e 356 euro.

Kurse në dhjetor ajo për mirëmbajtja dhe pastrimi i rrugëve të fshatrave gjatë sezonit dimëror në këtë komunë ndau 978 mijë euro, për dy kompani në konsorcium,“Real company” Sh.P.K. dhe “Hajrushi”.

Për katër muaj rrjesht ato do të kujdesen për pastrimin e borës në fshatrat e Ferizajt.

Komuna e Gjilanit në dhjetor shpalli fituese kompaninë “TALI”, Vlera e përgjithshme e kontratës është 725 mijë e 498 euro.

Dy komuna tjera të mëdha, Peja dhe Gjakova nuk kanë të publikuar njoftim për dhënie të tenderve në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonës së dimrit. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/milionat-per-rruget-e-rrezikshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala