Milionat e KEDS-it pa kupon fiskal

Autori:Gazeta Fjala

Qytetarët e Kosovës duket se janë vetëdijesuar për të kërkuar pajisjen me kuponë fiskal pas çdo blerjeje të produkteve të nevojshme në biznese të ndryshme afariste.

Por ka raste kur atyre nuk u ofrohet kuponi fiskal ani pse paguajnë fatura me qindra euro. Ndonëse në bazë të Ligjit për TVSh, je i liruar nga pagesa nëse biznesi nuk të ofron kupon fiskal.

Por janë disa institucione publike në Kosovë të cilat nuk u lëshojnë qytetarëve faturën që e vërteton blerjen ose pagesën e produktit që ata e kanë bërë.

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji elektrike, KEDS, dhe ajo për Furnizim KESCO ndonëse janë kompani private që operojnë në Kosovë, që nga fillimi i vitit 2013 nuk u lëshojnë qytetarëve asnjë kupon fiskal për shërbimet që kryen.

“Lirimin” nga ky obligim kompanisë ia ka bërë një Udhëzim i Ministrisë së Financave, në të cilin thuhet se ndërmarrjet që ofrojnë shërbime të energjisë, shërbime komunale të telekomunikacionit, si dhe ndërmarrje tjera publike ,lirohen nga tatimi.

Zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës i kanë thënë Gazetës Fjala se KEDS është ndërmarrje që ofron shërbime të energjisë elektrike, sipas Udhëzimit  Administrativ Nr.01/2015 nuk obligohet te pajiset me Arke Fiskale, kështu qe për shërbimet e  kryera, pagesat bëhen ne Arkat e ndërmarrjes ose ne banke, pasi te pranojnë konsumatorët  faturat e përllogaritjes së konsumi mujor te energjisë elektriket, përmes instrumenteve matëse për energji elektrike.

Sakip Imeri, drejtor i ATK-së në një intervistë për Gazetën Fjala ka thënë se këto biznese në bazë të udhëzimit janë paraparë që të mos fiskalizohen. Sipas Imerit ato konsiderohen si biznese që ofrojnë shërbime dhe kanë matës  më specifik.

“… në këtë rast është edhe KEDSI, ose energjia elektrike, që shërbehet për konsumatorët, qytetarët, aty ka një faturim ekzakt të saktë. Nuk është qëllimi për të shitur arka fiskale, ose të pajisen me makinat fiskale, por qëllimi është që të krijojnë bazën tatimore të saktë. Ajo krijohet përmes arkave fiskale, pajisjeve elektronike fiskale dhe përmes matësve specific”, ka thënë Imeri për Gazetën Fjala.

KEDS grumbullon miliona euro nga konsumatorët që nuk u lëshon kupon fiskal

Ndërkohë që drejtori I Institutit PËR Studime të Avancuara “GAP”, ka shprehur shqetësime për mos lëshimin e kuponëve fiskal nga ana e KEDS-it. Demi ka thënë se shteti po i diskrimion bizneset e vogla karshi kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji elektrike, KEDS

“KEDS grumbullon me qindra miliona euro nga konsumatorët kosovarë dhe nuk lëshon kupon fiskal. Nëse se paguan, jet pa rrymë. E shteti i bie ne qafë naj shitores së vogël për mungesë të arkës fiskale. Ka disa muaj që Ministri i Financave ka deklaru se së shpejti ATK do dal me një qëndrim, por ende nuk ka asnjë shpjegim se përse KEDS nuk lëshon kupon fiskal?”, ka thënë Agron Demi.

E njohësit e çështjeve të ekonomisë  hedhin dyshime për udhëzimin, ata thonë se me këtë udhëzim Qeveria po e favorizon KEDS-in.

Visar Azemi nga Koncorciomi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, KOSID, thotë se KEDS, është kompani private dhe si e tillë, sipas tij duhet të lëshoj kuponë fiskalë dhe te trajtohet si çdo kompani tjetër private.

“ KEDS është tani kompani private dhe si e tillë duhet të trajtohet. Nuk mund të behën lëshime ndaj saj. Kjo kompani ofron shërbime për qytetarët për nuk është kompani publike. Të gjitha mjetet e grumbulluara shkojnë në buxhet të KEDS dhe jo në ndonjë buxhet publik”, ka thënë ai.

Ndarkaq ATK ka treguar se kjo ndërmarrje që ofron shërbime të energjisë elektrike për shërbimet e kryera, pagesa bëhet përmes dorëzimit të faturave të përllogaritjes së konsumit përmes instrumenteve matëse për energji elektrike.

Kuponë Fiskal nuk  lëshon as Kompania e Ujësjellësit Rajonal”Prishtina”.  Në përgjigjen me shkrim për Gazetën Fjala, Arjeta Mjeku, zyrtare për media në KUR “Prishtina”, ka thënë se Ujësjellësi Rajonal  për çdo muaj lëshon fatura për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, për të gjithë ata të cilëve u ofron shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit.

“…në bazë të ligjeve të ATK-së, ne si kompani jemi 100% konform atyre ligjeve. Këto ligje neve nuk na obligojnë të lëshojmë kuponë fiskal sepse ne lëshojmë fatura për të gjithë konsumatorët. Nëse ne lëshojmë kuponë fiskal bëjmë shkelje ligjore dhe ua dyfishojmë faturimet konsumatorëve”, ka thënë Mjeku. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/milionat-e-keds-it-pa-kupon-fiskal/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala