Milionat e buxhetit në paga e luks

Autori:Gazeta Fjala

 

Krerët më të lartë të shtetit, duket se nuk e kanë ndërmend të kursehen nga shpenzimet e luksit, për punën që ata e bëjnë.

Të deleguarit e shtetit, si presidenti, kryeministri, kreu i Kuvendit, e deputetët vetëm për gjashtë muaj e ardhshëm të këtij viti pritet të harxhojnë milionat nga fondi i shtetit për paga dhe mëditje, si dhe shërbime tjera,  shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkohë që Kuvendit të Kosovës, për këtë vit, pritet ti rriten shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve, ndryshe siç ishte parashikuar në janar kur edhe ishte miratuar buxheti.

Ministria e Financave, në janar kur edhe kishte marrë vendimin për të planifikuar shpenzimet buxhetore të nivelit qendror, kishte vendosur që të ndaj 9 milionë e 174 mijë e 515 euro, për harxhimet e Kuvendit, mirëpo vetëm pas rishikimit të buxhetit, shuma ishte rritur, raporton Gazeta Fjala.

9 milionë e 389 mijë e 515 euro, është shuma , e cila është ndarë për shpenzimet e Kuvendit, pas rishikimit të  buxhetit. Kështu duket se i ka matur financat e saj kjo Ministri.

E në rishikimin e buxhetit të aprovuar në qershor të këtij viti, shihet se shpenzimet e Kuvendit për mallra e shërbime janë rritur në 1 milionë e 703 mijë euro , ndryshe nga 1 milionë e 688 mijë, sa ishin në buxhetin fillestar.

Edhe tek zyra e presidentit Hashim Thaçi, është planifikuar rritje e buxhetit në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

770 mijë ishte shuma e paraparë për shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve në zyrën e presidentit Thaçi, mirëpo pas rishikimit të buxhetit këto shpenzime janë rritur për 986 mijë euro, raporton Gazeta Fjala.

Mustafa i rrit shpenzimet Hoti i ul

Ndërkohë që zyra e Kryeministrit Isa Mustafa, pritet ti rrit shpenzimet e luksit. Totali i shumës që kryeministri pritet të shpenzoj bashkë me kabinetin e tij për këtë vit, është 12 milionë e 366 euro ndryshe nga 11 milionë e 801 mijë euro, sa ishte në fillim të janarit.

Ministria e Financave, e cila merret vet me planifikimin e buxhetit, ka vendosur ta sakrifikoj vetën, duke i ulur kështu shpenzimet e buxhetit të saj, shkruan Gazeta Fjala.

Ministri Avdullah Hoti, duket se është bërë pishman të harxhoj shumën prej 28 milionë eurosh sa e kishte planifikuar në janar, sepse pas rishikimit të buxhetit ai kishte zbritur këtë shumë në 25 milionë euro.

Njejtë është vepruar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Shpenzimet e përgjithshme që ishin paraparë të kapnin shifrën prej 55 milionë eurosh, pas rishikimit buxhetor janë zbritur në 52 milionë euro për këtë ministri.

Ndryshe, nga dy ministritë paraprake, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Hykmete Bajrami, i ka rritur kërkesat e saj për shpenzime. Në janar rreth pesë milionë e 97 mijë, kanë qenë planifikimet fillestare të kësaj ministrie.

Mirëpo, pas gjashtë muajash, kjo Ministri ka marrë vendim të rris planifikimet për shpenzime, në 5 milionë e 419 euro.

Edhe ministria e cila u siguron mbijetesën nga skemat sociale qytetarëve, ka rritur planifikimet buxhetore pas rishikimit. 358 milionë e 292 mijë euro ishin paraparë të shpenzoheshin për këtë ministri. Ndërkaq pas rishikimit buxhetor, 365 milionë e 998 euro, do të jetë shuma në dispozicion të kësaj Ministrie.

Ministria e Skender Hysenit, nuk do të mundet ti gëzohet rritjës së shpenzimeve. Pasi kësaj të fundit, pas rishikimit buxhetor, i janë ulur planifikimet buxhetore të parapara, prej 109 milionë e 123 mijë eurosh. 106 milionë e 493 euro, është shuma e tanishme që kjo Ministri ka në shfrytëzim.

Për projekte kursehen para

Pavarësisht, rritjes buxhetore, ministria e Hykmete Bajramit, ka rritur edhe nevojat e saj për projekte. 2 projekte i janë shtuar kësaj ministrie.

Blerja e një laboratori mobil si dhe Ndertimi Objektit te Agjensionit të zhvillimit të bujqësise  do ti kushtoj kësaj ministrie, 770 mijë euro.

Ndërkaq Ministrisë së Infrastrukturës me rishikim të buxhetit, i janë ulur shpenzimet e parapara për investimet rrugore. Kështu për mirëmbajtjen e autostradës Morinë-Merdarë, në buxhetin fillestar ishin ndarë dy milionë euro.

Mirëpo, me rishikimin e buxhetit shpenzimet për investimet e parapara janë ulur në 1 milionë e 663 mijë euro, raporton Gazeta Fjala.

Kjo ministri planifikon të shpenzoj miliona euro në ndërtimin  dhe mirëmbajtjen e urave si dhe zgjerimin e asfaltimin e rrugëve.

Ndërkohë edhe Ministria e Kulturës e udhëhequr nga Kujtim Shala, do të ketë ulje të shpenzimeve. Këto ulje kryesisht do të jenë në ndërtimin e palestrave sportive në disa qytete të Kosovës.

Mirëpo kjo ministri nuk do të kursehet të shpenzoj buxhetin e shtetit, pas pranimit të Kosovës, në organizmat ndërkombtarë të futbollit.

Vetëm për renovimin e stadiumit “Adem Jashari”, MKRS, pritet të shpenzoj 290 mijë euro, ndryshe nga 110 mijë euro sa ishin ndarë me miratimin buxhetor.

E për ndërtimin e stadiumit kombëtar të futbollit në Prishtinë, shpenzimet pritet të ulen nga 3 qind mijë sa ishin fillimisht në dy qind mijë euro.

E veteranëve duket se  nuk po i ecën mirë bashkëpunimi me Ministrinë e Punës. Kjo ministri e ka ulur buxhetin e saj për përfundimin e qendrës së veteranëve në Klinë, do të shpenzoj vetëm 57 mijë euro nga 150 mijë sa ishin të planifikuara në buxhetin fillestar.

Kështu buxheti i shtetit, duket se ka shënuar ngritje.

Pavarësisht uljeve të shpenzimeve në disa institucione shtetërore, parashikimi i buxhetit në total është rritur për 33 milionë euro, kjo në vlerë totale arrin shumën e 1 miliardë e 635 milionë eurove. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/milionat-e-buxhetit-ne-paga-e-luks/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala