MFSK dhe Policia 6 milionë euro Katanës

Autori:Avdyl Pajaziti

 

Poligoni i shenjëtarisë “Katana”, me bazë në Obiliq, që nga viti 2013 ka fituar  rreth 6 milionë euro nga disa tenderë të institucioneve të sigurisë.

Tenderë më së shumti ka fituar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjithsej 5 tenderë në vlerë prej 4. 3 milionë eurove. Kurse nga Policia e Kosovës ka marrë dy tender.

Mediat patën raportuar për “miqësinë” mes drejtuesve të FSK-së dhe biznesit Katana gjatë mandatit të Agim Çekut si ministër.

Themeluesi i “Katanës”,  tani kryetar i Obiliqit Xhafer Gashi, kishte qenë përgjegjës për sigurinë e Agim Çekut në kohën kur ai ishte kryeministër, shkruanin mediat.

Një  njësi e Poligonit “Katana”, saktësisht Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve ka qenë i udhëhequr nga ish-zëvendësministri i FSK-së Bejtush Gashin.

Ish zëvendësministri Gashi në biografinë e tij shkruan se ai aty ishte drejtor  nga viti 2007-2011.

Kështu “Katana”  ishte shpërblyer me tender edhe gjatë mandatit të Agim Çekut si ministër i FSK-së.

Tenderi i parë që ajo e fitoi në MFSK ishte ai i tetorit të 2013-ës.  Katana për të  furnizuar me uniforma FSK-në mori tenderin me vlerë prej mbi 1.2 milionë eurosh.

Në muajin maj 2014 tenderi për Furnizimi  me municion, u mbyll me vetëm një operatorë për 24 muaj e kjo kompani del të jetë Poligoni Katana.

Vlera e përgjithshme e saj bazuar ne çmimin për njësi ishte 414,000.00€ me te gjitha taksat e aplikueshme.

Blerja e tri autoblindave të blinduar nga Ministria e Forcës së Sigurisë nuk kaloi nëpërmjet një procedure të hapur.

Kjo ministri tenderin që peshon mbi 1 milionë  e 490 mijë euro duke aplikuar procedurë të negociuar, ia dha Poligonit Katana vetëm disa muaj pas tenderit të parë që kishte fituar atë vit.

Në tetor 2014 Katana prej MFSK fitoi tenderin tjetër për Furnizim me Municion manovrues dhe luftarak për nevoja të FSK-së me vlerën 200,000.00  euro.

Katana vazhdoi të shpërblehet nga kjo ministri edhe në vitin 2015.

Poligoni i shenjëtarisë “Katana”, në gusht të këtij viti është shpërblyer me tenderin “Furnizim me Municion “, i cili parasheh furnizimin edhe për vitin e ardhshëm.

Për vitin fiskal 2015  vlera e kontratës është  438 mijë euro kurse për vitin fiskal 2016 vlera e kontratës arrin  1 milion euro, raporton Gazeta Fjala.

Institucioni tjetër i sigurisë që i besoi tenderët e saj poligonit Katana është Policia e Kosovës.

Policia i ka dhënë dy tenderë kësaj kompanie. Vlerat e tyre e përgjithshme është 1. 4 milionë euro.

Në shtator të vitit 2013, Katana fitoi tenderin e Policisë së Kosovës për Furnizim me Video regjistrues , në vlerën prej 9 mijë e 956 euro.

Kurse këtë muaj policia e Kosovës  dha tenderin për Furnizimi me topa uji për policinë e Kosovës, për kohëzgjatja e Kontratës: me çmimin 1.428.960,00 € për një periudhë  36-muaj.

Agron Jusufi, njëri nga dy pronarët e kompanisë “Katana” pati thënë  për media se licencën për tregti dhe shitje armësh e ka marrë në fund të vitit 2010.

“Armët e para i kemi importuar me 3 maj 2011”, thotë Jusufi për Gazetën Jeta në Kosovë. “Tash armëve nuk iu referohemi si dardha e molla”.

Jusufi thotë se importin e armëve kryesisht pistoleta dhe të tjera të gjata e bënë nga Çekia, Bullgaria, Kroacia e  Turqia.

“Tash jemi duke pritur një kontingjent armësh nga SHBA dhe Austria”, thotë Jusufi. “Fishekë importojmë nga Turqia, Bosnja e Hercegovina, Çekia, Shqipëria e Bullgaria”./ Gazeta Fjala/.

 

 

 

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/mfsk-dhe-policia-6-milione-euro-katanes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala