Mesazhi i Parisit për sigurinë e Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Derisa bota vazhdon të jetë e tronditur nga sulmi terrorist i së premtes në Paris, tre kosovarë u arrestuan të dielën në tentim që t’i bashkoheshin grupit terrorist ISIS në Siri.  Të arrestuarit, ndër ta edhe një femër, ishin zënë nga autoritetet turke, shtet që ndodhet në kufi me Sirinë, dhe u janë dorëzuar autoriteteve kosovare.

Në Kosovë, ata do t’i bashkohen një numri të konsiderueshëm të kosovarëve, të cilët kanë marrë pjesë në këto luftëra, apo që dyshohet se kanë ndihmuar në ndonjë mënyrë këtë kauzë.

Sipas autoriteteve përgjegjëse të sigurisë në vend, një pjesë e tyre kanë vazhduar jetën e qetë pas kthimit nga zonat e luftës, por ka edhe nga ata të cilat janë radikalizuar edhe më shumë dhe për më tepër janë të trajnuar ushtarakisht.

Për këtë arsye, njohës të çështjeve të sigurisë tërheqin vërejtjen se Kosova vazhdon të konsiderohet si vend jo shumë i sigurt.

Sipas tyre, autoritetet e sigurisë duhet të punojnë më shumë drejt përmirësimit të disa aspekteve që lidhen me sigurinë dhe luftën ndaj terrorizmit.

“Kosova ka një numër të madh të pjesëmarrësve në luftërat e Sirisë dhe ky është indikacion shumë serioz që është vlerësuar edhe prej vendeve evropiane, e që e kanë vlerësuar situaten e sigurisë së Kosovës si pjesërisht të sigurt,“ thotë Bashkim Zeqiri, njohës i çështjeve të sigurisë, duke iu referuar një raporti të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Sipas Zeqirit, Policia e Kosovës është “duke kryer një punë të mirë”, edhe pse sipas tij, asaj i mungojnë resurset operative.  Në anën tjetër kërkon angazhim më ta madh të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

“AKI në këtë çështje duhet të zhvillohet shumë dhe sipas situatës së vlerësuar mungon gatishmëria e tyre në monitorim dhe parandalim e komunikmit informacionit dhe internetit,” thotë ai.

“Në çështjet e sigurisë nuk ka vend për vetkënaqësi ngase grupet terroriste kanë sfiduar institucionet e sigurisë më të forta botërore.”

Kosova cak terrorist

Të premtën mbrëma, rreth 130 persona humbën jetën në Paris dhe rreth 300 mbetën të lënduar në gjashtë sulme të ndara terroriste. Përgjegjësine për këtë akti e ka marrë organizata terroriste ISIS.

Kohë më parë, edhe Kosova ishte paralajmëruar si cak terrorist nga pjesëtarë të ISIS-it përmes një video-inçizimi që ka qarkulluar në internet.

“U dërgoj një mesazh të gjithë atyre që adhurojnë zotat e tjerë por jo Allahun, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, dhe në të gjithë Ballkanin.  Mos harroni për zullumet që po ju bëni myslimanëve…Vallahi do të vijnë ditë të zeza për ju,” thuhet në këtë inçizim.

Gazeta Fjala ka dërguar disa pyetje Policisë së Kosovës për të pyetur nëse Kosova është e gatshme të përballojë sulmet eventuale terroriste, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje ndaj interesimit të gazetës.

Në ndërkohë, të hënën Kryeministri i Kosovës Isa Musatafa ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së Kosovoës ku u shqyrtua gjendja e sigurisë pas këtyre ngjarjeve, ku është bërë e ditur se është shtuar vigjilenca e përgjegjësve të sigurisë në vendet publike.

Vendi i rekrutuesve të ISIS-it

Që nga shpërthimi i luftës qytetare në Siri në vitin 2011,  mbi 300 kosovarë kanë qenë pjesëmarrës në këto luftëra, ndërsa afër 50 kanë humbur jetën.

Sipas një hulumtimi të Qendrës Kosovarë për Studime të Sigurisë (QKSS) të publikuar në prill të këtij viti,  “në aspektin e numrit të luftëtarëve të huaj për kokë banori, Kosova ka 125 luftëtarë të huaj për kokë për një milion banorë, duke e bërë atë vendin e parë në renditje në mesin e 22 vendeve të listuara [evropiane]”.

Kosova pasohet nga nga Bosnja me 85, Belgjika me 42, dhe Shqipëria me 30 rastet e luftëtarëve të huaj per kokë banori për një milion popullsi, thuhet në raport.

Raporti i QKSS-së konstaton se ka një varg çështjesh që e lehtësojnë ekztremizimin e dhunshëm radikal në Kosovë, e që ndër të tjera përfshinë kushtet e vështira ekonomike, izolimi, arsimi i dobët e të tjera.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, kishte pranuar në gusht të këtij viti se Kosova është vend origjine i luftëtarëve të huaj.

“Fatkeqësisht Kosova është vend i origjinës i luftëtarëve të huaj dhe atë në bazë të statistikave për kokë banori kjo çështje është shumë serioze dhe kjo është arseja se pse kaq seriozisht po merremi me këtë punë”, ka thënë Hyseni.

Derisa numri i të arrestuarve si pjesëmarrës në luftëra është i lartë, Bashkim Zeqiri po ashtu ka shtruar nevojën e risocializimit të tyre.

“Përvoja në të kaluaren tregon që pjesëmarrësit në lufta kanë prirje dhe predispozita për tju rikthyer luftrave duke u nisur nga shumë elemente sociale dhe ekonomike.  Mos integrimi i mjaftueshëm në shoqëri dhe jo stabiliteti ekonomik apo arsyeje tjera ndikojnë në rikthimin e luftëtarëve në zonat e luftërave apo veprimeve luftarake. /Gazeta Fjala/

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/mesazhi-i-parisit-per-sigurine-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala