Mbikalimet si dekor

Autori:Gazeta Fjala

Në shtator të vitit të kaluar kishte ndodhur një aksident trafiku tek vendi i njohur si “Te Rrethi”, në Prishtinë ku ishin lënduar të paktën 11 persona, disa prej tyre këmbësorë që ishin duke kaluar zebrat në atë zonë.

Ishte pikërisht ky vendi në të cilin Qeveria e Kosovës para disa viteve kishte investuar rreth 18 mijë euro në mbikalimin e vetëm në kryeqytet.

Por pavarësisht ndërtimit të tij, ky mbikalim tash e disa vite ka mbetur jo-funksional.

Albana Syla, studente në Prishtinë thotë se nuk e përdorë shpesh këtë mbikalim.

“Njëherë kam kaluar nga ky mbikalim. Madje këtë e kam bërë nga kureshtja e jo nevoja”, ka thënë ajo.

Ndërkohe shkallët e këtij mbikalimi po paraqesin problem për të moshuarit e kryeqytetit.

Hyra Dushi, pensioniste thotë se e ka të pamundur që të ngjitet në shkallët e këtij mbikalimi.

“Unë nuk mundem meu ngjitë në gjithë këto shkallë. Si te ngjitem unë me shtage”, tregon kjo e moshuar.

Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti thotë se edhe pse janë investuar mijëra euro në këtë mbikalim, ai nuk po shfrytëzohet nga qytetarët. Lidhur me këtë çështje kjo komunë ka deklaruar se janë duke I shfrytëzuar disa mundësi për jetësimin e tij.

“.. në këtë mënyrë që të funksionalizimet në tërësi dhe të shfrytëzohet në kapacitet të plotë, Komuna e Prishtinës është duke shqyrtuar disa mundësi. Në këtë mënyrë do të ofrohet më tepër siguri në lëvizjen e të gjithë këmbesorëve pa dallim, por edhe do të lehtësohet rrjedha e trafikut në këtë pjesë të qytetit”, ka thënë Erzen Vraniqi nga zyra për informim në komunën e Prishtinës.

E ndërkohë organizata që mbikëqyr punën e Komunës së Prishtinës, ‘Mileniumi I Ri”, thotë se mbikalimi tek shkolla ‘Ali Sokoli’ në Prishtinë ka dështuar.

Nehat Bllacaku nga kjo organizatë ka thënë për Gazetën Fjala se duhet gjetur metoda për funksionalizimin e këtij mbikalimi.

“..ka zgjidhje vendosja e ashensorit brenda, në fakt hapësira ekziston për një gjë të tillë. Komuna duhet të gjej metoda për të bërë atraktiv dhe funksional jo vetëm këtë mbikalim por në përgjithësi investimet për nënkalime dhe mbikalime”, ka thënë Bllacaku.

E në Prishtinë ekzistojnë 6 nënkalime dhe një mbikalim. Nga 6 nënkalime 3 janë të mëdha dhe 3 janë të vogla. Komuna e Prishtinës është duke e bërë studimin e fizibilitetit per modelin e partneritetit publiko-privat, ashtu siç është duke funksionuar nënkalimi te ndërtesa e KEDS-it.

“..në këtë mënyrë, nënkalimet do të bëhen më të sigurta, me atraktive për qytetare por edhe mirëmbajtja e tyre do te jete në nivel shume më të mirë”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/mbikalimet-si-dekor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala