Mashtrimi me shifra të papunësisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Agjencia e Statistikave të Kosovës po i ndihmon goxha shumë Qeverisë së Kosovës në manipulimin me shifrat e papunësisë.

Në anketën e fundit të fuqisë punëtore thuhet se zyrtarisht 32.9 për qind e qytetarëve janë të papunë nga 35.3 për qind sa ishin një vit më parë.

Ndërkohë që papunësi ka shënuar rënie bazuar në të dhënat e ASK, numri i qytetarëve “jo të aftë” për punë del të jetë rritur.

Sipas njohësve të ekonomisë, ASK po mashtron me shifra duke i hequr mbi 48 mijë qytetarë nga tregu i punës për të zvogëluar shkallën e atyre që kërkojnë punë.

Përderisa në vitin 2014 sipas ASK-së 41.6 për qind, apo 500,251 qytetarë ishin aktiv për punë, një vit më vonë ky numër ka rënë në 452,135 qytetarë aktiv, shkruan Gazeta Fjala.

Gazeta ka llogaritur të dhënat e publikuara nga ASK dhe shihet se në rezultatet e anketës së fundit ky institucion ka rritur përqindjen e qytetarëve jo aktiv për punë në 62.4 për qind, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Qeveria hoqi nga tregu i punës 48 mijë qytetarë

Kthyer në shifra reale i bie se Qeveria e Kosovës përmes ASK-së i ka hequr nga tregu i punës 48,116 qytetarë për një vit ndërsa i ka punësuar më pakë se 8 mijë veta.

Bazuar në këtë nga 1.2 milionë kosovarë në moshë pune (15-64 vjet), të regjistruar nga Agjencia e Statistikave, 750 mijë persona qeveria i vlerëson të “pa aftë për punë”,shkruan Gazeta Fjala.

Lumir Abdixhiku nga instituti Riinvest vlerëson se numrat final të papunësisë të prezantuar nga ASK nuk paraqesin gjendje reale të të papunëve.

“Vetëm pse një kalkulim i trajton si joaktiv mbi 62.4% të popullsisë, nuk do të thotë se të njëjtit janë të tillë. Pra problemet sociale të papunësisë janë shumë më të rënda se çfarë është paraqitur në këto kalkulime”, thotë Abdixhiku.

Ai porositë që secila qeveri e secila politikë ekonomike t`i marrë parasysh këto fakte “në të kundërtën operon me numra të pasaktë”.

As Ibrahim Rexhepi nga STRAS nuk pajtohet me shifrën e rritur të njerëzve joaktiv për punë.
Ai thotë se nëse këta qytetarë kanë hequr dorë prej përpjekjes për të kërkuar punë nuk duhet të llogaritet si të paaftë për punë.

“Ata janë të aftë por nuk kërkojnë punë. Duhet pasur parasysh se brenda një periudhe nëse ai është i pa aftë për punë ai nuk mund të trajtohet si i pa punë, ai është mandej rast tjetër është rast social”, tha Rexhepi.

Ekspertët e ekonomisë nuk i besojnë ASK-së

Nga ana tjetër ekspertët e çështjeve ekonomike i kundërshtojnë shifrat e Agjencisë së Statistikave, pasi sipas tyre ato nuk pasqyrojnë gjendjen reale në vend.

Lumir Abdigjiku thotë të ketë ngritur shpeshherë vërejtje për mënyrën se si ASK llogaritë aktivitetin e fuqisë punëtore.

Sipas Abdigjikur përderisa sipas llogaritjeve të ASK-së del se Kosova ka plot 62.4 për qind të popullsisë së moshës së punës si të papunë, kjo shifër e vë Kosovën në top 5 vendet në botë për nga norma e jo aktivitetit “diçka e pabesueshme dhe jo përkuese me karakteristikat e Kosovës”.

“Konsideroj se rajoni në të cilën gjendet Kosova – pra shtetet fqinje – kanë normë joaktive në mesatare nën 50 për qind”, deklaroi Abdigjiku.

Edhe Ibrahim Rexhepi thotë se ka dyshime në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovs, pasi siç thotë ai ajo nuk ka qenë konsistonte edhe nuk ka arrit të krijoj besueshmëri në statistikë dhe në prezantimin e situatës siç edhe është.

“ASK me së shumti i përmbahet disa standardeve që aplikohen nëpër botë kryesisht në BE, sesa që merret me pasqyrimin real të gjendjes në Kosovë. Kështu që edhe çështja e popullsisë aktive edhe çështja e punëkërkuesve apo shkallës së papunësisë është më shumë produkt i llogarive matematikore apo produkt i anketave dhe modaliteteve që përdorë statistika se sa pasqyrim i gjendjes reale”, deklaron Rexhepi.

Rexhepi i cili beson se edhe Ministria e punës dhe Mirëqenies sociale i ka shifrat e njëjta për punësimin dhe papunësinë thotë se Agjencia duhet të veproj si e pavarur e jo të ndikohet.

“Nëse ASK është nën ndikimin e qeverisë apo në ndikimin e kujtdo qoftë prej atëherë është më mirë të mbyllet sesa të funksionoj kështu, pasi që agjencia duhet të jetë e pavarur, profesionale besueshme dhe duhet të merret me problematikën krejtësisht në mënyrë të pavarur”, tha Rexhepi./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/mashtrimi-me-shifra-te-papunesise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala