Marrëveshja e fshehtë e Doganës për banderola

Autori:Gazeta Fjala

 

Kompanitë importuese të duhanit dhe pijeve alkoolike kanë paguar dyfish më shtrenjë banderolat për këto produkte, sherri i një marrëveshje të fshehtë që Dogana e Kosovës kishte lidhur me kompaninë furnizuese të cilës i kishte skaduar kontrata e rregullt.

Gazeta Fjala mëson,  se kompania që ka bërë këtë furnizim ka qenë “De Larue”, nga Anglia.

“Dizajni, elementet e sigurisë dhe kualiteti i banderolave sipas kontratës së re janë identike me kontratën bazë, ndërsa çmimet ishin dyfish më të larta, psh. çmimi i banderolave me kontratë të re është 4€/1000 … me ndërsa çmimi sipas kontratës së parë ishte 2€/1000”, thuhet në raportin e auditorit.

Kjo nuk ishte bërë publike, sipas auditorit.

“Pas skadimit të kontratës publike kornizë me kohëzgjatje prej 36 muaj për Furnizim me banderola për duhan dhe pije alkoolike, DK me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ka nënshkruar kontratën e re njëvjeçare me të njëjtin Operator Ekonomik (OE), mbi të njëjtat specifikime/termat e referencës si në kontratën publike kornize paraprake”, ka gjetur auditori, shkruan Gazeta Fjala.

Në Doganën e Kosovës, thonë se përgjegjësinë e mban komisioni rregullativ i prokurimit publik, i cili ka qenë i obliguar të mos e publikoj kontratën.

“DK ka qenë në proces të tenderimit me procedurë të hapur por me rastin e anulimit të tenderit, DK me aprovim të KRPP ka qenë e obliguar ta përdor procedurën e negociuar pa publikim të kontrates (151) që është konform LPP”, thotë për Gazetën Fjala, Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Doganë.

Stavileci thotë, se për shkak të nevojës për tu furnizuar me banderola për duhan, kompania ka qenë në proces të furnizimit për tre vite rresht me kompaninë e njëjtë, e cila i ka plotësuar kriteret e këtij institucioni.

Sipas tij, nëse dogana do të vendoste ta ndërronte operatorin, atëherë buxheti do të dëmtohej më së shumti.

“Nëse ndërrohet OE do të  shkaktonte vonesa dhe buxheti i  Kosoves kishte me pesuar më së shumti,kur dihet sa e mbush buxhetin importimi i duhanit. Vlen të ceket se kjo kontratë është nënshkruar vetëm për një sasi të caktuar për të dalë nga kjo situate dhe derisa të perfundohen procedurat e rregullta të ritenderimit”, ka sqaruar Stavileci.

Gazeta Fjala, mëson se kompania që ka bërë këtë furnizim ka qenë angleze “De Larue”, derisa tani tenderi pastaj është fituar nga një kompani lituaneze “Garssu Pasaulis”.

“Dogana ka shpallur tender, është anuluar dhe hapesira që ka mbetur në mes të ri-shpalljes dhe tenderit të vjetër është mbuluar vetëm që të mos rrezikohet tregu nga duhani pa banderola nga kjo kontratë kornizë me aprovim paraprak te KRPP dhe pasi ka përfunduar tenderi  është shpallur fituesi nga Lituania ”Garssu pasaulis”, deklaron Stavileci. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/marreveshja-e-fshehte-e-doganes-per-banderola/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala