Loja me kredinë milionëshe për 51 autobusët e kryeqytetit

Autori:Gazeta Fjala

Blerja e 51 autobusëve të rinj në Komunën e Prishtinës ka dal të jetë ‘mollë sherri’ në mes të këtij institucioni dhe nivelit qendror të Kosovës.

Komuna e Prishtinës, që drejtohet nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, kohë më parë ka hapur tenderin për blerjen e 51 autobusëve të rinj me anë të së cilëve do ta zbuste kaosin në trafikun e kryeqytetit.

E që këta atutobusë të qarkullojnë nëpër rrugët e  Prishtinës,  duhet të merren rreth 10 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Por marrja e kësaj kredie nuk mund të bëhet pa u dhënë drita e gjelbër në Kuvendin e Kosovës nga ana e deputetëve dhe nënshkrimit të kontratës nga Ministria e Financave që drejtohet nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë për Gazetën Fjala se për marrjen e kësaj kredie duhet të miratohet Marrëveshja për kredi nga  BERZH-a me dy të tretat nga Kuvendi i Kosovës pra ku duhen edhe votat e opozitës.

Për autobuëst duhet edhe vota e opozitës

E janë katër seanca që janë zhvilluar në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës në të cilat nuk ka marrë pjesë opozita, duke lënë peng kështu edhe miratimin e marrëveshjes për marrjen e kredisë 10 milionëshe  nga BERZH-i që do t’i hynte në punë komunës së Prishtinës.

“Marrëveshje për kredi nga  BERZH-a duhet të miratohet me dy të tretat nga Kuvendi i Kosovës pra ku duhen edhe votat e opozitës’, ka thënë Shahini.

Por pavarësisht kësaj Shahini thekson se me 16 shtator të vitit të kaluar nga Komuna dhe Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban”, që ta autorizojë drejtorin e ndërmarrjes për nënshkrimin e kredisë.

“Deri më tani Ministria e ka pranuar vetëm një autorizim për drejtorin e kësaj Kompanie i cili është lëshuar nga Bordi i Aksionareve dhe nuk ka pranuar dëshmi për një autorizim të tillë të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, ka thënë ai.

“Gjithashtu, gjatë kohës së planifikimit të buxhetit 2016 me vlerësimet për 2017 dhe 2018, Komuna nuk e ka përfshirë një zë buxhetor i cili do të shërbente në rast të dështimit të ri-pagesës së kredisë dhe as nuk ka kaluar në asamblenë Komunale për miratim si dhe nuk është  miratuar as edhe tarifa e biletave, dhe as zotimi nga Komuna e Prishtinës se do të garantoj kredinë e ndërmarrjes së saj”, ka shpejguar zëdhënësi në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini.

Komuna në pritje të nënshkrimit

Për këto ngecje Komuna e Prishtinës fajtor e bënë Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për vonesën e nënshkrimit për të dhënë garancinonin e sovranitetit.

Zëdhënësja e kësaj komune, Miranda Mullafazliu ka thënë për Gazetën Fjala ka thënë se Komuna e Prishtinës është në pritje të nënshkrimit të gradacionit, për çfarë sipas komunës nuk ka pasur asnjë pengesë, dhe se tani ka filluar procesi i tenderimit ndërkombëtar për blerjen e 51 autobusëve

Mullafazliu ka bërë të ditur se komuna e Prishtinës ka përfunduar të gjitha proceset dhe se raporti tashmë i është dërguar BERZH-it.

“….tani që kanë përfunduar te gjitha procedurat, prej tetorit 2015, blerja e autobusëve  varet kryekëput nga nënshkrimi i Ministrit. Komuna e Prishtinës  ka marrë ftesë nga Ministri i Ekonomisë  dhe Financave pas takimit të tij me drjetoreshën e BERZH-it në Londër për të sqaruar për telashet që qenkan para nënshkrimit të këtij garancioni të sovranitetit”, ka thënë Mullafazliu.

Ndërkohë që Ministria e Financave ka shpjeguar se Ministri Hoti ka ftuar kryetarin e Prishtinës në takim për të mundësuar zhbllokimin e proceseve dhe për ta njoftuar se procedurat e prokurimit kanë avancuar përkundër faktit se kredia nuk është nënshkruar ende.

“Prandaj nuk është bllokuar aspak nga Ministria e Financave por neglizhenca është te Komuna e Prishtinës”, ka thënë Shahini për Gazetën Fjala.

Ndërkohë që duhen 90 deri në 120 ditë prej momentit të nënshkrimit të garancionit të Ministrit deri të ardhja e autobusëve të trafikut urban në Prishtinë./Gazeta Fjala/.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/loja-me-kredine-milioneshe-per-51-autobuset-e-kryeqytetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala