Llogaritë e kontestuara të Ministrit Hoti

Autori:Gazeta Fjala

Kur po afrohet fundi i vitit 2015, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka paraqitur parashikimet e të hyrave nga Dogana e Kosovës për këtë vit.  Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se gjatë këtij vitit Dogana e Kosovës pritet të mbledhë gjithsej 946 milionë euro.

Sipas tij, kjo përbën 55 për qind të “të hyrave të përgjithshme në buxhet, përfshirë edhe të hyrat nga huamarrja jashtë dhe brenda.”

Por, shifrat e ofruara nga Ministri Hoti po kontestohen nga njohës të çështjeve ekonomike.

Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), thotë se pjesëmarrja e të hyrave nga dogana në buxhetin e shtetit është më e madhe se ajo që thotë Ministri Hoti.

“Nëse keni parasysh të hyrat e përgjithshme në buxhet, e që është një miliard e 535 milionë euro, atëherë pjesëmarrja e doganës në buxhetin e shtetit është afër 62 për qind”, thotë ai.

Edhe këtë vit, buxheti i shtetit ka vazhduar që të mbushet kryesisht nga dy institucione: Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).  Por, sipas Rexhepit, nëse fokusohemi vetëm tek tatimet – duke lënë kështu anash burime tjera të mbushjes së buxhetit si kreditë dhe donacionet –  del se përqindja e të hyrave nga dogana është shumë më e madhe krahasuar me tatimet që shteti i Kosovës arrin të mbledhë gjatë një viti.

“Kjo shihet qartë kur kemi parasysh se të hyrat nga tatimet [në përgjithësi] janë 1 miliardë e 279 milionë euro, ndërsa vetëm nga dogana janë 946 milionë euro. Raporti ndërmjet këtyre shifrave tregon se kontributi i doganave në të hyrat në buxhet është 73.9 për qind”, ka sqaruar ai.

Gjatë vitit 2014, Dogana e Kosovës kishte arritur që të siguronte 871 milion euro, që është për rreth 40 milionë euro më shumë se në vitin 2013.

Gazeta Fjala i ka dërguar pyetje edhe Doganave të Kosovës për të marrë informata shtesë rreth kësaj çështje, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Shteti dështon të sigurojë të ardhura tjera përveç doganës

Ministri Avdullah Hoti, përmes postimit të tij në Facebook, lavdëroi punën e zyrtarëve doganor, që sipas tij rrezikojnë jetën për të kryer funksionin e tyre.

“Zyrtarët doganorë çdo ditë po përballen me rrezikun që vjen nga kontrabanda e mallrave, rrezik që përfshinë edhe jetën e tyre. Këta zyrtarë meritojnë mirënjohjen e secilit qytetarë për angazhimin e tyre në funksion të sigurimit të të hyrave dhe ruajtjes së tregut vendor,” ka shkruar ai.

Por, njohësit e ekonomisë thonë se nuk mund të flasim për suksese të shtetit në kohën kur shumica e buxhetit të shtetit mbushet nga doganat e Kosovës.

Sipas Ibrahim Rexhepit, pjesëmarrja e lartë e të hyrave nga dogana dëshmon për dy dështime kryesore.

“E para, po ngec zhvillimi ekonomik dhe se shteti nuk ka besim të mbështetet shumë në burimet e brendshme.  Dhe e dyta, po dështon  ATK-ja ne identifikimin te gjithë tatimpaguesve të mundshëm ne vend, ashtu qe ata të japin kontributin ligjor për buxhet,” thotë Ibrahim Rexhepi.

“Por, njëkohësisht kjo flet edhe për dështimet në luftimin e informalitetit, i cili edhe më tej mbetet i lartë,” ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Isa Mulaj nga organizata joqeveritare INEPRA, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për rritjen e normës së TVSH-së, filluar në vitin 2008 e këndej, që sipas tij ka ndikuar në rënien e numrit të bizneseve të reja të krijuara.

“Rritja e normës së TVSH-së nga 15% në 16% më 2008 pjesërisht kishte ndikuar në rënien e dinamikës së themelimit të bizneseve të reja dhe rritjen e trendit të falimentimit të bizneseve ekzistues,” thotë ai.

Rrjedhimisht, ai ka thënë se do të bjerë edhe numri i investitorëve që është mundësi e mirë që shteti të mos mbledhë të gjitha të hyrat nga dogana.

“Disa shtete zbatojnë norma të tilla të ulëta të tatimeve për të tërhequr investimet e huaja,” thotë ai.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim-Associimit me Bashkimin Evropian.  Deri sa në njërën anë Kosova pritet që të përfitojë në shumë aspekte nga kjo marrëveshje, në anën tjetër, buxheti i Kosovës pritet të preket me rreth 60 milionë euro të hyra.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, kishte thënë ditë më parë se me marrëveshjen e MSA-së parashihet eliminimi i taksës doganore prej 10 për qind në produktet me origjinë nga BE.

“Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës efekti është rreth 50 deri 60 milion euro nga te gjitha produktet e importuara nga BE,” ka thënë ai./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/llogarite-e-kontestuara-te-ministrit-hoti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala