Lexuesit e varfër

Autori:Avdyl Pajaziti

Dita ditës më pak vizitorë po ndalen tek tezga e libërshitësit Mustaf  Ramqi përball në sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës.

Ai tregon për Gazeten Fjala se libri i fundit i shitur në tezgën e tij është “Marketingu 3.0” i autorit Philip Kotler, me çmim prej 7 euro.

“Nuk janë çmimet e larta krahasuar me çmimet e produkteve tjera por dita ditës interesimi për libra po bije. Thuhet se është puna e zhvillimit të teknologjisë por unë nuk e besoj se libri i printuar mund të zëvendësohet me çfarëdo mjeti tjeter”, thotë Osmani, që për vite të tëra merret me tregtinë e librit.

Ankesa për numër të pakët të lexuesve kanë edhe shitësit tjerë që janë rreth dhjetë sosh sheshit të kryeqytetit.

“Në krahasim më vitin e kaluar mundë të themi së këtë viti kemi 50 për qind më pakë shitje. Kryesisht gjendja ekonomike e vështir ka ndikuar në rënien e blerjes” tha  Samedin Beqiri shitës i librash. Në shesh më së shumti shitën romanët.

Librat të cilat i shet më së shumti ky librashitës janë “Traktat mbi tolerancën” i Volter, “Zonja Z” e shkrimtarit kosovarë Albatros Rexhaj e “Mëngjeset në kafen Rostand” të shkrimtarit shqiptarë Ismail Kadare.

“Unë i kam disa lexues të rregull dhe ata mesatarisht në muaj shpenzojnë 10-20 euro por janë të pakët dhe nuk mjafton”, thotë Beqiri.

Librat zëvendësohen me skripta

Një fakt të tillë e përforcojnë edhe zyrtarë të librarisë ”Buzuku”.

Edon Zeneli nga kjo librari thotë se ata posedojnë mjaft tituj universitarë, sidomos nga shkencat humane, por që interesimi për t’i blerë ato është shumë i ulët

Si shkaktar për këtë numër të vogël të blerësve të librave Zeneli e sheh faktin se studentët mund të gjejnë libra në formë të përmbledhur, pra skripta ose edhe t’i fotokopjojnë në fotokopjet që gjenden afër fakulteteve por edhe faktin e rënies së interesimit për të lexuar.

’’Shumë nga botimet e Buzukut i shoh në fotokopje dhe të cilat nuk është se dallojnë  shumë në çmim nga librat që gjenden këtu, por duket se kjo është shndërruar në një lloj manie’’, thotë ajo për Gazeten Fjala.

Kjo pastaj  sipas tij sjell edhe një problem tjetër tejet shqetësues që botuesit nga Kosova dhe Shqipëria po hezitojnë të sjellin botime në shqip, ngase kostoja për të sjell një botim është mjaft e lartë, kurse ato në mënyrë ilegale merren nga studentët. Për këtë fajin kryesor sipas tij e bartin institucionet përgjegjëse për ndalimin e këtij fenomeni, më saktësisht Ministria e Arsimit dhe inspektorati i kësaj ministrie.

Artin Ahmeti nga libraria ’’Artini’’ po ashtu potencoi faktin se studentët përgjithësisht kërkojnë pak libra.

Shpresat në Panair të Librit

Por shpresat për rritje të interesimit për librin ai i ka tek panairi i librit që nis të martën më 2 qershor e përfundon me 8 qershor.

“Po shpresojmë që të kompensojmë mungesën e shitjes për tërë vitin në këto panaire”, thotë shkurt Ahmeti, për Gazeten Fjala.

E në këtë panair pritet të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, shqiptare dhe të huaja.

Behxhet Bici, drejtues i Unionit të Botuesve të Kosovës, thotë se ideja për organizimin e një panairi ndërkombëtar të librit ka ekzistuar që më parë dhe këtë ide tashmë po e realizon Unioni që ai drejton.

“Janë paraqitur shtëpi botuese nga Anglia, Gjermania dhe Turqia. Pjesa dërmuese janë nga Shqipëria. Do të thotë me të Kosovës, Shqipërisë dhe të huaja, janë afër 100 (shtëpi botuese). Plus, duhet ta kemi parasysh edhe një fakt, se është bërë traditë që disa nga botuesit të paraqiten në ditën e fundit, gjë që na shkakton probleme, sepse hapësira, në të cilën mbahet panairi i librit, është vërtet shumë e ngushtë. Përveç dy sallave të zakonshme ku mbahet panairi, këtë vit e kemi planifikuar edhe platenë para ‘Sallës së kuqe’, në Pallatin e Rinisë”, tregon Bici. /Gazeta Gjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/lexuesit-e-varfer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala