Kursimtarët e pasurisë së tyre

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga çdo vit e më shumë po pasurohet.

Kjo për faktin e të hyrave të shumta që gëzon si e para e shtetit të Kosovës por edhe nga kursimet e shumta.

Bile e para e vendit sipas kalkulimeve më shumë është duke pasur të hyra se sa shpenzime brenda një viti kalendarik.

Ky fakt pasqyrohet edhe në formularin e pasurisë së saj të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Aty shihet se presidentja brenda vitit ka kursyer fiks 15 mijë euro prej 29 sosh që i ka pasur të hyra.

Jahjaga aktualisht në bankë ka 86 mijë euro, derisa një vit më parë i kishte 71 mijë.

“Kursimtar” me pagën prej deputeti është treguar edhe Adem Grabovci i PDK.  Madje, ai më këtë pagë, që është afro 24 mijë euro në vit ka arritur ta blej edhe një banesë në Prishtinë  prej 117 metrave katror.

Këtë investim kapital Grabovci e ka bërë duke kursyer nga paga e tij, ani pse në formularin e pasurisë nuk ka treguar se sa është vlera e banesë së blerë.

Por, këtë nuk janë politikanët e vetëm që kanë bërë këso kursime marramendëse e investime kapitale me pagat e tyre.

Gazeta Fjala ka raportuar edhe ditëve të kaluara rreth pasurisë së politikëbërësve.

Se sa absurde është kjo forme e vetëvlerësimit të pasurisë, e shpërfaq edhe deklarimi i pasurisë së  Kryetarit të Partisë së Forte Visar Arifaj, i cili ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 1 miliard dollarëshe e që është vetëm një pikturë e tij.

E nga vitit në vit kjo formë e deklarimit po del të jetë e pa vlerë.

Njohësit e rrjedhave ekonomike në vend po kërkojnë marrjen e masave për verifikim të deklarimit të pasurisë e pastaj hetim të prejardhjes së saj.

“Kjo është punë për hetuesinë e prokurorinë. Mendoj, se fillimisht  Agjencioni Antikorrupsion duhet te ketë kompetencë për verifikimin e saktësisë së deklarimit. Nëse këtu ka dyshime, rastin  ta përcjell në prokurori, e cila vazhdon më tutje me zbardhjen e të vërtetës”, ka deklaruar për Gazeten Fjala, Ibrahim Rexhepi, drejtor në STRAS.

Sipas tij në të njëjtën kohë, ATK-ja duhet të bëjë publike taksat që paguajn këta persona në emer të të hyrave të tyre.

Rexhepi ka vërejtur se në këtë vit politikanët e pasur, kanë filluar ti zbarzin kontot e tyre e të deklarojn më pak pasuri.

“Nuk po mbajnë para në bankë.  Kjo jo për faktin e investimeve por nga frika e ndonjë veprimi të hetuesisë i cili mund të bllokoj kontot e tyre”, ka deklaruar Rexhepi.

Se disa zyrtarët shtetërorë po ia kanë frikën deklarimit të pasurisë së tyre e kanë vërejtur edhe në Institutin për Studime të Avancuara GAP.

“Deklarimi i pasurisë në AKK është treguar një ndër proceset dhe detyrimet më stresuese për zyrtarët publik në Kosovë. Kjo ka qene aq e sikletshme sa është tentuar disa herë që të ndryshohet ligji dhe deklarimi i pasurisë të mbahet fshehur nga publiku. Mirëpo, përgjatë këtyre viteve prej kur është bërë praktike deklarimi i pasurisë, institucionet përgjegjëse (AKK, gjykatat, prokuroria) dhe shoqëria në përgjithësi, nuk ka arrit ende që të shfrytëzoj këta formular me qëllim që të ndëshkohen ata të cilët raportojnë rrejshëm ose të cilët kanë arritur të pasurohet jo proporcionalisht me postin publik që e ushtrojnë këta zyrtarë publik”, ka deklaruar për Gazetën Fjala, Agron Demi drejtues i GAP-it.

Sipas Demit ajo çfarë mbetet për t’u hetuar domosdo e që duket qartazi nga formularët e deklarimit të pasurisë, është pasuria e krijuar pas marrjes së postit publik, në ato raste kur individët kanë deklaruar se të vetmen formë të të hyrave e kanë pagën nga Buxheti i Kosovës.

“Problemi me i madh me deklarimin e pasurisë është vlera me të cilën vlerësohet pasuria e paluajtshme. Zyrtaret publik kanë tendencë të mbivlerësojnë pronat e tyre të paluajtshme. Dhe në këtë formë, duke deklaruar se kanë prona të trashëguara, që kapin shifra milionëshe, politikanët arrijnë pastaj të mbulojnë të hyrat e tyre të dyshimta, duke u arsyetuar se kanë arritur të shfrytëzojnë pronat e tyre milionëshe”, tha Demi. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kursimtaret-e-pasurise-se-tyre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala