Kumanova prishë biznesin Kosovë-Maqedoni

Autori:Avdyl Pajaziti

Qindra kamionët përplot produkte ushqimore çdo ditë hyjnë në territorin e Kosovës nga Maqedonia. Nga janari deri në muajin maj janë plotë 91 milionë kilogram mallra në vlerë 36 milionë euro nga ky vend që kanë mbërritur në sofrat e kosovarëve gjithandej Kosovës.

Por, në krahasim me vitin e kaluar shihet sa ka një rënie si në sasi ashtu edhe në vlerë të mallrave të importuara nga Maqedonia. Në periudhën e njëjtë vjet në Kosovë kishin hyrë 112 milionë kilogram produkte në vlerë 40 milionë euro.

Ndërkaq, eksporti këtë vit ka shënuar rritje nga 60 mijë euro sa ishte për katër muajt e parë të 2014-ës në 121 mijë euro këtë vit.

Por ky shkëmbim tregtarë me shumë gjasë do të përkeqësohet në ditët në vazhdim.

Njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit në vend, thonë se ngjarjet e fundit në Kumanovë kanë ndikuar në raportet Kosovë- Maqedoni edhe në aspektin ekonomik.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë për Gazetën Fjala se në Ballkaan si duket është e pamundur që të bisedohet për probleme të natyrës ekonomike pa ngjyrime dhe konotacion politik.

“Që nga viti 1999 e këndej këto procese kanë qenë të përziera dhe të përcjella nga politizimi i raporteve ekonomike dhe besoj se rasti i Kumanovës do të ketë efekte qoftë në formë direke qoftë në formë indirekte në raportet ekonomike Kosovë Maqedoni”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, është diçka që vërtetë në rend të parë do ti dëmtoj raportet bilaterale dhe në rend të dytë do të jetë edhe një dëshmi e zbehjes së rëndësisë dhe përmirësimit të imazhit të tregut liberal.

Zhvillimet e fundit, sipas opinioneve dhe analizave të bëra në media kanë treguar se popullata në Kosovë është shumë e ndjeshme kur preken interesat e shqiptarëve kudo që janë ata.

Këtë njohësit e ekonomisë e shohin si efekt që rrjedhimisht ndikon edhe në refuzimin për t’i blerë produktet me origjinë nga Maqedonia dhe për pasojë ndërmarrjet importuese të Kosovës do të detyrohen të gjejnë zëvendësim nga rajoni për ato produkte.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, pjesa më ë madhe e importit nga Maqedonia në Kosovë janë produkte ushqimore dhe bujqësore.

Këto produkte kryesisht prodhohen nga banorët shqiptarë të këtij shteti që për treg kryesor kanë Kosovën. Njohësit e ekonomisë tërheqin vërejtjen se bojkoti i produkteve mund të ketë efekt direkt mbi prodhuesit shqiptar në Maqedoni.

Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se në këtë pjesë të Ballkanit është dëshmuar se zhvillimet politike kanë ndikim jashtëzakonisht të madh në raportet ekonomike.

“Sado që është herët të thuhet se çfarë reflektimi do të kenë zhvillimet e fundit në Maqedoni, mendoj se do të ketë një pritje të bizneseve për zhvillimet e reja në rrafshin politik”, ka thënë ai.

Sipas tij, shifrat e tremujorit s’duhet të befasojnë, pasi ato janë të periudhave të mëhershme, ndërsa Kosova vazhdimisht ka pasur deficit të lartë tregtar me Maqedoninë.

Eksporti dhe importi me Maqedoninë

Viti                         eksport                      import

2010                       26.308                   319.313

2011                       30.949                   365.961

2012                       26.376                   287.739

2013                       26.139                   185.020

2014                       27.412                   143.200

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kumanova-prishe-biznesin-kosove-maqedoni/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala