Ku mbet polici i lagjes?

Autori:Gazeta Fjala

Një nismë e Policisë së Kosovës që të sjellë sa më afër njëri-tjetrit qytetarin dhe zyrtarët policor me qëllim të bashkëpunimit për të rritur sigurinë, tash e sa kohë ka mbetur thuajse e pazbatueshme.

Sipas iniciativës të quajtur “Policimi në Bashkësi” mendohej të krijohej një kategori e re e zyrtarëve policor të cilët do të caktoheshin për patrullim në lagje të caktuara për një kohë më të gjatë.

Qëllimi ishte që qytetari ta njohë policin e lagjes, dhe rrjedhimisht të rritej komunikimi në mes të dy palëve rreth shqetësimeve që lidhen me sigurinë dhe qetësinë në lagjet e tyre.

“Policia e Kosovës do të mundësojë që qytetari t’i njohë policët që do të patrullojnë në lagjen e tyre, gjegjësisht në sektorin policor ku ata përkasin në bazë të ndarjes policore, dhe të komunikojnë me zyrtarët policorë rreth shqetësimeve dhe brengave që i preokupojnë,” sqarohet ky projekt në faqen e Policisë së Kosovës.

“Kjo është një fushë shumë e rëndësishme e cila bazohet në ndërtimin e një partneriteti të shëndoshë dhe efikas me bashkësinë, shkëmbimin e dyanshëm të informatave.”

Por, qytetarët kanë fare pak informacion rreth këtij projekti dhe shumë nga ta asnjëherë nuk e kanë takuar policin e lagjes së tyre.

Një ndër ta është Shpend Asllani që jeton në lagjen që njihet si “Katër Lullat” në Prishtinë.

“Unë asnjëherë nuk kam rastisur në këta policë për të cilën e ke fjalën ti.  Unë edhe ashtu shumë rrallë shoh policë në lagjen time.  Edhe po të qëndrosh ti këtu tërë ditën, nuk do të takosh asnjë, vetëm në mëngjes herët kur i shoh disa që nisen për punë” thotë ai.

Sipas Asllanit, atë nuk e ka kontaktuar apo ndalur askush nga policët për t’i sqaruar strategjinë e policimit në bashkësi.  “Por, mirë kish me qenë po të funksiononte ky lloj plani,” thotë ai.

Edhe Bujar Hajrizi që jeton në lagjen Taslixhe të kryeqyteti thotë të mos ketë dëgjuar për këtë iniciativë të policisë dhe as nuk është njohur me policin që supozohet të patrollojë në lagjen e tij.

“Bile unë as nuk kam parë ndonjë lajm apo emision në lidhje me këtë dhe nuk kam njohuri,” thotë ai.

Gazeta Fjala i ka dërguar disa pyetje Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje rreth interesimit të gazetës rreth zbatimit të këtij projekti.

Në anën tjetër, Skender Perteshi, njohës i çështjeve të sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka sqaruar se strategjinë e “Policimit në Bashkësi” Policia e Kosovës e ka marrë si model nga policia e Britanisë së Madhe.

Ai thotë se kjo strategji është e rëndësishme sepse rritë komunikimin dhe besimin mes qytetarit dhe policisë.

Por sipas tij është vështirë që një strategji e tillë të implementohet në Kosovë marrë parasysh kapacitetet e policisë së vendit tonë.

“Për zbatimin e kësaj strategjie duhen numër shumë më i madh i policëve, por edhe fonde shumë më të mëdha,” ka thënë Perteshi.

Ai po ashtu ka thënë se duhet punuar edhe në vetëdijesimin e qytetarëve për bashkëpunim sa më të mirë me policinë.

“Implementimi i strategjisë shkon gradualisht, me vetëdijshmin e qytetarëve për me bashkëpunuar me policinë sepse policia njëanshëm nuk mundet me implementu këtë strategji pasi varet direkt edhe prej gatishmërisë së qytetarëve për bashkëpunim,” ka shtuar ai.

Policia e Kosovës është krijuar në fund të vitit 1999, fillimisht si Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK).  Aktualisht, Republika e Kosovës ka rreth 8 mijë zyrtarë policor të uniformuar dhe civilë./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ku-mbet-polici-i-lagjes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala