Kthimi në kohën e qeverisjes bardh e zi

Autori:Gazeta Fjala

Zëvendësministri dhe njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, konsiderohet si një nga politikanët më të fuqishëm të vendit. Ai në vitin 2016, pritet që të bëhet presidenti i pestë i Republikës së Kosovës bazuar në një marrëveshje koalicioni të arritur me ish-kundërshtarin më të fortë politik, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në rast se arrin që të mbajë postin e tij deri në vitin 2019, Thaçi do të rrumbullaksonte 20 vite në pozitat më të lartë shtetërore që nga viti 1999, kur u emërua kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të vendit pas çlirimit nga Serbia.

Atëbotë, ‘Gjarpri’ – që është nofka e tij gjatë kohës sa shërbente si Drejtor Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – udhëhiqte një qeveri të përkohshme në skenën politike tejet konfuze në vend pas mbarimit të luftës.

Konfuzioni ishte krijuar kur pas bisedimeve në Rambuje në shkurt të vitit 1999,  ku dy grupime kryesore, që kishin ndasi të mëdha mes vete, e shihnin vetën si udhëheqëse legjitime të vendit: UÇK e udhëhequr nga Thaçi, dhe Ibrahim Rugova me LDK-në e tij që kishte udhëhequr gjatë viteve 1990-ta.

Qeveria e përkohshme përbëhej kryesisht nga ushtarakë të UÇK-së dhe figura të LPK-së dhe LKCK-së.  Në anën tjetër, Rugova vazhdonte të ishte president, e bashkëpartiaku i tij nga LDK, Bujar Bukoshi, kryeministër në ekzil.

Por, përveç Thaçit, një pjesë e madhe e njerëzve që përbënin qeverinë e përkohshme të Kosovës vazhdojnë të mbajnë pozita të larta shtetërore. Disa janë ende miq të Thaçit, e disa të tjerë janë rreshtuar si kundërshtar të qeverisë në të cilën Thaçi sot është ortak në qeverisje.

Dikur vartës të Thaçit, tani kundërshtarë të tij

Edhe qeveria e përkohshme e vitit 1999 kishte numër të madh të ministrive sikur kabineti i tanishëm qeveritar, me gjithsej 18 ministra e nga së paku dy zëvendësministra.

Përgjithësisht, ministritë ishin të njëjta me këto që janë edhe sot, përveç që në atë kohë ekzistonin Ministria e Informimit Publik, ajo e Rendit Publik, dhe Ministria për Emigracion.

Vartësit më të spikatur të Thaçit në qeveri, i shërbyen atij edhe kohë  të gjatë në PDK-në që vazhdon të jetë nën drejtimin e tij: Azem Syla, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Ramë Buja, Arsim Bajrami, Hydajet Hyseni, Adem Grabovci, Ramadan Avdiu, Basri Musmurati.

Por, tani këta janë të ndarë dhe një pjesë e tyre janë konstituar si kundërshtarë të fortë të Thaçit.  Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj e konsideronin udhëheqjen e PDK-së si autoritare dhe u larguan duke krijuar partinë e tyre Nisma për Kosovën.

Kurse Rexhep Selimi e Hydajet Hyseni aktualisht janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila së bashku me Nismën tash e disa muaj janë në protestë kundër qeverisë në të cilën bënë pjesë Thaçi dhe PDK.

Edhe Bajram Kosumi, që në atë kohë shërbente si Ministër i Informimit Publik, ishte bërë kundërshtar i PDK-së.  Në vitin 2004, si anëtar i AAK-së, ishte zgjedhur kryeministër i vendit kur Ramush Haradinaj ishte duke u gjykuar në Hagë.

Aktualisht, Kosumi është Rektor i Universitetit Kadri Zeka në Gjilan.

Punë në universitet kryen edhe Bujar Dugolli, që ishte Ministër i Sportit dhe Rinisë. Ai sot është dekan në Fakultetin Filozofik. Pas përvojës si vartës i Thaçit, Dugolli kishte shërbyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe ishte për një mandat edhe ministër.

Në anën tjetër, dy anëtarë e tjerë të PDK-së që ishin pjesë e qeverisë në vitin 1999,  bëjnë jetë më të qetë politike.  Azem Syla, atëherë Ministër i Mbrojtjes, është një nga deputetët më të votuar të PDK-së. Por, tani ai rrallë dëgjohet që të ngitë zërin e tij për çështjet që diskutohen në kuvend. Kurse Basi Musmurati, po ashtu pjesë e kabinetit të Thaçit, tani nuk ka ndonjë pozitë shtetërore, por është sekretar i PDK-së.

Besnik të padiskutueshëm liderit Thaci i kanë mbetur Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Shkencës the Teknologjisë.

Edhe Fadil Beka, qe atë kohë Zëvendësministër i Shëndetësisë që nuk i takonte asnjë partie politike, tani është deputet i PDK-së.

Edhe Naim Tërnava dhe Daut Maloku ishin dikur pjesë e qeverisë

Daut Maloku, është kryetar i partisë së vetme të gjelbër në Kosovë.  Partia që ai drejton disa herë kishte provuar që të hyjë në Kuvendin e Kosovës për të quar përpara politika më të mira për ambientin në Kosovë, por asnjherë nuk ia ka dalur. Kjo parti vazhdon të ekzistojë, por nuk ka ndonjë fuqi politike.

Por, Daut Maloku ishte pjesë e qeverisë së përkoshme si zëvëndësministër i Industrisë, Komunikacionit, dhe Energjetikës.

Edhe Naim Ternava, aktualisht kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në vitin 1999 shërbente në ekzekutivin e vendit.  Ai ishte zëvendësministër në Ministrinë e Punës.

Të tjerë emra që sot nuk shërbëjne në pozita të larta shtetërore por që ishin pjesë e atij kabineti janë edhe Numan Balic, Mujë Rugova, Sokol Dobruna, e të tjerë.

Përveç qeverisë së përkojhshme, Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, kishtë krijuar një Këshill të Përkoshëm, që kishtë përbërje multietnike.  Takimi i parë ishte mbajtur më 17 korrik të vitit 1999 por që ishte bojkotuar nga Ibrahim Rugova dhe LDK e tij.

Pjesëmarrës të këtij këshilli ndër të tjerësh ishin:  Hashim Thaci dhe Xhavit Haliti, Rexhep Qosja, Edita Tahiri, Ibrahim Rugova, Numan Balic dhe përfaqësues të komunitereve të tjera.

Zgjedhjet e para parlamentare pas përfundimit të luftës u mbajtën në vitin 2001, në të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës u shpall fituese./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kthimi-ne-kohen-e-qeverisjes-bardh-e-zi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala