Kthimi i dëshpëruar i kosovarëve

Autori:Gazeta Fjala

Për Shqipdonin është hera e parë që udhëton me aeroplan. Çokollata “Milka”, të cilën 13 vjeçari e ndanë me kujdes, është e fundit që ka blerë në tokën gjermane, përkatësisht në Aeroportin e Frankfurtit.

“Kur ma s’ka mem ra në gojë këso çokollate”, thotë ai i trembur nga lëkundjet e kohë pas kohëshme të mjetit të transporti që ka zgjedhur pa vullnetin e tij.

Rruga e kthimit për në Kosovë, për të, është po aq e mundimshme sikur një vit më parë kur e kishte lënë shtëpinë në Lipjan dhe ishte nisur bashkë me nënë dhe mbi 70 mijë kosovarë të tjerë, drejt Hungarisë.

Shqipdoni, ka frikë nga lartësitë. I struket së ëmës, e cila ka frikë të kthehet në vendlindje.

“O kuku ku jena t’u shku. Mjerë për ne ku po kthehemi”, ofshanë ajo para se të nisë rrëfimin për “tokën e premtuar” që nuk do ta shohë më.

Para një viti, kishte shitur thuajse gjithçka për të siguruar paratë e rrugës për vete dhe të birin.

“Nga Prishtina deri në kufi me Hungari e kemi pagu njanin me na qu ka 200 euro. E në Hungari 400 euro. Masanej 900 euro i kemi dhanë me shku deri në Gjermani”, tregon zonja, në të 40-at që nuk dëshiron t`i përmendet emri.

Në Gjermani, ishin vendosur në një fshat, të cilin nuk do ta ndërronin as me kryeqytetin e Kosovës. Thotë se ishin akomoduar mjaftë mirë dhe Shqipdoni kishte zënë miq e kishte filluar shkollën.

“Na kanë kqyr mirë. Na kanë plotësu të gjitha kushtet, por nuk ke kësmet me nejt ma gjatë”, thotë ajo.

Sa kishin filluar të adaptoheshin me mënyrën e jetesës së sapo krijuar u erdhi vendimi për tu kthyer nga kishin ikur.

“Jena kthy vullnetarisht”, nxitohet të tregoj nëna e Shqipdonit, paksa me zë të lartë për ta dëgjuar një familje në ulëset e mëpasme, të cilët i kishin sjellë me pranga deri në aeroplan.

Halli i tyre tani, është mbijetesa.

“Me kan me pas një punë veç 200 euro në mujt kurr nuk kisha lyp ma mirë”, vazhdon të dëgjohet zëri i asaj që sapo të ateroi aeroplani nuk e ka idenë se ku do ta bëj gjumin.

Një vit pas ikjeve masive-16 mijë kosovarë dëbohen nga BE

Pavarësisht mënyrës, rruga që kishin marrë rreth 75 mijë kosovarë para një viti kishte qenë e njëjtë. E kishin menduar realitetin ndryshe.

Edhe fatin për tu dëbuar duken ta kenë të njëjtë me atë të familjes nga Lipjani. Shumë kosovarëve këtë vit, u dha lajmi se nuk do t’u sigurohet azil nga vendet Evropiane, me arsyetimin se Kosova është vend i sigurt për të jetuar.

Prandaj, këta qytetarë do të kthehen mbrapsht madje edhe me sanksione dhe ndalim rihyrjeje në gjithë zonën Shengen.

Sipas Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga data 1 janar deri më 30 nëntor 2015 janë riatdhesuar mbi 16 mijë qytetarë të Kosovës.

“Gjermania është shteti që ka kthyer më shumë kosovarë, nga 16 mijë të kthyer, vetëm nga Gjermania janë mbi 10 mijë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kësaj zyre për Gazetën Fjala.

Këtij numri të mërkurën e 2 dhjetorit iu bashkuan edhe 186 persona të tjerë që u dëbuan nga ky vend pasi që autoritetet edhe atyre ua refuzuan kërkesën e azilit.

Ndërkohë që periudha kritike e largimit të qytetarëve drejt vendeve të BE-së kishte filluar prej tetorit 2014 deri në mars të këtij viti.

Të dhënat zyrtare të agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, tregojnë se rreth 75 mijë kosovarë kanë migruar në BE.

Marrëveshjet për punësim

Se shqiptarët nuk kanë shanse për azil politik, në Gjermani e konfirmoi me 30 nëntor edhe sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme.

Ajo tha se ky vend do të hapë rrugën për ardhjen legale të fuqisë punëtore nga vendet e Ballkanit.

Sipas saj, deri në tetor të vitit 2015 janë paraqitur mbi 130 mijë kërkesa për azil nga shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndër ta thotë ajo, 35 mijë nga Kosova dhe rreth 45 mijë nga Shqipëria.

“Por shanset e tyre për azil janë gati të barabarta me zero”, thotë sekretarja Anette Kramme.

Kramme bënë të ditur se nga viti i ardhshëm kur Gjermania të hapë tregun e punës shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës do kenë shanse të mira.

Sipas propozimeve të tanishme, ajo thotë se në vit do të pranohen rreth 20 mijë punëtorë nga këto vende, ky ligj sipas saj parashikohet të hyjë në fuqi në vitin 2016 dhe do të vlejë deri më 2020 kur do të bëhet evoluimi i tij.

“Nga këto rregulla mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, pohon Kramme.

Sekretarja Anette Kramme, thotë se nga kjo mundësi do të mund të përfitojnë migrantët vetëm nëse ata kategorizohen si akademikë dhe nëse ndonjë ka kualifikim të posaçëm, për të cilin ka mangësi në Gjermani.

Kosova ka arritur disa marrëveshje me shtetin gjerman për punësime sezonale. E fundit është ajo e nëntorit me Diakonie për punësimin e 54 të rinjve.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi gjatë nënshkrimit të saj tha se ndihma dhe përkrahja e të rinjve do të jetë gjithmonë prioritet i kësaj ministrie.

“Ne si ministri e kemi përkrahur këtë proces që nga fillimi, andaj këtyre të rinjve ju uroj shëndet dhe sukses, dhe përvojat e mira gjermane t’i sjellin në Kosovë», ka thënë Abrashi me këtë rast”, tha Abrashi.

Gazeta Fjala ka kërkuar të dijë nga MPMS sa marrëveshje kanë nënshkruar dhe në cilat vende ka më shumë mundësi që të rinjtë të mund të punësohen, mirëpo kjo ministri ende nuk është përgjigjur.

Pas valës së madhe të migrimeve, organizata GIZ në emër të Qeverisë Federale Gjermane ka hapur Qendrën informative gjermane për migrim, arsim dhe karrierë.

Përmes kësaj zyre synohet qasja në një vend të përbashkët e ofertës informative gjermane dhe e ofertës ekzistuese në Kosovë rreth temës së migrimit legal në Gjermani dhe përkrahjes së punësimit për kosovarët.

Shkaqet e migrimit masiv

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) gjatë nëntorit publikoi dy hulumtime që kanë në fokus analizimin e shkaqeve të migrimit të parregullt dhe ndikimin në procesin e integrimit për Kosovën, gjegjësisht, në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas hulumtimit të QKSS-së, shkaqet socio-ekonomike renditën ndër faktorët e parë që kanë shtyrë qytetarët të migrojnë në BE.

Vendi përballet me shkallë të lartë të papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë, ku 35.4 për qind e qytetarëve e forcës aktive për punë janë të papunë, ndërsa kjo është më së shumti e shprehur te gjeneratat e reja, gjegjësisht 61 për qind e të rinjve janë të papunë, nxjerr në pah ky hulumtim.

Ndonëse faktori i parë ishin shkaqet ekonomike, faktori i dytë që ka ndikuar në rritjen masive të numrit të azilkërkuesve, sipas hulumtimit ka ardhur si rezultat i rrjeteve kriminale të kontrbanduesve që operonin në Kosovë dhe Serbi.

“Rruga kryesore e migrimit të kosovare drejt BE-së ishte përmes Serbisë, përkatësisht qytetit të Suboticës ku ishin të përqendruar rrjetet e kontrabandistëve që bënin transportimin e migrantëve prej atje drejt Hungarisë”, thuhet në hulumtimin e QKSS-së. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kthimi-i-deshperuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala