Kryetarët që i harruan premtimet, u dhan pas luksit  

Autori:Zekirja Shabani

Po bëhen gati dy vite që kur kryetarët e komunave kanë marrë mandatin nga zgjedhjet e fundit lokale me qindra milion investime të premtuara në projekte për qytetarët.

Por që nga nëntori i 2013 e deri më tani ata nuk e kanë realizuar as çerekun e premtimeve të dhëna në fushatë elektorale. Instituti për Studime të Avancuara GAP, në raportin “letërnjoftimi i komunave”, ka analizuar dhe matur përmbushjen e zotimeve dhe shpenzimet e secilës komunë në Kosovë veç e veç për vitin 2014.

Të dhënat e publikuara për shumicën e komunave, të cilat i posedon Gazeta Fjala, tregojnë se udhëheqësit lokal përveç që ja kanë rritur luksin vetes dhe kanë shpenzuar taksat e qytetarëve për  shpenzime telefonike e karburante, shumë pakë kanë realizuar projekte të cilat përmirësojnë jetën e taksapaguesve.

Më së paku del se e ka mbajtur fjalën kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili nga 23 premtime në fusha të ndryshme, ka realizuar vetëm 13 për qind të tyre.

Ndërkaq, kryetari më besnik, sipas këtij raporti është ai i Komunës së Malishevës Ragip Begaj me 38 për qind të premtimeve të realizuara, i pasur nga kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Mesatarja e premtimeve të realizuara për të gjitha komunat e Kosovës deri në maj 2015 është 24 për qind.

E në përgjithësi, rritje e shpenzimeve, pothuajse tek të gjitha komunat, vërehet se ka pasur për energji elektrike dhe mbeturina. Ndërsa nuk mungojnë tejkalimet e shpenzimeve edhe për dreka e darka zyrtare e mirëmbajtje të automjeteve zyrtare.

Premtimet dhe shpenzimet e komunave

Klina

Kryetari i komunë së Klinës , Sokol Bashota gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 23 premtime nga fushat e ndryshme. Deri në maj 2015, ai i ka realizuar vetëm 13 për qind të tyre.

Bashota i ka reduktuar shpenzime për telefona fiks, udhëtime jashtë vendit e riparim të veturave në krahasim me një vit më parë. Kurse, për telefoni mobile, mëditje jashtë vendit dhe shpenzimet për dreka zyrtare kanë shënuar rritje.

Komuna e Klinës gjatë vitit 2014 për rrymë elektrike ka shpenzuar 82,214 euro, apo 3,215 euro më shumë se sa viti paraprak.

Më 2014, kjo komunë kishte buxhet prej 8.1 milion eurove, një rritje prej afro 100 mijë eurosh në krahasim me vitin 2013. Pjesa më e madhe e këtij buxheti shpenzohet për paga dhe mëditje për 944 të punësuarit në arsim, shëndetësi dhe administratë. Të hyrat vetanake kanë shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me dy vitet paraprake.

Prishtina

Nga 36 premtime sa ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore, kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti, deri në muajin maj 2015 ka realizuar vetëm 33 për qind të tyre.

Komuna e Prishtinës gjatë 2014 ka shënuar rënie të hyrash komunale për rreth 2 milionë euro, krahasuar me vitin paraprak.

Ndërsa për dallim nga komunat tjera të cilat të hyrat kryesore i kanë ato nga tatimi në pronë, në Komunën e Prishtinës të hyrat më të mëdha kanë qenë ato nga lejet e ndërtimit.

Në vitin e fundit  2014 në Prishtinë janë regjistruar 2,331 biznese të reja. Në të njëjtën periudhë janë shuar 283 biznese.

Gjakova

Kryetarja e  komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila gjatë fushatës zgjedhore kishte  dhënë 32 premtime nga fushat e ndryshme. Por, deri në maj 2015,  ajo ka realizuar vetëm 31për qind të tyre.

Ndërkaq, gjatë kësaj kohe të qeverisjes Mimoza Kuari-Lila ka shtuar shpenzimet në telefoni fikse. Sipas GAP këto shpenzime janë rritur për 9 mijë euro  krahasuar me një vit më herët.

Komuna e Gjakovës gjatë vitit 2014 ka shpenzuar për energji elektrike rreth 461 mijë euro, apo 61mijë euro me shumë krahasuar me një vit më herët. Shpenzimet për mbeturina janë për 30 mijë euro më shumë se një vite më herët.

Kurse, ulje të shpenzimeve kjo komuna ka pasur në dreka zyrtare, telefona mobil, riparimi i veturave.

Në Komunën e Gjakovës funksionojnë 6,427 biznese. Gjatë viti 2014 janë regjistruar 451 biznese të reja. Në të njëjtën periudhë, janë shuar 135 të tilla.

Ferizaj

Kryetari i Komunë së  Ferizajt,  Muharrem Sfarqa gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 17 premtime nga fushat e ndryshme. Deri në maj 2015, ai ka realizuar vetëm 25 për qind të tyre.

Në komunën e Sfarqës shpenzimet për telefona mobil, telefona fiks, riparimi i veturave, kanë shënuar rritje krahasuar me një vit më herët.

Rritjen me të madhe të shpenzimeve kjo komunë e ka pasur në  riparim  të veturave, duke i shtuar ato për 20 mijë euro.

Në Komunën e Ferizajt në vitin 2014 janë regjistruar 722 biznese të reja. Në të njëjtën periudhë janë shuar 94 biznese.

Mitrovica

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 17 premtime, ndërsa deri në maj të 2015 ai ka realizuar 29 për qind të  tyre.

Për këtë komunë nuk janë treguar shpenzimet që ka pasur për gjatë kësaj kohe në derivate, dreka e telefona.

Por të dhënat tregojnë se Komuna e Mitrovicës gjatë vitit 2014 ka trashëguar borxh nga mandati i kaluar në vlerë prej 1.1 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtij borxhi është paguar.

Ndërkaq, krijimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ia ka zvogëluar buxhetin Mitrovicës së Jugut për rreth 1.5 milionë euro.

Gjatë një viti në Mitrovicë  janë hapur mesatarisht deri në 400 biznese të reja. Në të njëjtën periudhë të vitit 2014 në Mitrovicë janë shuar  97 biznese.

Peja

Kryetari i komunës së  Pejës, Gazmend Muhaxhiri gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 24 premtime në fusha të ndryshme. Deri në maj të 2015, Muhaxhiri ka përmbushur 25 prej tyre.

Buxheti i Komunës së Pejës ka pasur trend pozitiv të rritjes në katër vitet e fundit. Nga 18 milionë euro sa ka pasur kjo komunë në dispozicion në 2012, gjatë 2014 shuma që kjo komunë ka pasur nën menaxhim ka kapur shifrën e mbi 20 milionë

Gjatë vitit 2014 në Komunën e Pejës janë regjistruar 461 biznese të reja,  Në të njëjtën periudhë (2014) në Pejë janë shuar 86 biznese.

Skenderaj

Gjatë fushatës zgjedhore kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka qenë në paraburgim. Partia në emër të tij ka dhenë 19 premtime madhore, por deri në maj 2015 këto premtime janë  realizuar për vetëm 21 për qind.

Gjatë tërë mandatit të dalë pas zgjedhjeve lokale të 2013, Komuna e Skenderajt nuk është udhëhequr asnjë ditë nga kryetari i zgjedhur për shkak të paraburgimit.

Lushtaku është dënuar nga gjykata e shkallës së parë në fund të majit 2015 me 12 vjet burg.

Të hyrat buxhetore të komunës së Skenderajt më 2014 kanë shënuar rënie prej 100 mijë euro në krahasim me një vit më parë.

Gjatë vitit 2014 janë regjistruar 189 biznese të reja. Gjatë vitit 2014, janë shuar 39 biznese.

Drenasi

Kryetari i  komunës se  Drenasit, Nexhat Demaku  gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 15 premtime nga fushat e ndryshme. Deri në maj 2015, ai ka realizuar vetëm  26 për qind të tyre.

Komuna e Drenasit gjatë vitit 2014 ka shpenzuar për energji elektrike rreth 140 mijë euro, apo 18 mijë euro me shumë krahasuar me një vit më herët.

Derisa,  shpenzimeve për dreka zyrtare, telefona mobil, telefona fiks, shpenzime për mëditje jashtë vendit e  riparimi i veturave, kanë shënuar rënie krahasuar me një vit më herët.

Në këtë komunë funksionojnë 1,717 biznese, 264 biznese janë biznese prodhuese. Gjatë vitit 2014 janë regjistruar 250 biznese të reja, në të njëjtën periudhë, janë shuar 44 biznese.

Hani i Elezit

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 15 premtime ndërsa deri në maj 2015, shkalla e realizueshmërisë së premtimeve është 33 për qind.

Ai është njëri nga kryetarët që ka mbajtur më së shumti fjalën edhe sa i përket zvogëlimit të shpenzimeve.

Rënie të shpenzimeve në komunën e kryetarit Suma ka pasur për dreka zyrtare, telefona mobil, telefona fiks, shpenzime për mëditje jashtë vendit e  riparimi i veturave.

Derisa, kjo komunë gjatë vitit 2014 ka shpenzuar për energji elektrike 28 mijë euro, ndërsa për mbeturina rreth 6,600 euro. Në të dy këto kategori ka pasur një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Në Komunën e Hanit të Elezit funksionojnë 118 biznese. Gjatë vitit 2014 janë regjistruar 26 biznese të reja. Ndërsa janë shuar vetëm 2 biznese.

Deçani

Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj, nga 22 premtime që kishte dhënën nga fushat e ndryshme, deri në maj të vitit 2015 ka realizuar vetëm 27 për qind të tyre. Në këtë komunë rreth 7 për qind e jetojnë në asistencë sociale, ndërsa Komuna e Deçanit gjatë vitit 2014 ka shpenzuar për energji elektrike rreth 140 mijë euro, apo 18 mijë euro me shumë krahasuar me një vit më herët.

“Sa i përket shpenzimeve për telefona mobil, telefona fiks, riparimi i veturave, kanë shënuar rritje të dukshme në krahasim me një vitin më parë”, thuhet në raport.

Dragashi

Kryetari i Dragashit Salim Januzi,  gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 19 premtime nga fushat e ndryshme, ndërsa i ka realizuar vetëm 15 për qind të tyre.

“Sa i përket shpenzimeve për dreka zyrtare, telefona fiks, shpenzime për mëditje jashtë vendit,riparimi i veturave, kanë shënuar rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë, ndërsa për telefoni mobile është një rritje e lehtë për 1.500 euro më shumë se sa një vite më herët”.

Komuna e Dragashit gjatë vitit 2014 ka shpenzuar për mbeturina rreth 33,879 mijë euro, apo 6,805 mijë euro më shumë krahasuar me një vit më herët.

Malisheva

Kryetari i Malishevës, Ragip Beqaj gjatë fushatës zgjedhore ka dhënë 13 premtime nga fusha të ndryshme. Deri në maj 2015, shkalla e realizueshmërisë së premtimeve është 38 për qind. Sipas raportit del se Begaj ka realizuar më së shumti premtime të dhëna nga të gjithë kryetarët e komunave tjera.

Nuk janë prezantuar të dhëna për shpenzimet e kësaj komune por , të hyrat buxhetore të Malishevës më 2014 kanë shënuar rritje për 500 mijë euro në krahasim me një vit më parë.

Krahasuar me numrin total të popullsisë në ketë komunë del se në Malishevë rreth 6,7 për qind popullsisë të ardhurat i bazojnë në skemat sociale.

Në Komunën e Malishevës funksionojnë 984 biznese. Gjatë vitit 2014 janë regjistruar 155 biznese të reja. Në të njëjtën periudhë, janë shuar 44 biznese. /Gazeta Fjala /

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kryetaret-qe-i-harruan-premtimet-u-dhan-pas-luksit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala