Kovraga e mollëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Plantacionet disa hektarëshe të mbjellura me mollë duken sikur të vizatuara në Kovragë të Istogut.

Të rralla janë familjet në këtë fshat që nuk kanë të paktën një copë të tokës së tyre të mbjellur me trupa molle.

Duke parë leverdinë që sjell kultivimi i kësaj peme në fshat u krijua edhe koperativa AgroKovraga.

Nazmi Blakaj që drejton atë tregoi për Gazetën Fjala se hapësirat e mbjellura me mollë në fshatin e rrafshët po rriten nga viti në vit.

“Aktualisht në tërë fshatin kemi 100 hektarë të mbjellur me mollë. Vetëm ne si AgroKovragë kemi 18 hektarë të mbjellura, prej tyre janë në prodhime 10 hektarë, ndërsa trupat e mbjellur në 8 hektarë tjerë pritet vitin e ardhshëm të sjellin molla për konsum”, tregon Blakaj për Gazetën Fjala.

“Në vitin 2015, falë kushteve të mira atmosferike, të përshtatshme për këtë lloj peme u prodhuan rreth 7 mijë tonë mollë. Kjo sasi e mollëve të kultivuar këtë vit shënon rekord në prodhimtarinë e kësaj peme në Kosovë”,  tha Nazmi Blakaj nga Agro Kovraga.

Fshati Kovragë me 100 hektarë të mbjellur me mollë tashmë ka marrë epitetin e vendit që kultivon më së shumti molla në Kosovë.

Përveç sasisë edhe cilësia e frutave të këtushme dallon nga fushat e vendeve tjera në vend.

“Sasia e mollës fale kushteve atmosferike është tejet e mirë. Ne si kooperative kemi arrit t’i vjelim 400 tonë me mollë, duke përfshirë të gjitha varietetet si delishese e kuqe, delishese e artë, ajdare, mucu, grenismith, janagoll e të tjera”, tregon Blakaj.

Në fakt trupa të mollës dhe kultivimi i kësaj peme ka marr hov edhe rajoneve tjera të Kosovës.

Aktualisht në vend ka të mbjellur rreth 1000 hektarë me mollë. Por pavarësisht se në vitin 2015 u prodhuan rreth 7 mijë tonë mollë, me mollët vendore përmbushen vetëm 30 deri 40 për qind të nevojave të konsumit. Sasia tjetër prej rreth 30 mijë tonë importohet nga vendet e rajonit.

Duke parë leverdinë e kultivimit të mollës dhe kërkesës në treg, për kultivuesit e mollës nuk munguan as subvencionet.

Si rezultat i mbështetjes institucionale dhe përkushtimit të fermerëve nuk munguan as rezultatet.

“Duke marre përsyshë që 5 vitet e fundit Ministria e Bujqesisë ka përkrahë për ngritjen e pemishteve të reja në tërë Kosovën dhe kushtet atmosferike të cilat kanë qenë adekuate për pemëtari sivjet ka qenë sasia dhe kualiteti i mollës më i suksesshmi”, tregon Blakaj.

Por për dallim nga vitet e kaluar shitja e mollëve sivjet u ngadalësua. Edhe çmimi i tyre u ul për rreth dhjetë centë.

“Në kë këtë vit shitja është më ngadalshme por edhe çmimi ka rënë për 10 cent. Tani kemi një çmim të shitjes me shumicë nga 25-35 cent”, tregon Blakaj.

Pemëtarët që kultivojnë mollë nga ky vit filluan të marrin edhe nga 400 euro subvencione për çdo hektar të mbjellur. Kjo shumë e parave është edhe më e larta në rajon që marrin kultivuesit e mollës në emër të subvencioneve.

Por edhe kostoja e mbjelljes e kultivimit të mollës nuk është e vogël.

Një hektar për ta ngritur me pemishte të re me 3500 fidane e me sistem mbajtës, sistem kundër breshrit dhe sistem të ujitjes kapë koston e 30 mijë eurove.

Kurse për mbajtjen pemishtes prej një hektari në prodhim, për mbrojtje, krastitje, plehërim e  vjelje nevojiten diku 4000 euro./Gazeta Fjala/.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kovraga-e-molleve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala