Kosovarët të lodhur nga çmimet e larta

Autori:Avdyl Pajaziti

Rukije Krasniqin e nervozuar del nga dyqani ku kishte blerë produkte ushqimore, për të përgatitur drekën për familje. Thotë se ngritja e vazhdueshme e çmimeve ushqimore e ka lodhur.

“Çmimet janë aq të papërballueshme, sa shteti ynë ka ardh deri tek shkalla e çmendurisë. Kjo çka po ndodh tek ne, ka ndodhur vetëm në kohën e feudalizmit”, është shprehur e mllefosur Krasniqi nga Prishtina. Sipas saj, vetëm institucionet janë ato që po e gëzojnë të drejtën për të jetuar.

“Aristokrati jeton, përderisa qytetarët po mbesin skllevër”, shton Rukija.

Çmimet e përballueshme, janë edhe për profesorin e pensionuar Islam Gegaj nga Podujeva. Sikur të mos ishin djemtë e tij në perëndim, që t’i dërgojnë të holla për t’i mbuluar shpenzimet, profesorit nuk do t`i mjaftonte pensioni për punën e tij dyzetvjeçare. Paradoksale dhe johumane mbetet për të inflacioni.

“Luhatja me çmimet them se është vështirë e përballueshme për xhepin e varfër që mezi kalohet muaji për ata që kanë të ardhura e lëre për ata që nuk kanë burime ekzistenciale”, tha Gegaj për Gazetën Fjala.

Konsumatorët nuk i mbron askush

Selatin Kaçaniku kryetari i organizatës “Konsumatori” ngritjen e çmimeve e quan akrobacion. “30 % e popullatës që jeton në varfëri praktikisht janë familje e individë konsumatorësh kryesisht raste sociale, dhe natyrisht se ngritja e çmimeve është një “akrobacion” socio-ekonomik i vërtetë”, tha ai për Gazetën Fjala.

Ai fajin kryesor, për ngritjen e çmimeve, ia hedh Ekonomisë së Tregut. Thotë se në këto rrethana ekonomia, tregu, e as çmimet nuk mund të mbahen nën kontroll.

“Konsumator i pambrojtur i nënshtrohet invazionit të vazhdueshëm të epsheve të biznesmenëve të pangopur për të bërë pasuri me çdo kusht. Në këto rrethana, qytetari nuk mund të bëj asgjë, mbetet peng i mëshirës e jo në mbrojtje nga Ligjet”, është shprehur Kaqaniku.

Nga ana tjetër Berat Thaçi njohës i çështjeve ekonomike, nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), thotë se ngritja e çmimeve reflekton negativisht tek shumica e familjeve kosovare.

“Kosova është vendi me te hyrat për koke banori me te ulëta ne rajon. Çdo ngritje çmimesh ne konsum reflekton negativisht ne gjendjen sociale te shumica familjeve Kosovare”, ka shtuar njohësi i çështjeve ekonomike. Selatin Kaçaniku ndër të tjera tha se lulëzimi i çmimeve, ndodh gjatë sezonës së verës, atëherë kur mërgimtarët vizitojnë vendlindjet.

E për një “ fryerje të çmimeve”, siç e quan ai, askush nga Institucionet nuk ka ndërrmarrë asgjë, përveç arsyetimeve se çmimet i rregullon tregu, konkurrenca dhe ekonomia e lirë.

“Viktima të ngritjeve të tilla të egra janë edhe qytetarët konsumatorë të varfër të cilët kërkojnë shpëtim me lëmosha nga mërgimtarët” thotë për Gazetën Fjala udhëheqësi i organizatës.

ASK: Rritje e çmimeve për 0.5%

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në një raport të publikuar për indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit, për tre mujorin e parë të vitit 2016, shihet se është shënuar një rritje në krahasim me vitin paraprak. Në raportin e ASK-së shkruan se çmimi i konsumit në vend është më i lartë për 0,5% në muajin janar 2016 krahasuar me muajin dhjetor 2015. Ndërkohë që shkalla e inflacionit e matur në muajin janar 2016 me muajin janar 2015 ishte 0,2%” .

Vetëm për muajin e parë të këtij viti, çmimet kanë shënuar rritje për 0.5% në krahasim, me muajin dhjetor të vitit 2015. Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet siç janë pemët (2,5%), perimet (3,3%) dhe pijet alkoolike (1,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,3 për qind në IHÇK-it.

Po ashtu edhe nëngrupet si mishi, vajërat dhe yndyrat, sheqeri dhe ëmbëlsirat, uji mineral, pijet jooalkolike, lëngjet nga pemët dhe përimet, pijet alkoolike, duhani, veshjet, prodhimet dhe pajisjet mjekësore kanë pësuar rritje për 1.5%. /Gazeta Fjala/

(Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-te-lodhur-nga-cmimet-e-larta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala