Kosovarët që nuk e duan shtetësinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Numri i kosovarëve që  duan të braktisin atdheun  e tyre  e të lirohen nga shtetësia kosovare po rritet dita-ditës.

Vetëm për tre muajt  e parë të këtij viti 894 qytetarë i janë drejtuar zyrave të Divizionit të Shtetësisë për tu liruar nga ajo, shkruan Gazeta Fjala.

Prej këtyre kërkesave sipas raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë refuzuar 16.

Në pritje janë 55 kurse të tjerat janë miratuar.

Shteti me të cilin më së shumti po e ndrrojnë vendlindjen është Gjermania, me 728 kërkesa për lirim.

Kurse edhe në shtetin austriak janë 58 individë që e  kanë dhënë prioritet të kenë shtetësi austriake e të braktisin atë kosovare.

Ajo që i detyron këta qytetarë të migrojnë nëpër vende të tjera është mungesa e mirëqenies dhe kushtet e rënda socio-ekonomike, thonë sociologët dhe njohësit e ekonomisë.

Braktisin Kosovën nga mungesa e perspektives

Gjendja e rëndë ekonomikë, mungesa e perspektives, dhe ofrimit të mirëqenies janë disa nga arsyet të cilat sipas sociologëve po ndikojnë që kosovarët të trokasin në tjera vende për t’i gjetur mirëqenie vetës.

Sipas sociologut, Ferdi Kamberi, në çdo vend të botës qytetarët vendosin që ta braktisin vendin e origjinës qoftë fizikisht ashtu edhe sipas neneve ligjore.

Por, qytetarët e Kosovës i detyron të mbesin pa nënshtetësi të vendit të tyre më shuëm periudha e tranzicionit, zbrastia sociale.

Kamberi tregon se edhe GDP e ulët në raport me shtetet e rajonit  ndikon që këta qytetarë të marrin rrugë për në vende të tjera të botës.

Të ardhurat mesatare në Kosovë  sipas të dhënave sillen rreth 350 euro, që sipas Kamberit janë arsye për të synuar paga më të lartë në shtete tjera ku mesatarja sillet rreth 1,500 euro.

Kurse njohësi i çështjeve të sigurisë Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë nuk mendon se faktori ekonomik është një ndër kryesorët për marrjen e  vendimit për heqje dorë nga shtetësia .

“Kjo pasi qe personat qe aplikojnë për shtetësi të re në të shumtën e rasteve tashmë kanë ndërtuar jetë të re në shtetin ku ata aplikojnë. Andaj, edhe përmiresimi i gjendjës ekonomike e sociale në Kosovë mund të mos ndikonte në ndërrimin e qëndrimit te tyre”, ka shtuar ai.

Megjithatë, sipas tij ka edhe raste të tilla kur persona të caktuar ja arrijnë të aplikojnë me dokumente të falsifikuara të identifikimit, e në këto raste mund të ndodh që persona të cilët kanë kryer ndonjë krim në vendin e origjinës mund të fitojnë shtetësinë e vendit të tretë.

Sipas Vrajollit në shumë vende të botës nuk lejohet që një qytetar të ketë dy shtetësi.

“Në anën tjetër, përkundër faktit që Kosova i lejon qytetarët e saj të mbajnë shtetësinë  të dyfishta, ka shumë vende në botë të cilat nuk pranojnë shtetësi të dyfishtë”, ka deklaruar Vrajolli.

Edhe vizat shkak i braktisjës së shtetësisë

Derisa një gjë që ndikon të lënë shtetësine sipas Socilogut Kamberi janë edhe martesat e ndryshme dhe procedurat e shteteve amë të cilët nuk lejojnë që të kenë më shumë se një ose dy nënshtetësi.

Marrja e këtij vendimi të tilëe paraqet edhe probleme emocionale duke i vënë theks të veçantë nërlidhjes me vetëlindjen, rrethin social, integrimin në shoëqrinë e Kosovës, elemetë që në vende tjera nuk mund të gjenden thotë Kamberi.

Blerim Burjani njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë për Gazetën Fjala se në disa shtete kushtëzojnë shtetasit që kanë dy shtetësi duke i kërkuar që të heqin dorë nga njëra si në rastin e Zvicrës për shfrytëzimin e disa të drejtave.

“Ka qytetar të Kosovës që po heqin dorë prej shtetësisë për shkak të liberalizimit të vizave që janë berë  nga BE-ja, për disa shtete të regjionit ”, ka deklaruar ai, për Gazetën Fjala.

Ata që  vendosin të largohen nga shtetësia  i ndjekin disa procedura nga organet e rendit dhe ligjit te vendit te origjines, gjë që e vështirëson ndërrimin e  identitetit për shkaqe të kryerjes së ndonjë krimi.

Ndërsa në 7 vjetët e fundit, rreth 32 mijë kosovarë kanë heqë dorë nga nënshtetësia kosovare./GazetaFjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-qe-nuk-e-duan-shtetesine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala