Kosovarët po e duan dredhëzën

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosovës për çdo vit po i shtohen sipërfaqet e mbjellura me dredhëza.  Kultivimi i dredhëzave kohëve të fundit është shndërruar në biznes tejet fitimprurës për fermerët kosovarë. Thuajse në gjithë territorin e Kosovës janë ngritur sera të mëdha ku në to po kultivohen dredhëzat vendore.

Bile viteve të fundit ka nisur të bij edhe importi e të rritet eksporti.

Fermeri Idriz Balaj nga komuna e Podujevës tregon për Gazetën Fjala se është duke ia parë hajrin kultivimit të dredhëzës. Madje ai thotë se për kultivimin e saj janë të angazhuar krejt familja. Balaj thotë se me 30 ari dredhëza merr goxha para.

“ Nuk është për tu ankuar. Gjatë kësaj sezone të gjithë familja punojmë me dredhëza. Punë ka mjaft por e mira e kësaj është se të gjitha po shiten. Edhe para goxha të mira po na sjellin”, thotë ai.

Balaj tregon se shitjen e dredhëzës e bajun vetë, duke e dërguar atë nëpër tregjet e komunës së tij, por edhe në Prishtinë.

“ Dalim çdo ditë në Prishtinë dhe shesim dredhëza. Të njëjtën gjë e bëjmë edhe në Podujevë”, thotë fermeri Balaj.

Nga kultivimi i dredhëzës jetojnë edhe familja Mazreku nga Malisheva. Durimi, njëri nga anëtarët e kësaj familje, vjen çdo ditë në Prishtinë për të shitur dredhëzat.

Ai tregon se nga kjo punë po u sjell të ardhura sa për të jetuar.

“Nuk është që nuk fitojmë, ama kjo punë është sezonale edhe kur ndërpritet duhet ato para qa i kem fitu me i menaxhu edhe për kohen kur s’kemi punë. Është biznes familjar ka shpenzime por ia vlen me i shit në Prishtinë se në Malishevë më dobët është”, tregon Durimi.

Përkrahje kultivuesve të dredhëses u ka dhënë edhe vet ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi.  Ai thënë se për herë të parë prej këtij viti, përveç me grante, po mbështeten edhe me subvencione, me nga 400 euro për hektarë.

“Ka një potencial të madh në këtë sektor për rritje të prodhimtarisë, e që do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës dhe padyshim rritjen e vendeve të punës. Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të mbështesë edhe më shumë këtë sektor, sepse është sektor që po rritet në vazhdimësi, po gjeneron punësim dhe ka potencial pasi edhe cilësia po rritet dhe po arrijmë gradualisht të zëvendësojmë importin”, ka thënë Krasniqi.

Trendi i rritjes së sipërfaqeve me këtë kulturë potencohet edhe nga Ministria e Bujqësisë. Sipas MBPZHR-së në vitin 2007 është mbjellë rreth 50 hektarë tokë bujqësore me dredhëz dhe prodhimtaria e saj ishte 350 ton, ndërsa në vitin e kaluar është mbjellë në një sipërfaqe prej 163 hektarëve, ku me një rendiment mesatar prej 10 ton për hektarë, prodhimtaria e saj ka qenë rreth 1630 ton, që tregon rritjen e tokës së punueshme me këtë kulturë. Derisa, gjatë këtij viti është thënë se janë mbi 160 hektar tokë ku kultivohen dredhëza.

Kurse, se vetëm në vitin 2014 janë eksportuar rreth 19 tonë dredhëza. Derisa, në vitin 2013 Kosova ka importuar 214 ton dredhëza të freskëta që krahasuar me vitin 2012 sasia e importuar është rreth 16% më e lartë. Ndërsa nga Prilli 2014 deri në Dhjetor importi ka rënë në 120 ton. Vlera e importit të dredhëzës së freskët në vitin 2013  ishte  213,262 euro./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-po-e-duan-dredhezen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala