Kosovarët përgatiten për t`ia mësyrë zonës Shengen

Autori:Gazeta Fjala

 

Vetëm një javë pas kumtimit të lajmit se Bashkimi Evropian jep rekomandimin për liberalizimin e vizave, kosovarët kanë filluar seriozisht përgatitjet.

Vetëm për shtatë ditë në zyrat për pasaporta në tërë komunat e Kosovës janë regjistruar mbi 10 mijë kërkesa për pasaporta biometrike, shkruan Gazeta Fjala.

“Prej datës 03.05.2016 deri më 10.05.2016 aplikime për pasaporta biometrike janë 10 mijë 227”, tha Prend Gojani Administrator i Lartë i Bazës së të Dhënave në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Pasaporta biometrike është njëri nga kushtet që duhet të plotësoj një kosovarë që të mund të udhëtoj në zonën shengen, pas votimit final në Parlamentin Evropian.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të udhëtojnë në shtete të Evropës deri në 90 ditë, çdo gjashtë muaj, por pa të drejtë pune.

Pavarësisht se ditën kur u dha lajmi për rekomandim u raportua se ka mungesë të materialit për pasaportën biometrike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se mund t`i plotësojnë të gjitha kërkesat e qytetarëve.

“Pasaporta ka mjaftueshëm”, tha Prend Gojani.

Gjithashtu është vërejtur se kërkesat për pasaporta ishin rritur edhe para datës 4 maj kur BE konfirmoj rekomandimin.

Nga janari deri në prill të këtij viti kishin qenë 48 mijë kërkesa krahasuar me të njëjtën të vitit të kaluar është shënuar një rritje.

“Për periudhën Janar -Prill 2015 aplikime  pasaporta biometrike kane qene 47 mijë e 338”, tha Gojani.

Kompanitë e sigurimeve do tu rritet puna

Nga ana tjetër kompanitë e sigurimeve në Kosovë e presin që do të ketë edhe rritje të sigurimeve të shitura.

Polica e sigurimit të shëndetit në udhëtim do të jetë obligative. Ky sigurim në shtetet e Schengen-it siguron se personat që vizitojnë ato nuk do të bëhen barrë e shtetit në rast të ndonjë sëmundje, aksidenti apo vdekje e këtyre vizitorëve, por që shpenzimet e tyre do të paguhen nga kompanitë e sigurimeve të vendeve prej nga vijnë.

Rrahim Pacolli nga kompania e sigurimeve “Siguria” tha se sapo të ndodhë liberalizimi, parashikojnë të kenë numër më të madh të policave të shitura si rrjedhojë e të intersuarve që do të lëvizin drejt vendeve të Shengen-it.

“Çmimi për sigurimin e shëndetit në udhëtim varion varësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit dhe mosha e klientëve. Fillon nga 4 Euro – 84 Euro për person”, tha Pacolli.

Ai nuk ka treguar se a do të ketë ngritje të çmimit të polisave port ha se kjo varet nga secila kompani veç e veç se si do të vendos për to.

“Çmimet përcaktohen nga kompanitë duke marrë për bazë shumë parametra, ku ndër to është edhe historiku i dëmeve. Kompanitë e sigurimeve do të përcjellin me kujdes trendet e humbjeve/shpenzimeve dhe do të vendosin përkitazi”, tha Pacolli.

Kosova është vendi i fundit në rajon që fiton rekomandimin për të lëvizur lirshëm.

Gjatë kohës kur Hashim Thaçi, ishte kryeministër i vendit në nëntor të vitit 2010, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme premtonte liberalizimin brenda një periudhe të shkurtër.  Tha se kosovarët do të lëviznin pa viza brenda 15 muajve, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Në vitin 2012, Kosova mori vetëm udhërrëfyesin për heqjen e vizave. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-pergatiten-per-tia-mesyre-zones-shengen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala