Kosovarët me nga 10 ari tokë

Autori:Avdyl Pajaziti

Sikur të gjithë kosovarët ti ktheheshin bujqësisë dhe çdo pëllëmbë toke të punohej në vend, vështirë që përsëri Kosova të mund të siguronte bukën e vet.

Shteti më i ri në Evropë, ka katër herë më pakë tokë se mesatarja e secilit shtet të Bashkimit Evropian, për kokë banori. Madje është i fundit në listë edhe me vendet e rajonit me 0.10 hektarë tokë për kokë banori.

Sipërfaqja e tokës së punueshme – arave për një banor në Kosovë është mjaft e ulët. Nga 512 mijë hektarë tokë sa ka në tërësi në Kosovë, të dhënat e regjistrimit të bujqësisë tregojnë se aktualisht në vend shfrytëzohen 413 mijë hektarë nga 362 700 persona të angazhuar në bujqësi.

“Madhësia mesatare e Ekonomisë Bujqësore në Kosovë, sa i përket sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore, është shumë më e vogël sesa në shumicën e shteteve të BE-së, por është e ngjashme me shtetet fqinje. Madhësia mesatare e Ekonomisë Bujqësore në Kosovë është 4 herë më e vogël sesa mesatarja në BE”, thuhet në raport.

toka

Kurse, nga degradimi i tokës bujqësore, përfaqësues të sindikatave të bujqve në vend  kanë treguar se Kosova po vihet në një pozitë mjaft të vështirë sa i përket sektorit të bujqësisë.

Ata tregojnë se në vit, deri në 1 mijë hektarë tokë bujqësore shndërrohen në zona industriale, në banesa kolektive apo objekte afariste e komerciale.

Rajonet më të prekura nga ky fenomen, thuhet të jenë përgjatë rrugës Prishtinë – Shkup.

E për sa i përket tokës së punueshme –arave, sipas raportit të regjistrimit të bujqësisë  madhësia e ekonomisë bujqësore është 8 herë më e vogël se mesatarja në BE, shkruan Gazeta Fjala.

12395208_10208039378011124_1389263464_n

“Ekonomitë me 0-0.5 ha të tokës së punueshme janë më të shpeshtat (35.3%), ndërsa shumica e tokës së punueshme është kultivuar nga Ekonomitë Bujqësore me 2-5 ha të tokës së punueshme”.

Në këtë raport tregohet po ashtu se në gjithsej sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore, pjesa më e madhe i përket livadheve dhe kullosave , që pasohen nga toka e punueshme – arat, kulturat shumëvjeçare  dhe kopshtet.

“Toka e punueshme – arat në Kosovë përbën 43.6 per qind të tërë sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore”.

Rajoni me më së shumti sipërfaqe të tokës së punueshme – ara është Prishtina, me 27.7 për qind, thuhet në raport.

Kurse, sipërfaqja më e madhe e tokës së punueshme – arave është me drithëra kokërr.

“Drithërat kokërr janë mbjellë në 73.2% (131 949 ha) të sipërfaqes së tokës së punueshme. Grupi i dytë, më i rëndësishëm, i kulturave në tokën e punueshme – ara janë kulturat foragjere me 26 554 ha (14.7%)”./Gazeta Fjala/.

toka1

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-me-nga-10-ari-toke/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala