Kosovarët konsumojnë kumbulla të Serbisë e Maqedonisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Nuk ka oborr të familjeve kosovare që nuk e kanë të mbjellur nga një trup të kumbullës.  Madje, edhe kultivimin e saj mund ta bësh në çdo vend të Kosovës.

Mirëpo, edhe përkundër këtij fakti tregun vendor me kumbulla përsëri po e mbushin shtetet e huaja.

“Në vitin 2013 përkatësisht nga Korriku i vitit 2013 deri në Qershor të vitit 2014 kumbulla e freskët është importuar kryesisht nga Serbia (46%), nga Maqedonia (39%), nga Shqipëria (10%) si dhe pjesa tjetër prej 5% nga vendet e tjera si: Greqia, Italia, Turqia ejt”, thuhet në një raport të Ministrisë së Bujqësisë të bërë për tregun e kumbullës.

Në këtë raport është treguar po ashtu se në vitin 2013 Kosova ka importuar 299 ton kumbulla të freskëta që krahasuar me vitin 2012 sasia e importuar është rreth 7 për qind më e ulët. Vlera e importit të kumbullës së freskët në vitin 2013 ka qenë 124 mijë e 718 euro.

Veç 1 mijë e 947 euro eksport

E, më e keqja e gjithë kësaj është se Kosova nga viti i kaluar e deri më tani nuk ka arritur ta eksportoj   asnjë kokërr kumbull në shtetet e rajonit.

Siç ka treguar Ministria e Bujqësisë nga korriku  i vitit të kaluar e deri në mars 2015 nuk ka pasur eksport të kumbullës.

Derisa, është thënë se Kosova sasinë më të madhe të eksportit të kumbullës e ka pasur gjatë viteve 2012 dhe 2013.

Por, që edhe kjo sasi është mjaft e vogël nëse krahasohet me importin.

“Në vitin 2013 Kosova ka eksportuar 7.7 ton kumbulla dhe e tërë kjo sasi ka qenë kumbull e freskët që krahasuar me vitin 2012 sasia e eksportuar është dukshëm më e madhe. Në vitin 2012 për dallim nga viti 2013 pjesa më e madhe e eksportit ka qenë në ekuivalent të kumbullës ndërsa rreth 1.6 ton ka qenë kumbull e freskët”.

Kurse, vlera monetare e krejt këtij eksportit të kumbullës në vitin 2013 ka qenë  vetëm 1 mijë e 947 euro.

24 ton prodhim, mbi 299 tonë import

Në këtë raport të Ministrisë së Bujqësisë është treguar po ashtu se në vitin 2013 në Kosovë rreth 22 per qind e sipërfaqes ishte mbjellur me kumbull përkatësisht 1,843 ha apo 31 për qind më shumë, krahasuar me vitin paraprak që ishte rreth 1,404 ha.

Por, sipas këtij institucioni bazuar në të dhënat e Agjensionit të Statistikave të Kosovës prodhimtaria e kumbullës për vitin 2013 ishte mbi 24 ton. Kurse, gjatë kësaj kohe Kosova ka importuar mbi 299 ton kumbull.

Çmimet e kumbullës së importuar dhe vendore

Kumbulla vendore fillon të jetë në treg nga fundi i muajit korrik. Çmimet e tregut të kumbullës për varietetin pozhegra sillen nga 0.69 € deri në 0.97 €, ndërsa ato të varietetit prune sillen nga 0.63 € deri në 0.97 €.

Kurse, kumbulla e importuar gjendet në tregun tonë gjatë gjithë kohës e edhe kur kumbulla vendore është e pranishme në treg. Çmimet e importit të kumbullës në Kosovë për varietetin pozhegra janë sjellur nga 0.73 € në muajin janar, duke vazhduar me këtë mesatare edhe në muajt e tjerë gjatë vitit deri në muajin Dhjetor ku paraqitet me çmim prej 4.88 €, ndërsa sa i përket varietetit prune çmimet janë sjellur nga 2.65 € në muajin Janar, duke shënuar zbritje në muajt kur kumbulla vendore është në treg në 0.76 €, dhe duke vazhduar me ngritje në muajt pasues./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosovaret-konsumojne-kumbulla-te-serbise-e-maqedonise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala