Kosova “ua falë” pasuritë uzurpatorëve në Serbi

Autori:Gazeta Fjala

 

Lista e uzurpatorëve aktual të pronës shoqërore në Kosovë e publikuar nga Agjencia e Privatizimit ka lënë jashtë saj pasuritë e vendit që nuk ndodhen në territorin e vendit.

Në asnjërën nga listat publike nuk janë përmendur shfrytëzuesit e as pronat e ndërmarrjeve shoqërore, të cilat nuk i ka në kontrollë Qeveria e Kosovës në shtetet e rajonit.

Në fakt numri i tyre është më i madh se i uzurpatorëve brenda territorit të Kosovës, bazuar në listat e publikuara nga AKP, raporton Gazeta Fjala.

Sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në territorin e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi – 42, 15 në Bosnje e Hercegovinë, 6 në Kroaci, 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.

Ndërkaq, brenda vendit AKP në listën e fundit ka publikuar se janë gjithsëjtë 170 prona të uzurpuara nga 170 persona.

Të regjistruara nga agjencia si pasuri të uzurpuara, në dokumentet që posedon Gazeta Fjala figurojnë “Marketing Export”, “Kosova Sirovina”, “Urata”, “Derma Commerce” si dhe objektet e Jugobanka-s, por tani duket se shteti “ka hequr dorë” nga to.

Këto prona të uzurpuara i fshiu nga lista AKP

Megjithëse në listën fillestare të uzurpuara figuronin 12 pika të ndërmarrjes shoqërore “Marketing Export”, tash ato janë fshirë, raporton Gazeta Fjala.

Ato ndodhen në Podgoricë, Nikshic, Bjelopolje, Stara Pazova, Zajecar, Novi Beograd, Beograd, Bor, Kralevo, Beograd, Aleksinac, Prokuplje.

AKP nuk ka informata se kush janë uzurpatorët, por ato shfrytëzohen paligjshëm që nga viti 1999.

Një ndërmarrje tjetër shoqërore “Kosova Sirovina” në katër pika të saj figuron të jetë e uzurpuar në listën që posedon Gazeta Fjala.

Ato të gjitha gjenden jashtë territorit të Kosovës. Një pikë e saj ndodhet në Niksic të Malit të Zi me okupues punëtorët e njësisë e cila posedon tokë dhe ndërtesë.

Ndërkohë që tri pika tjera ndodhen në Beograd, Kraljevo dhe Kragujevc që të tria mbeten të okupuara nga strukturat paralele.

Nga Strukturat paralele figurojnë të jenë shfrytëzuar tri zyra të Jugobanka-s, në Zvecan, Leposavic dhe Zubin Potok. Këto tri objekte ishin tenderuar në valën e 53 të privatizimit.

Ndërmarrja shoqërore “Urata” ka katër pika të uzurpuara.

Tri prej tyre në Qagllavicë dhe një në Llapjë sello. Si dhe një në Gracanicë nga Nazif Berisha të gjitha që nga viti 2007.

Ndërmarrja “Derma Commerce” në  Kamenove të Malit të  Zi me uzurpues të pa njohur tokë me sipërfaqe 385 metër në katrorë.

Por shteti asesi nuk i ka harruar pronat e huaja që shfrytëzohen paligjshëm në Kosovë, në mesin e të cilave janë 29 pika të “INA-Trogovina Zagreb”.

Kosova Petroli pronë e Bedri Selmanit figuron si kryesorja  më gjithsej 22 të tilla ndërkohë që 5 prej tyre nuk u dihet uzurpatori ndërsa një pikë është e uzurpuar nga Beopetrol dhe një nga Unimik. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosova-ua-fale-pasurite-uzurpatoreve-ne-serbi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala