Kosova po i përzë investitorët

Autori:Gazeta Fjala

Investitorët gjerman ia kanë frikën Kosovës. Ata ende e kanë të freskët rastin e largimit të kompanisë gjermane “RWE” nga procesi i tenderimit për termocentralin “Kosova e Re”.

Vendi më i ri në Evropë, gjashtë vite pas këtij rasti, vazhdon të ketë imazh të keq për  afaristët e këtij shteti. Ata i druhen korrupsionit të lartë, mos funksionimit të ligjit dhe përzierjes së politikës në biznes.

Samir Krasniqi kryetar i odës gjermano-kosovare, institucion që ofron mbështetje për bizneset e këtij vendi thotë se Kosova nuk është shumë mikpritëse e investuesve të huaj.

Sipas tij, Kosovës në fushën ekonomike i mbetet shumë për të bërë, në mënyrë që në një të ardhme më të largët të jetë në pozicionin e merituar si shtet. Pasi, vlerëson se, në një të ardhme më të afërt pothuajse nuk ka shumë gjasa.

“Të paktën jo, me këso qasje shtetërore ndaj biznesit dhe zhvillimit ekonomik”, tha Krasniqi për Gazetën Fjala.

Këtë, sipas Krasniqit e dëshmon edhe raporti i fundit i Bankës Botërore, që flet për një përkeqësim të përgjithshëm të ambientit por edhe Raporti i Progresit i para disa ditësh, që evidenton probleme tepër serioze në sferën ekonomike.

Ai thotë se problemet që ishin përmendur në një anketë që ishte bërë para dy viteve me bizneset gjermane, ku Kosova ishte cilësuar si vend jo atraktiv për bizneset-vazhdojnë edhe sot.

Krasniqi thotë se vërejtjet rreth korrupsionit, prokurimit publik, por edhe edukimit të fuqisë punëtore nuk janë të supozuara dhe se sipas tij e keqja vazhdon pasi as në këtë kohë nuk vërehet ndonjë ndryshim prej para dy vjetësh-evituar pak infrastrukturën.

“Për fat të keq kohëve të fundit në vend, është shënuar edhe më shumë degradim, sidomos gjatë vitit 2014 si pasojë e rrethanave politike bllokuese nëpër të cilat kaluam”, tha ai.

Investitorët e pasigurt

Raportet zyrtare që promovojnë rritje ekonomike në këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, nuk  duhet të merren shumë pozitive pasi që sipas Krasniqit nuk do të duhej të bëhej krahasimi me një vit të dështuar që kishte rritje ekonomike prej vetëm 1përqind, shkaku i bllokadës politike.

Krasniqi ka theksuar se si vend për veç shumë pak rasteve të mikpritjes, ka pasur raste edhe që janë përzënë investuesit e huaj. Ai përmend rastet e dy investitorëve si “RWE”, apo “Draexlmaier”

“Ato shëtitën Kosovën, u vendosen në objekte dhe në fund ikën, këto paraqesin rastet më të këqija të mundshme dhe një shembull klasik se si nuk duhet të trajtohen bizneset e huaja”, tha Krasniqi.

Ikja e këtyre kompanive, sipas tij nuk paraqet vetëm humbje monetare apo humbje e vendeve të punës, por shënon një njollë të madhe në imazhin e Kosovës, pasi që shërbejnë si dëshmi mossuksesi dhe kundër argument i fuqishëm ndaj klimës investuese në Kosovë.

“Për të thithur investimet e huaja, duhet të krijohet ambient vërtetë më miqësor. Elementi qenësor që një investitor e bën të ndjehet rehat është aspekti i sigurisë, si forcimi ligjor i shtetit, luftimi i korrupsionit dhe dukurive negative të këtyre natyrave”, propozon Krasniqi.

Qeverisja Mustafa nuk dallon nga ajo e Thaçit

Ndërkohë që situata sipas tij është e rëndë ka pasur edhe investime serioze të kompanive gjermane në Kosovë. Në atë që ai e ka konsideruar si investimi i vitit gjermano-shqiptarë, përmend  ndërtimin e një fabrikë për prodhimin e paneleve solare e pajisjeve tjera përcjellëse për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

“Kjo kompani, e cila po bën një investim prej rreth 10 milionë eurove dhe është në fazën finale të investimeve, do të angazhojë në punë rreth 100 kosovarë. Pjesa dërrmuese e prodhimit të tyre, është e destinuar për eksport dhe ka gjetur treg të mjaftueshëm, pasi licencimi i produktit do të bëhet me standardet më të larta botërore nga institucionet gjermane”, tha Krasniqi.

Ai e ka përmendur edhe projektin e kompanisë gjermane “Bilfinger“, e cila ka shprehur interesim për rikonstruktimin e tërësishëm të Termocentralit “Kosova A“, projekt që për momentin është ende pezull. Ai bëri me dije se ka edhe biznese tjera gjermane që janë në procese të investimeve, të hulumtimit të tregut apo edhe në pritje të procedurave të natyrave të ndryshme.

Krasniqi i sheh si pozitive disa nisma nga qeveria Mustafa, dhe se ai ka kohë për të dëshmuar të kundërtën e modelit që sipas tij është instaluar nga qeverisja e kaluar.

Por thotë se veprimet e ndërmarra deri tash janë jo të mjaftueshëm e që nuk kanë dhënë elemente të shkëputjes së kësaj qeverisjeje nga paraprakja,  “nga një mentalitet vetëkënaqësie dhe mos kokë qarëse për zhvillimin ekonomik të vendit, pa i kushtuar hapësirën e vëmendjen e nevojshme kësaj fushe”.

“Kemi disa ndryshime fiskale, të cilat qeveria i trumbeton si një rezultat të jashtëzakonshëm”.

Ai sugjeron qeverinë të orientohet në çështje jetike siç janë lufta kundër informalitetit, ndihma për prodhuesin dhe prodhimet vendore, joshja e investitorëve të huaj me projekte konkrete, luftimi i të gjitha dukurive negative duke i lënë fjalën e fundit vetëm respektimit të ligjit.

Ndërkohë Krasniqi i pyetur për mundësitë për punësim që mund të kenë kosovarët e larguar masovikisht gjatë dimrit për në Gjeramani, ka thënë se pavarësisht se ky shtet ka shumë nevojë për fuqitë punëtore, të ikurit ilegal kanë pak gjasa të punësohen.

“Ka mundësi tjera, legale që profesionist të fushave të ndryshme të mund të shkojnë, të akomodohen dhe të gjejnë vende të punës. Sa për kujtesë, Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, këtë vit ka organizuar dhe përmbyllur me sukses programin “Ausbildung” duke u mundësuar të rinjve kosovarë që në rrugë ligjore të shkojnë në Gjermani”, tha ai. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosova-po-i-perze-investitoret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala