Kosova injoron organizatat e bashkëpunimit rajonal

Autori:Gazeta Fjala

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është parë të jetë më e angazhuar se zakonisht muajve të fundit derisa Kosova është duke bërë përpjekje për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë, dhe Kulturë (UNESCO).

Në këtë frymë, zyrtarë qeveritar kanë shprehur optimizmin e tyre se Kosova shumë shpejt do të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme.

Por, është një numër i konsiderueshëm i organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale në të cilat interesat e shtetit të Kosovës mbeten ende të papërfaqësuara.

Për më tepër, Kosova nuk bënë pjesë as në ato organizata ku shumica absolute e anëtareve janë shtete të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe me të cilat vendi ka marrëdhënie normale diplomatike.

Pas një hulumtimi të shkurtë në internet, mësojme së Kosova nuk është anëtare e iniciativave të ndryshme që për qëllim kanë bashkëpunimin rajonal në luftën kundër korrupsionit, parandalimin e katastrofave natyrore, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të tjera.

Në mars të këtij viti, Grupi për Studime Juridike dhe Politike në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, kishin publikuar një raport rreth rëndësisë që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtre për bashkëpunim policor (ONBP).

Tri nga këto organizatat e ONBP-së janë rajonale:  Sekretariati i Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, Qendra e Evropës Juglindore e Zbatimit të Ligjit, Asociacioni i Shefave Policorë të Evropës Juglindore.

Të tjera organizata rajonale ku Kosova nuk bënë pjesë janë edhe Nisma Rajonale e Luftës Kundër Korrupsionit, Nisma e Evropës Juglindore për Parandalimin dhe Gatishmërinë për përballje me Fatkeqësi, Rrjeti Shëndetësor i Evropës Juglindor, Qendra për  Shërbime të Punësimit Publik e Evropës Juglindore, e të tjera.

Gazmend Qorraj, profesor universitar dhe njohës i çështjes së integrimeve Evropiane, ka thënë se anëtarësimi në organizata rajonale është i rëndësishëm sidomos për trajtimin e problemeve që nuk mund të trajtohen ndaras nga shtetet.

“Anëtarësimi i Kosoves në organizatat rajonale është i rëndësishem pasi që shumë probleme dhe fenomene që ndodhin në Ballkanin Perëndimor, si problemet e trafikimit, korrupsionit, sigurisë rajonale, krimit të organizuar nuk mund të adresohen vetëm prej një vendi por duhet adresuar nga te gjitha vendet në menyrë të koordinuar dhe organizuar,” ka sqaruar ai.

Sipas tij, ka pasur pritje që anëtarësimi i Kosovës në iniciativa të ndryshme të intensifikohet pas marrëvseshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë në dialogun politik në Bruksel.

Njëra nga këto marrëveshje garantonte se Serbia nuk do të bllokonte anëtarësimin e Kosovës në iniciativa rajonale.

“Në disa prej këtyre iniciativave ka pasur rezistencë por ka ende rezistencë prej Serbisë por edhe ndonjë vendi tjetër për antarësimin e Kosovës edhe përkundër pretendimeve që pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë dhe fusnotës eshte menduar se antarësimi ne organizatat rajonale do te jete me i lehte”.

Nga Bashkimi Evropian është përmendur shpesh fakti se një nga kushtet për avansim drejt integrimit në Bashkim Evropian për vendet aspiruese ka të bëje me bashkëpunimin fqinjësor.

Gazeta Fjala ka tentuar që të marrë përgjigje nga Ministria e Jashtme rreth kësaj cështje, por deri më tani këta të fundit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje interesimit të gazetës.

Angazhimi i MPJ-së të jetë i njejtë edhe për Këshillin e Evropës

Në qershor të vitit 2013, ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj pati deklaruar se Kosova ka mbështetjen e dy të tretave të votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një nga organizatat më të rëndësishme në Evropë, dhe se për këtë, do të aplikohej brenda disa javësh.

“Këshilli i Evropës i ka 47 anëtarë. Prej këtyre 47 anëtarëve, neve na duhen dy të tretat, ku bëjnë pjesë 34 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Por, edhe në mesin e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën do të ketë që do të votojnë pro anëtarësimit të saj në Këshill të Evropës,” kishte thënë Hoxhaj në një intevistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Këshilli i Evropës është organizatë e ndarë nga Bashkimi Evropian, që është themeluar në vitin 1949.  Qëllimi kryesor i kësaj organizate është mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokarcia, sundimi i ligjit dhe me 47 shtetet anëtare të saj, mbulon mbi 800 milion banorë.

Në fund të vitit 2014, edhe Zëvendëskryeministër i Kosovës, njëherësh ministri tanishëm i Punëve të Jashtme, Hashim Thaci, kishte deklaraur se Kosova do të aplikojë për anëtarësim brenda tre muajve.

Deklaratat e asnjërit të diplomatëve nuk kanë dalur të vërteta.

Por, profesori Qorraj vlerëson se angazhimi që Kosova ka pasur kohëve të fundit për anëtarësim në UNESCO duhet të vazhdojë edhe për Këshillin e Evropës. Ai ka përmendur edhe përfaqësite e Kosovës në botë si mundësi e mirë për të lobuar rreth kësaj cështje.

“Unë konsideroj se ky anagazhim duhet të vazhdoj në mënyre të vazhdueshme të organizuar dhe të koordinuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës por edhe në institucione tjera relevante,” ka thënë ai.

“Qeveria e Kosovës duhet të intensifikojë aktivitetet politike dhe diplomatike në koordinim me vendet mbështetëse në vend por nevojitet edhe një aktivitet shumë më intenziv dhe profesional i përfaqësive tona diplomatike nepër botë”.

MPJ nuk ka dhënë përgjgije as rreth interesimit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. /Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosova-injoron-organizatat-e-bashkepunimit-rajonal/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala