“Kosova e Re” vështirë e realizueshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe një dekadë pasi nisën muhabetet për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë asgjë konkrete nuk u bë.

Madje ka shumë gjasë që edhe për shumë vite të ardhshme vendi me rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë, të importoj energji elektrike.

Krejt kjo pasi projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, është në prag të dështimit. Institucionet financiare ndërkombëtare i druhen përsëritjes së historisë së nisur dhjetë vite më parë për të siguruar energji të mjaftueshme për qytetarët e Kosovës.

Qysh në kohën kur Ethem Çeku drejtonte Ministrin e Energjetikës u bën plane që në Kosovë të rigjenerohen kapacitetet ekzistuese dhe të ndërtohet një termocentral i ri prej 2100 megavatësh.

Që nga viti 2006 u ndërruan shumë qeveri e projekti “Kosova C” u bë “Kosova e Re”. Por veç emrit disa herë ndryshuan edhe planet e strategjitë për kapacitetet e prodhimit të energjisë.

Aktualisht parashikohet që të prodhohen 300+300 megavat orë energji elektrike.

Për ndërtimin e këtyre kapaciteteve në garë është vetëm një kompani që do ti hyjë punës për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Ajo është Contour Global nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka bërë të ditur se Komiteti Drejtues i Projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, pas vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare nga këshilltari i transaksionit dhe ai strategjik, i ka dhënë dritën e gjelbër ofertuesit me çka kalohet në fazën e bisedimeve të drejtpërdrejta me të për definimin e çështjeve të hapura.

“Pas diskutimeve me ofertuesin për çështjet e hapura, marrëveshja e arritur do të kalojë në Komitetin Drejtues të projektit, në Qeveri dhe pastaj varësisht prej çështjeve që janë të precizuara edhe në Kuvendin e Kosovës”, tha ministri Stavileci, duke shtuar se çështjet të cilat duhet të diskutohen janë çështja e garancive, norma e brendshme e kthimit dhe fondi për zhvillimin e komunitetit.

Sipas tij, është pozitiv fakti se ofertuesi në pjesën e propozimit të tij, nga fondet vetanake do të investojë 1/3 e vlerës së projektit, derisa 2/3 vlerës tjetër do të siguroheshin nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga kreditorët e ndryshëm komercial.

Ministri Stavileci tha se ka një përparim në dinamikën e projektit, e cila varet edhe nga akterët e tjerë që mbështesin atë si BB, BERZH e institucione ndërkombëtare financiare, të cilat përveç kredive, mund të mbështesin projektin edhe në formë të garancive.

I pari i MZHE-së përsëriti se krahas ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese do të respektohet rregullativa e BE-së, caku 20:20:20, ndërkaq nënvizoi se procedurat e projektit Kosova e Re janë konfrom praktikave ndërkombëtare.

Contour Global, që ka seli në Nju Jork është zhvillues dhe operator i ndërmarrjeve të energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Contour Global ka në pronësi, menaxhon dhe operon një portofol prej 41 termocentraleve, me një kapacitet të instaluar prej 3,718 MW në operim dhe duke u ndërtuar. Portofoli i ContourGlobal shtrihet në 17 shtete dhe 4 kontinente.

Por pavarësisht kësaj në një institucion financiar ndërkombëtarë që përcollën nga afër krejt ecurinë e strategjisë energjetike pak janë optimist në realizimin e këtij projekti edhe nga qeveria aktuale.

Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters në një intervistë për Gazetën Fjala nuk është dukur fort optimist se edhe qeveria aktuale do të përfundoj këtë projekt të nisur një dekade me më parë.

“Projekti ka hyrë në një fazë të re. Ka një investitorë i cili ka shprehur interes për ta realizuar këtë investim. Për fat të keq ka pasur vetëm një investitorë, do të shpresoja të kishte më shumë. Por një është më mirë se hiç”, thotë Olters.

Shefi i Bankës Botërore ka kërkuar hapa konkret e të shpejt nëse institucionet kosovare duan ta qojnë në vend projektin Kosova e Re.

“Por kjo mbetet e vështirë dhe komplekse, jo kushtimisht nënkupton të qenurit pesimist. Vetëm është se një hap i rëndësishëm është bërë, dhe tani hapa të ri duhet të merren. Dhe të gjithë mendojnë se mund të ishte më e lehtë që të shkohet më shpejtë”, tha Olters.

Por paralelisht me këtë Jan Peter Olters ka kërkuar edhe menaxhim të mirë të sektorit të energjetikes.

“Energjia duhet të menaxhohet me kujdes.  Duke bërë energji me mençuri dhe duke bërë investime efiqente energjetike, të ruhet energjia aty ku ka mundësi sepse është pjesë shumë e rëndësishme” tha Olters për Gazetën Fjala.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosova-e-re-veshtire-e-realizueshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala