Kosova borxh deri në fyt

Autori:Avdyl Pajaziti

Gati sa gjysma e buxhetit të shtetit ka shkuar borxhi i Qeverisë së Kosovës.

Plotë 582.87 milionë euro është shuma të cilën qytetarët duhet ta paguajnë me taksat e tyre institucioneve financiare vendëse e ndërkombëtare.

Gazeta Fjala sjellë në detaje nivelin e borxhit dhe pagesat që janë bërë deri më tani.

Por kjo nuk mbaron me kaq, pasi Kosova ka nevojë për fonde të reja. Për ti siguruar ato Gazeta Fjala merr vesh se Qeveria e Kosovës shumë shpejtë do të nisë negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për të marrë një kredi qindra milionëshe.

Në Ministrinë e Financave tashmë kanë filluar përgatitjet për të rritur nivelin borxhit publik. Për këtë gjatë javës janë dakorduar edhe ministri i Financave të Kosovës Avdullah Hoti, e Guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza.

“Kosova ka nevojë për fonde që i mundësojnë hyrjen në kredi në Bankën Botërore, dhe jo për stabilitet makrofiskal, sepse Kosova ka stabilitet”, ka thënë Hoti.

Në fund të muajit dhjetor 2014 niveli i borxhit të përgjithshëm ishte në shumën 582.87 milion euro apo 10.63 për qind e Bruto Produktit të Brendshëm. Nga kjo shumë borxhi ndërkombëtar është 326.35 milion euro ndërsa borxhi i brendshëm është 256.52 milion euro.

Në fund të tremujorit të katërt të 2014, pjesa më e madhe e borxhit ndërkombëtar janë kryesisht kredi të huazuara nga IBRD, ndërsa pjesa tjetër e konsiderueshme është borxh ndaj FMN-së, IDA, KfW dhe UniCredit Austria.

Pagesat e borxhit

Sipas raportit vjetor financiar të buxhetit, në vitin 2014 janë bërë pagesa të borxhit qeveritar në shumë prej 34.8 milion euro. Megjithatë mbeten ende shumë para për tu paguar ndaj borxhlinjve.

Më së shumti atyre që janë trashëguar dhe servisimi ka filluar nga viti 2009.

Figurojnë 381 milionë euro borxhe ndaj Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim të cilës gjatë vitit 2014 i janë kthyer në emër të principalit 11.3 milionë euro dhe 8.4 milion euro interes.

Gazeta Fjala ka raportuar se krahas borxheve ndaj institucioneve financiare, Qeveria e Kosovës ka obligime të pa shlyera edhe ndaj operatorëve ekonomik dhe qytetarëve për vitin 2014.

Janë plotë 165 milionë euro të cilat kompanitë e ndryshme dhe qytetarët po ia kërkojnë shtetit për punët që i kanë kryer kryesisht gjatë fushatës zgjedhore.

Gazeta Fjala mëson se prej tyre 148 milionë euro janë borxhe të institucioneve të  nivelit qendror, ndërsa 17 milionë euro nga komunat. Ministria me Mjedisit dhe ajo e Bujqësisë janë dy borxhlinjët më të mëdhenjë.

E të hyrat nga Dogana dhe Administrata Tatimore duket se nuk do të jenë të mjaftueshme për përmbyllur vitin me bilanc pozitiv.

Për shkak të kësaj situate, Qeveria ka marrë masa që asnjë organizatë buxhetore të mos mund të krijojë shpenzime në rast se ato nuk janë të reflektuara në buxhet.

borxhi

Detajet e kredive të shtetit

Në raport vjetor financiar të buxhetit për vitin 2014, thuhet se “Kredia e Konsoliduar C ka filluar të kthehet në vitin 2009, po në këtë vit është para-paguar një pjesë e kredisë në shumën 123,711,413.70 euro, për para- agimin e së cilës kanë ndihmuar edhe donatorë të jashtëm; kështu ShBA ka ndihmuar me shumën 84,118,438.76 Euro dhe Komisioni Evropian në shumën 5,000,000.00 euro, ndërsa pjesa tjetër e mbetur, pra shuma 34,592,974.94 euro është paguar nga Buxheti i Kosovës.

Sa i përket pagesave sipas planit të amortizimit deri ne fund te vitit 2013 janë paguar 53.8 milionë euro në emër të principalit dhe 34.7 milionë euro në emër të interesit.

“Në vitin 2010, ShBA ka ndihmuar në pagesën e kësteve me shumën 9,133,521.92 euro, ndërsa në vitin 2011 me shumën 8,747,370.56 Euro, gjithashtu Qeveria e Zvicrës në vitin 2011 ka ndihmuar në pagesën e kësteve me shumën 534,264.14 euro”.

E tërë kredia duhet të kthehet në vitin 2031.

Gjithashtu, kredi Aranzhimi me FMN-në për kredi në shumën 22 milion euro ka filluar të kthehet në vitin 2013.

“Deri në fund te vitit 2013 janë paguar 2,656,013.95 euro ne mer te Principalit dhe 1,134,383.40 ne emër te interesit dhe tarifave tjera. Kjo kredi do te kthehet ne teresi gjatë vitit 2015”, thuhet në raport.

Ndërkaq shuma tjetër e huazuar nga FMN në vlerë 93.2 milionë euro ende nuk ka filluar të kthehet. Plani i amortizimit të saj fillon në vitin 2015 dhe përfundon në vitin 2017. Por për këtë shumë, deri ne fund të vitit 2013 janë paguar 1,566,703.90 euro interes.

Kredia për Projektin Modernizimi i Sektorit Publik ende nuk ka filluar te kthehet, palni i amortizimit të saj fillon në vitin 2020 dhe përfundon në vitin 2049. Deri në fund të vitit 2013 nuk ka pasur detyrime për pagesë që kanë rrjedhur nga kjo kredi.

Kredia për Projektin Regjistrimin e Pasurisë së Patundshme dhe Kadastër, ende nuk ka filluar të kthehet. Sipas planit të amortizimit kthimin i kredisë do të filloj në vitin 2020 dhe do të përfundoj në vitin 2049. Deri në fund te vitit 2013 për këtë kredi janë paguar 3,620.90 euro për interesin.

borxh 3

Kredia për Operacionin e Parë të Politikave për Zhvillimin e Qëndrueshem të Punësimit, ende nuk ka filluar te kthehet, sipas planit të amortizimit kthimin i kredisë do të filloj në vitin 2020 dhe do të përfundon ne vitin 2030. Deri ne fund te vitit 2013 per këtë kredi janë paguar 67,284.40 euro për interesin.

Kredia për Projekti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ende nuk ka filluar të kthehet, sipas planit të amortizimit kthimin i kredisë do të filloj në vitin 2021 dhe do të përfundoj në vitin 2031. Deri në fund të vitit 2013 për këtë kredi janë paguar 9,555.40 euro për interesin.

Kredia për Financim Shtesë për Fuqizimin e Sektorit Financiar dhe Infrastrukturën e Tregut ende nuk ka filluar të kthehet. Sipas planit të amortizimit kthimin i kredisë do të filloj në vitin 2021 dhe do të përfundoj në vitin 2031.

Deri në fund te vitit 2013 për këtë kredi janë paguar 22,126.4 euro për interesin.

Kredia për Pastrimi dhe Rikultivimi i Tokave ende nuk ka filluar te kthehet, sipas planit të amortizimit kthimin i kredisë do të filloj në vitin 2018 dhe do të përfundon ne vitin 2038. Deri në fund të vitit 2013 nuk ka pasur detyrime për pagesë që kanë rrjedhur nga kjo kredi.

Kredia për Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit ende nuk ka filluar të kthehet. Sipas planit të amortizimit kthimin i kredisë do të filloj në vitin 2023 dhe do të përfundon në vitin 2032. Kredi është e nënshkruar në vitin 2014.

Kredia Financim Shtesë për Fuqizimin e Sektorit Financiar dhe Infrastrukturën e Tregut II fillon të amortizohet në vitin 2021. Shuma e interesit dhe tarifave tjera deri në vitin 2013 është 0 euro. Kjo kredi ripaguhet në vitin 2031.

Kredia e Linjës së Transmisionit 400kë Kosovë-Shqipëri fillon të amortizohet nga viti 2016. Shuma e interesit dhe tarifave tjera të paguar deri në vitin 2013 është 311,666.7 euro. Kjo kredi ripaguhet në vitin 2024.

Kredia e Furnizimit me Ujë dhe Largimin e Ujërave të Zeza, Faza II fillon të amortizohet nga viti 2020. Shuma e interesit dhe tarifave tjera të paguar deri në vitin 2013 është 48,094.50 euro. Kjo kredi ripaguhet në vitin 2050.

Kredia për Përmirësimin e Sistemeve të Ngrohtores Qendrore fillon të amortizohet në fund të vitit 2015. Shuma e interesit dhe tarifave tjera të paguar deri ne vitin 2013 është 84,071.40 euro. Kjo kredi ripaguhet ne vitin 2026.

Kredia për Ujësjellësin Komunal dhe Largimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë, Faza III fillon të amortizohet në fund të vitit 2015. Shuma e interesit dhe tarifave tjera deri në vitin 2013 janë 315,972.2 euro. Kjo kredi ripaguhet në vitin 2024.

Kredia për Përmirësimin e Rrjetit të Transmisionit fillon të amrotizohet në vitin 2023. Shuma e interesit dhe tarifave tjera deri në vitin 2013 është 181,906.3 euro. Kjo kredi ripaguhet në vitin 2053. /Gazeta Fjala/

 

 

borxh2

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kosova-borxh-deri-ne-fyt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala