Konsumatorët e shqetësuar

Autori:Gazeta Fjala

Restorantet dhe marketet kosovare duket se po ua bëjnë mirë “hyzmetin” konsumatorëve, të cilët vendosin që të kryejnë shërbime në këto pika.

Vetëm për tre muaj në të gjithë Kosovën, janë 70 ankesa të konsumatorëve të drejtuara në, departamentin e mbrojtjes së konsumatorit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, shkruan Gazeta Fjala.

Nga këto ankesa, inspektorati për 28 prej tyre ka vendosur në favor të konsumatorit. Si të pabazuara i ka radhitur 20 të tjera.

Ndërkohë që në sirtarët e MTI-së, janë edhe 22 ankesa të tjera të cilat presin të shqyrtohen nga kjo e fundit. Rastet kur çmimet e produkteve të raftit nuk përputhen me arkën, janë të shpeshta.

Që nga janari e deri në mars të këtij viti, janë dhjetë ankesa të cilat janë bërë nga konsumatorët. E konsumatorët ankesa të mëdha kanë pasur edhe për supermarketin “ETC”.

Gazeta Fjala, ka raportuar në disa raste për paknaqësitë e konsumatorëve dhe dallimet e çmimeve, që ata hasin gjatë blerjeve.

Për të gjitha këto cështje deputeti dhe pronari i rrjeteve të kompanisë ‘Elkos’ në Kosovë, Ramiz Kelemendi ka thënë për Gazetën Fjala, në një intervistë, se mund të ketë ndonjë parregullsi të tillë, përshkak të numrit të madh të produkteve.

Kelmendi thotë se ka “konsumator dashakeq”, të cilët me qëllim heqin çmimet aksionale në raft.

“Mund të ketë ndonjë lëshim sepse ne në një pikë i kemi nga 56 mijë artikuj me gati 2 milion të tillë në të gjitha pikat, dhe normalisht që në ndonjërën mund të ketë ndonjë lëshim. Nuk ndodhë që ne i kemi çmimet ndryshe në raft e ndryshe në arkë. Ndodhë që shpesh persona që ia duan të keqën kompanisë sonë të sillen si konsumator e t’i heqin çmimin aksional e ta lënë çmimin real”, ka thënë për Gazetën Fjala, Ramiz Kelmendi.

Konsumatorët ankohen për sjellje të stafit

Ndërkaq, konsumatorët janë ankuar edhe për mospërfillje të garancisë. Lidhur me këtë kanë qenë 23 ankesa.

Konsumatorët përveç ankesave në cilësi e çmime janë ankuar edhe për sjellje e shërbim cilësor, nga ana e stafit karshi tyre.

Tre ankesa janë bërë për këtë çështje, për tre muaj.

Ndërkohë që dy ankesa tjera kanë qenë nga ana e punonjësve për mospërfillje të kontratës.
As shërbimet e restoranteve, duket se nuk kanë qenë cilësore. 17 ankesa vetëm për tre muaj janë drejtuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, 7 prej tyre kanë gjetur zgjidhje, 8 nuk janë zgjidhur dhe dy kanë qenë të pabazuara.

Konsumatorëve u ka rënë besimi në mekanizmat gjegjës

Lidhur me këto pronari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaqaniku, kritikon institucionet, asociacionet e mekanizmat përgjegjës, lidhur me neglizhencës karshi këtyre rasteve. Ai thotë se konsumatorëve u ka rënë besimi në mekanizmat gjegjës.

“…Kjo mospërfillje po ndikon dukshëm edhe te knaqëshmëria e pamjaftueshme dhe numri i ankesave, te numri enorm i lëndëve edhe të qytetarëve konsumatorë , te gjykatat e të gjitha niveleve rreth 500.000 , edhe te rënia e besimit, edhe te mundësitë e partneritetit me Institucionet, Asociacionet e Mekanizmat përgjegjës të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kaqaniku për Gazetën.

Kaqaniku është kritik, edhe ndaj restoranteve për të cilat thotë se stafi është joprofesional, i pa certifikuar, pa licencë, si dhe pa librezë sanitare.

“Problem i veçantë është departamenti i turizmit pranë MTI-së i cili mëton të krijojë industri hoteliere – turistike me vetëm tre të punësuar. Mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të këtij sektori nuk janë të motivuar mjaftueshëm teknikisht, kuadrovikisht as finansiarisht”, ka deklaruar kryetari i organizatës “Konsumatori”. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/konsumatoret-e-shqetesuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala