Komunat në gjysmë

Autori:Gazeta Fjala

 

Komuna e Fushë Kosovës deri në fund të vitit duhet të vazhdoj të paguaj edhe 176 mijë euro qera për shfrytëzimin e objektit ku është vendosur.

Derisa të ndërtohet godina e përhershme ku do të vendoset kryetari dhe administrata e këtij institucioni, nga buxheti i shtetit çdo muaj do të paguhen 16 mijë euro qera.

Kështu është duke funksionuar që nga viti 2012.

Ngjashëm, pa “shtëpi” të re janë edhe Podujeva, Vushtrria dhe komuna e Obiliqit.

Që të gjitha po presin tu bëjë qare Komisioni Evropian, në kuadër të projektit për ndërtimin e objekteve komunale në këto qendra.

Por, ky institucion ndërkombëtar ka pasur mjaftë telashe në realizimin e projektit për shkak të mosmarrëveshjeve me punëkryesit.

Vetëm objekti i komunës së Drenasit ka arritur të përfundohet në kohë, derisa katër të tjerat janë në pritje për rifillim të punimeve të ndërprera nga kontraktorët.

Objektet e reja në fundvit

Zyrtarët e këtyre institucioneve tregojnë se përveç qerasë që është mjaftë e lartë në disa komuna hapësirat ku janë vendosur administrata por edhe stafi tjetër nuk i plotësojnë kushtet për punë.

Ali Topalli zëdhënës i komunës së Fushë Kosovës shpreson që vitin që vjen nuk do të duhet të paguajnë dhjetëra mijëra euro në muaj, pasi objekti i destinuar për ta që po ndërtohet si donacion nga Komisioni Evropian do të jetë gati pas 11 muajsh.

“Në dhjetor të vitit të kaluar kemi marr një informate se KE ka arrit një marrëveshje me një kompani për përfundimin e punëve në një afat 12 mujor që do të thotë se në fund të këtij viti pritet që ne të vendosemi në objektin e ri”, ka thënë Topalli për Gazetën Fjala.

Ai tregon se vonesa për ndërtim kanë ndodhur pasi KE ka pasur mosmarrëveshje me punëkryesin, e që është arsyeja pse janë zvarrit punimet deri me tash.

“Përndryshe ne që nga fundi i vitit 2012 jemi me qira në objektin ku jemi edhe sot sepse objekti në fjale është i privatizuar”, ka thënë Topalli.

Fushë Kosova, Podujeva, Vushtrri dhe komuna e Obiliqit kanë marrë një premtim nga zyra e Bashkimit Evropian se deri në fund të këtij viti do të jenë të gatshme objektet e tyre.

Nazmi Elezi zëdhënës i Komunës së Podujevës tregoi për Gazetën Fjala se komuna është informuar se pas shpalljes së tenderit, Komisioni Evropian ka përzgjedhur dhe ka nënshkruar kontratën me një kompani nga Shqipëria për vazhdimin e punimeve.

“Sipas informatës që kemi nga Zyra e KE në Prishtinë, kompania fituese e tenderit do të fillojë punimet me krijimin e kushteve të favorshme klimatike (në pranverë) dhe do t’i përfundojë ato deri në fund të këtij viti”, tha Elezi.

Sipas Elezit të gjitha detajet rreth kontratës për vazhdimin e punimeve përgjigje kompetente mund të merrni nga Zyra e Komisionit Evropian si kontraktues dhe investitor kryesor në këtë projekt.

Vushtrria e Obiliqi në pritje të objektit të ri

Bajram Mulaku kryetar i komunës së Vushtrrisë tha për Gazetën Fjala se presin që gjatë këtyre ditëve të rifillojnë punimet që janë ndërprerë.

“Ato parashihet të përfundojnë nga fundi i vitit 2016”, tha Mulaku.

Sipas tij, vonesa e ndërtimit të komunës së re është bërë si shkak i ndërrimit të kompanive.

Obiliq Burim Gërguri, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në komunën e Obliqit tha se kanë pasur disa takimi me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, më të cilit janë marrë vesh që punimet të rifillojnë shumë shpejtë

“Nga ta kemi pas premtime që nga fillimi i pranverës sa të krijohen kushtet atmosferike do të rifillojnë ndërtimet për objektin e ri”, tha Gerguri.

Nga ky projekti i zyrës së BE-së në Kosovë, në të cilin fituese ishin pesë komuna vetëm komuna e Drenasit është bërë me objekt të ri.

Sipas Bekim Dobrës nga zyra për informim e kësaj komune që nga fillimi i këtij viti është vënë në shfrytëzim ndërtesën e re.

“Objekti ka përfunduar dhe i është bërë pranimi teknik, po ashtu të gjithë punëtorët që nga 5 janari i këtij viti janë transferuar në objektin e ri”, tha Dobra.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës rreth kësaj teme. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/komunat-ne-gjysme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala