Komunat në dorë të qeverisë

Autori:Gazeta Fjala

Me paratë që mbledhë komuna e udhëhequr nga Sami Lushtaku, për një vit, vështirë që do të mund të paguheshin as pagat e zyrtarëve komunal në Skenderaj.

Taksat, qeratë e të hyrat tjera nuk mbushin as me 1 milion euro buxhetin vjetor të komunës e cila ka në plan realizimin e dhjetëra projekteve kapitale.

Bazuar në projektligjin për vitin 2016, që pritet të miratohet të hënën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës për komunën e Skenderajt është paraparë që në 2016-tën të ketë buxhetin total prej 11 milionë e 247  mijë euro. Ajo nga grantet qeveritare do të ketë 10 milion e 292 mijë ndërsa nga të hyrat vetanake do të mbledh 955 mijë.

Të dhënat dëshmojnë se asnjë komunë e Kosovës nuk mund ta mbajë veten. Ato thuajse krejtësisht janë të varura nga qeveria në Prishtinë. Kështu, edhe buxheti i tyre, sipas njohësve të ekonomisë varet kryesisht nga vullneti politik i partive që Qeverisin vendin.

Si pasojë e dështimit për të arkëtuar mjetet që vijnë nga taksat që vjelën brenda territorit të tyre por edhe në mungesë të një ekonomie të shëndoshë komunale, gati asnjë komunë nuk arrin që buxhetin e saj të mbushë as me një të tretën nga të hyra vetanake.

Komunat e varura nga Qeveria

Berat Thaqi nga Instituti GAP, duke iu referuar një raporti të Ministrisë së Financave, ka treguar për ngecjet që kanë komunat në realizmin e të hyrave vetanake.

“Në bazë të raportit nëntëmujorë të Ministrisë së Financave 2015 përveç mbledhjes së tatimit në pronë, komunat kanë ngecje në realizimin e planit për të hyrat vetanake. Deri në fund të shtatorit 2015, janë realizuar vetëm 39 për qind e të hyrave të planifikuara vetanake (përjashtuar tatimin në pronë) nga komunat”, thotë ai.

Sipas tij, në mënyrë që të përmirësohet kjo gjendje, duhet të bëhet një decentralizim i të hyrave komunale pasi që “për momentin ka një varësi të madhe të komunave në grantin qeveritar”.

“Decentralizimi duhet të bëhet në atë mënyrë që komunat të kenë incentiva të qarta për mbledhjen e të hyrave nga burimet lokale, e jo të kenë të hyra fikse nga numri i popullsisë ashtu siç është e rregulluar”, shpjegon ai.

Thaqi ka rekomanduar po ashtu që të forcohen organet të cilat merren me sundimin e ligjit dhe mbledhjen e borxheve.  Dhe se komunat duhet të insistojnë më shumë në ndaljen e ndërtimeve pa leje dhe kontrollimin e shfrytëzimit të hapësirave publike.

Një shembull i dështimit të mbledhjes së të hyrave të planifikuara komuanle është edhe Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Shpend Ahmeti.

Në nëntë muajt e parë të këtij viti, ata kanë dështuar që të arkëtojnë të hyrat e planifikuara në buxhet dhe në anën tjetër nuk kanë shpenzuar as gjysmën e mjeteve që kishin për investime kapitale.

Gazeta Fjala ka siguruar Raportin Buxhetor të kësaj komune, sipas të cilës, nga gjithsej 27 milionë euro të hyra të planifikuara, komuna e vetme në vend që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që të mbledhë vetëm rreth 13 milionë euro, që përkthyer në përqindje është 47 për qind.

Për më tepër, kjo përqindje e arkëtimit të të hyrave komunale është edhe më e vogël krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur komuna kishte arritur që të mbledhë 58 për qind të te hyrave të planifikuara.

Sipas projektligjit për vitin 2016, totali i buxhetit qeveritar do të jetë 1 miliardë 674 milion e 709 mijë euro, kurse në anën tjetër, në nivelin komunal do të jenë 422 milion 201mijë euro.

Dështuan edhe Skenderaj, Ferizaj e Gjilani…

Me vartësinë në grantet qeveritare nuk janë vetëm komunat e vogla, ku numri i bizneseve dhe popullsisë është më i vogël.

Në Komunën e Skenderajt është paraparë që në 2016-tën të ketë buxhetin total prej 11 milionë e 247  mijë euro. Ajo nga grantet qeveritare do të ketë 10 milion e 292 mijë ndërsa nga të hyrat vetanake do të mbledh 955 mijë.

Komuna e Ferizajt është paraparë që në total të ketë 25 milion e 285 mijë euro, prej të cilave grante do të ketë në vlerën e 21 milion 124 mijë ndërkaq vetëm 4 milion.

Gjilani nga 21 milion e 354 mijë në total, vetëm nga grantet 17 milion 354 mije, të hyrat vetanake kanë vlerën e 4 milionëve.

Mitrovica nga 15 milion e 948 mijë, 13 milion e 680 do i ketë nga grantet, vetëm 2 milion të hyra vetanake.

Peja është paraparë të ketë buxhet prej 20 milion e 717 mijë euro. Nga to grante do të ketë 17 milion e të hyra vetanake vetëm 3 milion.

Prizreni do të ketë 40 milionë 616 mijë, grante do të marrë 31 milion  kurse të hyra vetanake vetëm 9 milion.

Jo vetëm komunat e mëdha varen nga grantet por edhe komunat e vogla, siç janë Fushë Kosova e cila nga buxheti i saj i përgjithshëm prej 8 milion e 578, grante 6 milion kurse të hyra vetanake vetëm 2 milionë.

Suhareka nga buxheti prej 13 milion euro, vetëm 1 milion do të ketë të hyra vetanake kurse 10 milion nga grantet./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/komunat-ne-dore-te-qeverise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala