Këtë vit Kosova i dha azil vetëm dy personave

Autori:Gazeta Fjala

Gati 80 mijë kosovarë e braktisën që nga viti i kaluar Kosovën. Në mungesë të perspektives e kushteve të rënda ekonomike e sociale trendi i ikjeve vazhdon ende por në numër më i vogël.

Pavarësisht kësaj Kosova është vendi i pëlqyer për të huajt nga disa rajoneve të botës.

Vendi më i varfër në Evropë, Kosova, ofron mbrojtje për personat në nevojë.

Vetëm gjatë vitit 2015, në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion që vepron në kuadër të ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, janë dorëzuar 70 kërkesa për azil.

Ky departament bënë me dije se shumica e tyre janë me origjinë nga Siria.

Kosova për shtetasit e huaj apo personat pa shtetësi, në pajtim me Ligjin për Azil, ofron tri lloj mbrojtje.  Mbrojtja për këta persona bëhet duke u dhënë statusin e refugjatit, mbrojtjen plotësuese,  si dhe mbrojtjen e përkohshme.

Megjithëkëtë, sipas kësaj zyreje azilkërkuesit nuk e shohin Kosovën si vend për të qëndruar gjatë, por vetëm si vend transit pasi qëllim i tyre është qëndrimi në vendet perëndimore.

Nga 70 kërkesa për azil sa janë pranuar këtë vit, institucionet e vendit po thuajse të gjithave u ka refuzuar azilin. Vetëm  dy vendime kanë qenë pozitive, sipas së cilave azilkërkuesve u jepet statusi i mbrojtjes plotësuese.

“Deri më sot 68 janë vendime negative dhe shumica e tyre janë larguar pasi që nuk e konsiderojnë Kosovën si vend të destinimit por vetëm vend transit për në shtete të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Azil dhe Migracion të ministrisë së Punëve të Brendshme.

Qendra për vendosjen e azilkërkuesve gjendet në fshatin Magurë, ajo është funksionale dhe kapaciteti i saj është për 50 azilkërkues. Por sipas autoriteteve në raste nevoje, kapacitetet e saj mund të shtohen edhe për 20 vende të tjera.

Por për qëndrimin e të ikurve në Kosovë ka edhe kosto.

Mbajtja njëditore e një azilanti shtetit të Kosovës i kushton 23 euro. Këtu përfshihen shpenzimet e ujit, energjisë elektrike, sigurimi fizik i objektit, derivateve për gjenerator e të tjera përpos ushqimit e strehimit.

E në anën tjetër buxheti i këtij departamenti që merret më të gjitha shpenzimet e azilkërkuesve për vitin 2015 ishte 784 mijë euro.

Megjithëkëtë azilkërkuesit nuk kanë të drejtë të punojnë në Kosovë për një periudhë 6 mujore që nga paraqitja e kërkesës për azil.

Mirëpo nëse edhe pas gjashte muajve nuk është shqyrtuar kërkesa e tyre, pra nëse nuk është marr vendimi final atëherë ata kanë të drejtë të punojnë.

“Personat të cilët përfitojnë mbrojtje në pajtim me Ligjin për Azil kanë të drejtë pune”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Azil.

Kjo zyre njoftoi se duke pas parasysh konfliktin në Siri dhe rrjedhimisht janë gati për të pritur azilkërkues. Por në vitin 2015 përveç nga Siria azilkërkuesit kanë ardhur edhe nga Iraku, Palestina e vendet e tjera.

Gjatë kohës së verës kur numri i refugjatëve nga Siria dhe përgjithësisht nga vendet e lindjes për në vendet e Bashkimit Evropian ishin shtuar, Kosova kishte shprehur vullnetin për të pranuar rreth 3 mijë refugjatë.

Institucionet asnjëherë zyrtarisht nuk treguan se ku do të mund të rehatoheshin këta refugjat e as sa mjete do të ndahen për ta.

Megjithëkëtë Gazeta Fjala duke u bazuar në shifrat e dhëna nga organizatat që merren me njerëzit e pa strehë kishte raportuar se për ushqim, Qeveria e Kosovës secilit refugjatë do t’u jap nga 18 euro në muaj.

Gazeta Fjala ka raportuar javën e kaluar se nga rreth 75 mijë kosovarët që migruan në vende e Bashkimit Evropian në fundin e vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, pas refuzimit të azilit janë kthyer 16 mijë.

Prej tyre vetëm nga Gjermania janë riatdhesuar 10 mijë kosovarë. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kete-vit-kosova-i-dha-azil-vetem-dy-personave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala