Keqpërdorimet e Fehmi Mujotës

Autori:Zekirja Shabani

Fehmi Mujota, sa ishte Ministër i Infrastrukturës, nuk qante kokën shumë se si shpenzoheshin paratë e taksapaguesve e çfarë projekte realizoheshin. Auditori Gjeneral, ka gjetur se në disa raste u ishte dhënë puna kompanive të caktuara e ishin nënshkruar kontratat pa e ditur ende se për cfarë projekti bëhej fjalë.

Një i tillë është asfaltimi i rrugës Shtime-Ferizaj, e rehabilituar në prag të zgjedhjeve por që asfalti në të, sipas qytetarëve që kalojnë çdo ditë në atë rrugë, nuk ka qëndruar as 3 muaj.

“Për kontratën Rehabilitimi i rrugës magjistrale M25.3 Shtime – Ferizaj, ishin bërë të gjithë hapat e prokurimit, duke filluar nga kërkesa e deri tek kontraktimi pa hartuar paraprakisht projektin përkatës”, thuhet në raportin e auditorit për Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2014.

Përveq kësaj, në shumë raste është bërë nënshkrimi i kontratave në mungesë të mjeteve financiare dhe janë fshehur obligimet buxhetore, transmeton Gazeta Fjala.

Vetëm për projektin e autostradës, auditori ka gjetur se obligimet që vijnë nga kontraktori për ndërtimin e autostradës Merdar-Morinë nuk ishin raportuar si obligime në PVF-të e 2013.

“Obligimet e pa raportuara kapin shumën 30,821,766€, të cilat janë paguar deri në muajin maj 2014. Obligimet e paraqitura në PVF 2014 nuk ishin të plota – kemi identifikuar fatura gjithsej 285,453€ që janë paguar në vitin 2015 dhe nuk janë raportuar”.

Përveç kësaj, pagesa e këshilltarit të transaksionit për Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit është bërë nga fondet e zotuara për Mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale. Transaksioni është regjistruar në kodin e mirëmbajtjes, edhe pse ishte shërbim këshillëdhënës. Këto gabime vlerësohet se kanë ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të buxhetit

Nga rishikimi i kontratave, auditori ka gjetur se disa kontrolle menaxherialenuk janë zbatuar me konsistencë gjatë prokurimeve dhe kanë rezultuar me keqpërdorime të mëdha dhe mos zbatim të projekteve ashtu siç duhej, transmeton Gazeta Fjala.

“Për kontratat Rikonstruimi i rrugës regjionale R126 Pollatë – Demë – Ahmetaj dhe Asfalltimi i rrugëve lokale të fshatrave Qitak – Vitak – Qibrel, kriteret për përshtatshmëri teknike të vlerësimit të tenderit në njoftimin për kontratë ishin të ndryshme nga ato në raportin e vlerësimit”.

Për të vërtetuar nëse punët e aprovuara për pagesë janë bërë sipas specifikacionit të punëve dhe kushteve të kontratës auditori ka kërkuar ditarin e punës, i cili nuk është prezantuar.
Në këtë ministri kontrollet në proceset e prokurimit nuk kishin funksionuar në mënyrën më efektive.

“Nga shqyrtimi i gjashtë kontratave ne kemi identifikuar një sërë dobësish të përbashkëta, të cilat kanë pasur ndikim mbi secilën kontratë të rishikuar”.
Në këto raste është bërë nënshkrimi i kontratave në mungesë të mjeteve financiare në ndarjet e ardhshme buxhetore për përmbushjen e kontratës.

“Edhe përkundër kërkesave të LPP-së, kemi identifikuar 10 marrëveshje për bashkëfinancim me komunat ku edhe pse ministria ishte financuese me mbi 50% bartëse të projekteve ishin komunat, duke zhvilluar kështu të gjitha procedurat e prokurimit. Marrëveshjet ishin bërë pa qenë të parapara në buxhet”.

Numri i keqpërdormeve në këtë ministri nuk është i vogël. Shumë tender për projekte të mëdha nuk ishin zbatuar sic duhet, transmeton Gazeta Fjala.

“Për tenderin Ndërtimi i Infrastrukturës në Zonën industriale në Suharekë, kemi vërejtur që janë shpërblyer OE-të të cilët nuk i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e parapara në Fletën e Dosjes së Tenderit (FTD)”, thuhet në raport.

Ndërkaq, për tenderin Servisimi dhe mirëmbajtja e veturave, sigurimi i ekzekutimit ishte jo i vlefshëm pasi emri i kontraktuesit dhe numri i prokurimit nuk ishin shënuar drejtë.

Gjithashtu për tenderin Servisimi dhe mirëmbajtja e TI-së auditori thotë se gjatë vlerësimit nuk ka hasur në dëshmi për caktimin e menaxherit të kontratës.

“Dështimi për të ndjekur me konsistencë proceduat e prokurimit dhe udhëzuesit përkatës mund të rezultojë në mospranim potencial të shërbimeve të pritura apo me shërbime të dobëta pa u mbështetur nga garancionet. Dështimi për t‟i ritestuar në mënyrë efektive vlerat e kontratës mund të rezultojë në vlerë të ulët për para”, thuhet në raport.

Prokurimi i Ministrisë së Infrastrukturës, sipas auditorit në disa raste nuk ka regjistruar sakt as obligimet me faturë.

“Në librin e protokollit nuk janë evidentuar faturat drejtë sipas numrit rendor. Në tre raste nuk është bërë numërimi sipas rendit, por ka pasur tejkalime të shumta të numrit rendor. Kjo situatë ka bërë që një numër i faturave të evidentohen me numër të njëjtë”.

Mos regjistrimi i saktë i obligimeve, audotori vlerëson se shton rrezikun e pagesave të vonuara apo manipulimeve të mundshme.

“Kjo mund të rezultojë me dështim në të përgjigjurit ndaj obligimeve me kohë me një ndikim të drejtpërdrejtë në mundësinë për t‟i përmbushur planet e shpenzimeve në të ardhmen”./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/keqperdorimet-e-fehmi-mujotes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala