Kallëzim penal ndaj Mimoza Kusari-Lila

Autori:Gazeta Fjala

Ndaj kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila në muajin nëntor në Prokurorinë Speciale të Kosovës është deponuar një kallëzim penal për keqpërdorim të buxhetit të komunës.

Gazeta Fjala, e ka siguruar këtë kallëzim sipas së cilit një shumë prej 33 mijë eurove të cilat komuna e Gjakovës është dashur t`i ndaj për rregullimin e një rruge në Çarshinë e vjetër i janë dhënë “Cash” përfaqësuesit të donatorit të këtij projekti.

Në këtë kallëzim pretendohet se parat e gatshme e para e Gjakovës ia dha Dugagjin Bakisë, djalit të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija.

“Në shtator të vitit 2014, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kuari – Lila, në saje të vazhdimit të punimeve të nisura në “Çarshinë e Vjetër” të Gjakovës, i ka dhënë para të gatshme në dorë Dukagjin Bakisë, djalit të kryeprokurorës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija, në shumën prej 33. 000 mijë euro, i cili privatisht e ka kontraktuar Organizatën e quajtur  “CHWB” ”.

“Para këto të dhëna jashtë çdo procedure, pra në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në këtë kallëzim penal.

1

2

Hekrem Lutfiu zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës e ka konfirmuar për Gazetën Fjala se ky institucion ka pranuar kallëzimin penal lidhur me këtë rast.

“Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është pranuar në kompetencë kallëzimi penal, kundër të dyshuarve, persona përgjegjës të Komunës së Gjakovës. Ndër ta edhe kundër kryetares aktuale Mimoza Kusari –Lila, më datë 03  nëntor 2015”, tha ai.

Ai thotë se prokuroria i është drejtuar Policisë së Kosovës – Departamentit Special Antikorrupsion me kërkesë për mbledhjen e të dhënave të nevojshme.  Ndërsa, me datë 16 dhjetor 2015, kanw pranuar njoftimin me shkrim për veprimet e marra në kompletimin e dosjes.

“Kundër kryetares Mimoza Kusari Lila, nuk është marr aktvendim për fillimin e hetimeve”, tha Lutfiu.

Komuna e Gjakovës me 2 shtator të vitit të kaluar ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Fondacioni Suedez Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB) dhe Fondacioni Behgjet Pacolli, për rregullimin e segmentit të rrugës “Ismail Qemajli”. Kjo marrëveshje, sipas të gjeturave të Auditorit nuk ishte në pajtim me ligjin e prokurimit.

Bazuar në këtë marrëveshje të cilën komuna i ka ofruar Gazetës Fjala, kjo komune ka pasur për detyrë të participoj me 33 mijë e 626 euro, Fondacioni Behgjet Pacolli 5 mijë euro dhe CHWB 3 mijë e 868 euro.

Që sipas kësaj marrëveshje, komuna është obliguar t`i bartë mjetet në xhirollogarinë e CHWB në dy këste.

Komuna mohon pagesat “cash”

Në Komunën e Gjakovës nuk kanë dashur të bëjnë komente rreth kallëzimit penal. Mirëpo ata kanë ofruar një dëshmi se kjo pagesë është bërë përmes bankës si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me organizatën CHWB.

“Këto dëshmi, besoj se janë të mjaftueshme dhe konsiderojmë që nuk janë të nevojshme komentet shtesë.”, tha zyrtarja për informim Abetare Domi.

Në këto dokumente shihet se pagesat janë bërë nga data 26 shtator deri 17 nëntor të vitit të kaluar. Në këstin e parë janë paguar 11 mijë e 769 euro derisa në këstin e dytë 21 mijë e 856 euro.

kesti I

kesti II

Edhe Sali Shoshi drejtori i CHWB në Kosovë ka mohuar që pagesat të jenë bërë “Cash”.

“Ju konfiromoj se të gjitha transferet financiare janë realizuar përmes institucioneve bankare (jo kesh!!!) dhe i gjithë material i projekteve mbahet në zyrën tone Administrative & Finaciare në Prishtinë”, tha Shoshi.

Sipas tij, për projektet që kjo organizatë i implementon veprojnë në kuadër të rregullave të BE-së.

“Të gjitha projektet që realizohen nga organizata jonë jami të detyruar t`i respektojne rregullat shumë strikte të kontraktimit & prokurimit të BE’se“, tha ai.

Shoshi tregoj se ky projekt ka qenë vazhdimësi e Marrëveshjes së Bashkepunimit në mes Komunës së Gjakovës dhe CHWB për investime në trashëgiminë kulturore.

“Në rasti e rrugës, Fondacioni Suedez CHëB ka përfunduar të gjitha obligimet që kanë dal nga marrëveshja për projektin në fjalë”, tha Shoshi.

Gazeta ka kërkuar të marrë një koment edhe nga Dukagjin Bakija, i cili është përmendur në kallëzimin penal si përfaqësuesi i organizatës CHWB i cili ka pranuar parat e projektit nga komuna, mirëpo ai ende nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Auditori gjen shkelje të ligjit të prokurimit

Bazuar në marrëveshjen e shtatorit të vitit të kaluar, sipas ndarjes së përgjegjësive Fondacionit CHWB, i ka takuar që të jetë përgjegjëse për realizimin e procesit të prokurimit, prokurimin e nën kontraktorëve dhe koordinimin e projektit deri në përfundimin e projektit.

Mirëpo për këtë është kritikuar nga auditori gjeneral.

Sipas së cilit komuna e Gjakovës ka bërë shkelje të ligjit të prokurimit kur ka lejuar që donatori të kryej këto procedura, kur në fakt do të duhej t`i kryente komuna e Gjakovës vet pasi që ka bartur më shumë se 50 përqind të mjeteve për projekt.

“Marrëveshja nuk ishte në pajtim me ligjin e prokurimit publik neni 4 pika 2 sepse nëse projekti financohet apo subvencionohet 50 përqind ose më shumë nga komuna, komuna konsiderohet autoritet kontraktues dhe procedurat e prokurimit duhet të bëhen në pajtim me ligjin e prokurimit publik”, shkruan në këtë raport.

Po sipas Auditorit, për këtë projekt komuna ka participuar me 79 për qind dhe është dashur që procedurat e prokurimit t`i udhëheq vetë e jo CHWB.

“Obligimin e vet prej 33,626 euro, komuna e kishte paguar, pa pjesën e fondacionit Behgjet Pacolli. Pagesa e fundit prej 21,857€ ishte bërë edhe pse në raportin e pranimit teknik vërehen disa mangësi në realizimin e projektit”, shkruan më tej në raportin e auditorit. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/kallezim-penal-ndaj-mimoza-kusari-lilaj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala