Ja sa shpenzoi Edita Tahiri në Bruksel

Autori:Gazeta Fjala

 

Ministrja për dialog, Edita Tahiri bashkë me koordinatorin Blerim Shala kanë shpenzuar 65 mijë e 787 euro për 17 takime në Bruksel.

Gjithë këto para, sipas të dhënave që posedon Gazeta Fjala, janë shpenzuar për një periudhë gjashtëmujore, nga janari deri në qershor të këtij viti në bisedimet teknike Kosovë -Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian vetëm për delegacionin teknik.

Nga shuma e përgjithshme e shpenzuar, 36 mijë e 561 euro kanë shkuar vetëm për biletat e udhëtimit të pjesëmarrësve. Kurse akomodimi jashtë vendit për ekipin teknik të bisedimeve, në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, i kushtoi buxhetit të Kosovës 13 mijë e 699 euro.

Ndërsa, meditjet e zyrtarëve pjesëmarrës në bisedime, numri i të cilëve nuk dihet, arritën në 8 mijë e 72 euro.

Në drekat zyrtare delegacioni teknik i Kosovës harxhoi 7 mijë e 424 euro, gjatë shtatëmbëdhjetë takimeve.

Sipas zyrës për buxhet dhe financa të kryeministrisë në shpenzimet e ministres për dialog Edita Tahiri përfshihen edhe shpenzimet këshilltarëve dhe koordinatorit Blerim Shala. Por kjo zyrë  nuk ka bërë të ditur sa ka qenë numri i këshilltarëve pjesëmarrës.

Shpenzimet “sekrete” të bisedimeve me Serbinë

Megjithëkëtë, nuk ka ende transparencë  të plotë në shpenzimet e delegacionit të Kosovës në bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Qeveria e Kosovës ka dhënë vetëm përgjigje të pjesshme për taksapaguesit në lidhje me koston financiare të tyre.

Në kërkesën e Gazetës Fjala për qasje në dokumentet publike, tek pas dy muajsh, ajo tregoi vetëm shpenzimet e delegacionit teknik, për këtë vit. Megjithatë nuk u ofrua qasje në vlerën e përgjithshme edhe të delegacionit politik që udhëhiqet nga kryeministri Isa Mustafa e as shpenzimet e bëra gjatë vitit të kaluar edhe pse gazeta kishte kërkuar të gjitha shpenzimet.

Vazhdimisht janë adresuar kritika për numrin e madh të pjesëmarrësve si pjesë e dialogut.

Vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti delegacioni i Kosovës kishte shkuar në Bruksel me  përbëhej prej rreth 30 personash.  Ku përfshiheshin ministra, kryetarë komunash, këshilltarë e përfaqësues të ndërmarrjeve të ndryshme.

Partitë opozitare madje kanë kërkuar edhe një raport të detajuar për të gjitha shpenzimet e deri tashme që do të duhej të paraqitej në kuvendin e Kosovës.

U raportua se gjatë muajit gusht kur u zhvillua raundi i fundit i bisedimeve Edita Tahiri, kishte reduktuar  stafin, pasi që një gjë të tillë i kishte kërkuar shefi i qeverisë Isa Mustafa.

“Një gjë e tillë është kërkuar nga kryeministri Mustafa, me qëllim të reduktimit të shpenzimeve në udhëtime”, pati deklaruar  Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Mustafa.

Shpenzimet e vetme të “zbuluara” viteve të kaluara

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi filluan në mars të vitit 2011 fillimisht vetëm në aspektin teknik. Dhe më pas janë shtrirë edhe në rrafshin politik, që nga tetori i vitit 2012.

Por, takimet u përcjellën me shpenzime që nuk u zbuluan kurrë tërësisht. Qytetarët e Kosovës nuk e dinë se sa u shpenzua në vitin 2011 dhe 2012.

Ndërkohë që për periudhën e parë të vitit 2013 zyra e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaci kishte ofruar informata të pakta duke treguar vetëm ato të zyrës së kryeministrit por jo edhe zyrëtarëve tjerë pjesëmarrës.

Kështu vetëm zyra e Kryeministrit kishte shpenzuar, rreth gjysmë milioni euro për udhëtimet.

Fillimisht shpenzimet janë mbuluar nga buxheti i rregullt i zyrës së kryeministrit dhe ministritë e tjera për anëtarët e tyre të delegacioneve.  Më pastaj në korrik 2013, qeveria ndau 700 mijë euro si fond të vecantë për bisedimet.

Ky fond parashihte mbulimin e shpenzimeve për të gjithë përfaqësuesit e zyrës së kryeministrit dhe të ministrive të tjera pjesëmarrëse në delegacionet e bisedimeve. Fondet ndaheshin nga rezervat e qeverisë dhe kursimet e ministrive.

Për katër vite, kur edhe kanë filluar këto bisedime  qytetarët dinë vetëm shpenzimet e zyrës së kryeministrit për gjysmë e parë të vitit 2013 dhe ato të delegacionit teknik për 6 muajt e parë të këtij viti./Gazeta Fjala/

shpenzimet

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ja-sa-shpenzoi-edita-tahiri-ne-bruksel/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala