Isa si Thaçi 2

Para pak ditësh është prezantuar projektbuxheti për vitin 2016, i cili në krahasim me atë të vitit të kaluar është rritur për 100 milionë euro. Sipas këtij projeksioni shpenzimet buxhetore do të jenë 1 miliard e 680 milionë euro, ose dy për qind më shumë se në vitin 2015. Ndërkaq të hyrat prej 1 miliard e 597 milionë eurove janë 4 për qind më të larta.
Mirëpo, në esencë ky nuk është buxhet zhvillimor- nuk ka investime dhe nuk premton se do të bëhet diçka më shumë për përmirësimin e ambientit për biznes. Kjo duket kur kemi parasysh se 22 për qind e shpenzimeve është orientuar për çështje ekonomike- zhvillimore.
Rritja më e madhe ndodhë në sektorët social, përkatësisht të pagat dhe mëditjet, si edhe te transferet dhe subvencionet, që do të thotë në segmentin e pensioneve dhe mbrojtjes sociale.
Pjesëmarrja e këtyre kategorive në shpenzimet e përgjithshme do të jetë 59.3 për qind, ndërsa sivjet është 57.2 për qind. Ndërkaq pjesëmarrja e shpenzimeve kapitale ka mbetur e njëjtë – 27 për qind.
Pra, i tërë ky strukturim i buxhetit po del të jetë me të meta të mëdha dhe nuk përfshinë premtimet e mëdha që ka dhënë Qeveria e Kosovës. Sipas ekonomistëve ky buxhet është deficitar, ndërsa vazhdon me investime në infrastrukturë rrugore, prandaj nuk do të krijojë vende të reja të punës.
Haki Shatri nga partia opozitare Aleanca e Kosovës, thotë se buxheti nuk garanton perspektivë zhvillimore, meqenëse 90 për qind e këtij buxheti do të shkojë në vazhdimin e investimeve paraprake.
“Buxheti i propozuar nga Qeveria është buxhet deficitar. Të hyrat do të jenë më të vogla se sa shpenzimet për 82.2 milionë euro. Kjo diferencë do të mbulohet nga borxhi i brendshëm. Pra, nuk garantohet stabilitet buxhetor, e as perspektivë zhvillimi”, tha Shatri.
Sipas tij, zvogëlimi i kategorisw sw investimeve kapitale nuk shkon në mbështetje të ndonjë zhvillimi dinamik.
“Kryesisht do të investohet në infrastrukturën rrugore, madje 90 për qind e tyre do të shkojnë në vazhdimin e projekteve nga vitet paraprake”, u shpreh Shatri për Gazetën Fjala.
Ai gjithashtu thotë se ky buxhet nuk është i mjaftueshëm për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet ekonomia dhe se varfëria e papunësia do të mbeten në shkallën e njejtë siç kanë qenë.
“Rritja e projektuar ekonomike – nëse realizohet -,nuk është e mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve aktuale që e ngarkojnë ekonominë dhe popullsinë e Kosovës. Nuk do të zvogëlohet as shkalla e papunësisë e as niveli i varfërisë”, tha ai.
Ndërkaq, Berat Thaqi nga Instituti për Studime të Avancuara- GAP, thotë se prej treguesve se pse buxheti i vitit 2016 nuk është zhvillimor është investimi i 60 për qind të tij në infrastrukturë rrugore, por edhe ndarja që bëhet në mes ministrive.
“Nuk mund të konsiderohet buxhet zhvillimor kur 60 për qind e buxhetit, apo pjesa më e madhe e tij shkon në paga dhe mëditje dhe subvencione e transfere, ndërkohe që investimet kapitale përbëjnë vetëm pak më shumë se 27 për qind % të shpenzimeve dhe krahasuar me sivjet janë rritur vetëm 1 për qind
Si indikatorë tjetër për mungesën e përcaktimit zhvillimor, Thaci e sheh edhe te ndarja sipas ministrive, pasi sipas tij Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e merr buxhetin kryesore -rreth 29 për qind.
Ai po ashtu thotë se rritja e lehtë e shënuar në disa ministri nuk është premtuese, ndërkaq mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të ketë rritja e shumës së mjeteve të ndara për disa agjenci të pavarura.
“Nuk mund të mohohet se ka një rritje të lehtë të buxhetit tek Ministria e Infrastrukturës, Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mirëpo kjo nuk është diçka që premton zhvillim të hovshëm ekonomik. Gjithashtu, rritja e lehtë e buxheti për disa agjencinë të pavarura (Komisioni Kosovar i Konkurrencës, Zyra e Rregullatorit për Energji etj) të cilat janë kyçe për funksionimin e tregut, duket pozitive, mirëpo sa mjafton për realizimin e objektivave të tyre mbetet të shihet”, shprehet ai.
Sipas tij rënia e buxhetit për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe UP-në nuk duket të jetë diçka e mirë.
“Me gjithë rritjen e grantit të arsimit për komuna, rënia e buxhetit për MASHT-in dhe Universitetin e Prishtinës nuk duket të jetë e mirë.
Ndonëse qeveria aktuale për ndarjet buxhetore për vitin 2015 arsyetohej se këtë dokument e ka trashëguar nga qeveria e kaluar, ajo Thaçi 2, mirëpo, as tash nuk po ofron diçka tjetër. Ndarjet mbeten të njëjta, si edhe projektet kapitale. Jo tregon se edhe Qeveria e Isës mbetet me koncept të njëjtë si Thaçi 2. /GazetaFjala/