Isa Mustafa i mashtroi naftëtarët

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri aktual i Kosovës, Isa Mustafa gjatë fushatës elektorale në kompensim të votave dhe përkrahjes për Lidhjen Demokratike të Kosovës u kishte premtuar naftëtarëve se do të rregullonte tregun e naftës në vend. Formimi i rregullatorit ishte pjesë e marrëveshjes mes tij dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Naftëtarëve.

Këtë e konfirmon Jusuf Mustafa ,nënkryetar i shoqatës se naftëtarëve të Kosovës nga Gjilani. Ai tregon për Gazetën Fjala se Mustafa, në cilësinë e kryetarit të LDK’së u kishte premtuar se me marrjen e pushtetit do të rregullojë këtë punë.

Por, tani kur ka kaluar e gjithë kjo kohë dhe Mustafa është ne krye te qeverisë gjërat nuk kanë lëvizur fare. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami sipas tij është dashur ta realizoj këtë premtim.

Megjithatë, ditë më parë, në një intervistë për Gazetën Fjala ajo ua ka shuar shpresat përfundimisht atyre duke treguar se Kosovës nuk i duhet rregullatori.

Kështu të gjitha fjalët e dhëna para një viti për ti joshur naftëtarët, kanë mbetur vetëm premtime elektorale.

Naftëtarët ia kthejnë shpinën LDK-së, shkojnë në PDK

E mos realizimi i këtij premtimi  nga kreu i Qeverisë, ka revoltuar naftëtarët, të cilët paralajmërojnë se do t’ia kthejnë shpinën LDK-së. Ata po thonë se ndihmë tani do të kërkojnë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Herën e fundit që kemi pasur takim ne të shoqatës kemi thënë që mjaftojnë ato premtime që na i keni dhënë me i përmbush qeveria e tashme. Megjithatë, e kundërta e kësaj do ti drejtohemi qeverisë edhe një herë, do ti drejtohemi edhe partive tjera që të na ndihmojnë në këtë drejtim, pa marrë parasysh se kush është. Ndihmë do të kërkojmë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ne do të mundohemi të kërkojmë ndihmën që të na realizohet kjo e drejtë, ky premtim që është dhënë, është dhënë në Gjilan nga vetë kreu i qeverisë tashme”, ka thënë Mustafa

Ai ka thënë se ende nuk e din arsyen konkrete se pse kryeministri nuk ka nisur ta realizojnë këtë premtim, që sipas tij është mjaft i rëndësishëm për Kosovën.

“Unë nuk kam ndonjë argument që ai ka interes në këtë drejtim, por megjithatë unë mendoj se është një neglizhencë që nuk është duke e përdoru fuqinë e tij mbi ministrat, që premtimin të cilin e ka dhënë të realizohet përmes Ministrisë Tregtisë dhe Industrisë”.

Mustafa ka treguar se gjatë fushatës në Gjilan i është kërkuar edhe vota. Të cilën thotë se edhe e ka bërë.

“Gjatë fushatës normal kanë kërkuar votën prej këshilltarëve dhe prej biznesit dhe në përgjithësi me partitë tjera. Premtimi drejtpërdrejtë para masës ka qenë nga Isa Mustafa dhe premtimet që janë bë është gjithmonë kërkimi i votës”, ka thënë ai.

Gazeta Fjala është munduar të marrë një përgjigje për këtë çështje nga Qeveria e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por e ka pasur të pamundur.

Bajrami: Kosovës nuk i duhet rregullatori

E, ditë më parë në një intervistë për Gazetën Fjala, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se Kosovës nuk i duhet fare rregullatori. Sipas saj rregullatori i çmimeve vlen vetëm në disa shtete që nuk kanë konkurrencë të mjaftueshme. Madje, ajo thotë se edhe ato shetet që e kanë pasur një rregullator të tillë e kanë hequr.

“Mendimi im është që nuk kemi nevojë për rregullator. Në Kosovë, aktualisht janë rreth 40 importues ekonomik të licencuar që merren vetëm me importimin e produkteve të dizelit dhe benzinës. Për shkak të konkurrencës, tregu i karburanteve të naftës në Kosovë është shumë dinamik dhe shpejt e rregullon çmimin e shitjes me pakicë, madje në mënyrë shumë më efikase se sa do ta rregullonte një rregullator. Kjo është dëshmuar me statistika të çmimeve të importit dhe të çmimeve të shitjes me pakicë”, ka thënë ministrja Bajrami.

Për këtë është përplasur me të parën e Ministrisë së Tregtisë, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili ka thënë se rregullatori i duhet më së shumti Kosovës.

“Ne kemi kërkuar edhe më herët krijimin e një rregullatori. Këtë e kemi bërë edhe me ministrat e tjerë të MTI, po këtë kërkesë e kemi bërë edhe tek ministrja aktuale Hykmete Bajrami. Me të kam biseduar edhe konkretisht. Por, duket se ajo nuk është e interesuar që ky rregullator të behët. Për këtë çështje kam fol edhe me kryeministrin Mustafa. Mirëpo, deri tani nuk ka asnjë lëvizje”, ka thënë Berjani

Në Kosovë çmimet e derivateve aktualisht sillën nga 1.08 centë për një litër naftë dhe 1.12 cent për një litër benzinë. Vlen të përmendet se muaj më parë çmimet e derivateve ne për bursat botërore patën shënuar rënie të madhe. Derisa në vendin tonë ato patën lëvizur vetëm një kohë të shkurtër, duke u ngritur sërish.

Në Kosovë ekzistojnë mbi 700 pika të shitjes së derivateve.  Derisa, sipas MTI janë rreth 40 importues të licencuar që merren vetëm me importimin e produkteve të dizelit dhe benzinës./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/isa-mustafa-i-mashtroi-naftetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala