Investitorët e tmerruar po e lënë Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

Burim Piraj, pronar i kompanisë Meka, paralajëmroi para dy javësh se do të ikë nga shteti më i korruptuar në rajon. Biznesin që e ngriti pa ia shtrirë dorën askujtë po mendon ta zhvendosë nga Kosova, për shkak të barrierave që po ia vë shteti.

Mungesa e rrymës, taksat e pa favorshme, e mungesa e stabilitetit politiko-ekonomik, janë vetëm disa nga faktorët që po i trembin investitorët vendës e të huaj.

Por të pa shpresë për shumë afaristë situatën e bënë kriza politike në Kosovë që ka filluar tash e pesë muaj, fundi i të cilës ende nuk po shihet.

Këtë e ka pohuar edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila ka fajësuar opozitën e bashkuar për krizën që ka ndikuar negativisht në në thithja e inevetimeve.

“Pamjet me koktej molotovi, gazi lotsjellës, flaka, tymi në ndërtesat qeveritare, djegia e veturave të MTI-së që është adresa e parë për investitorët që vijnë në Kosovë, thyerja e xhamave, të gjitha këto, shkatërrimi i aseteve publike… patjetër që kanë ndikim negativ”, ka thënë Bajrami në një intervistë për medie.

Këto pamje sipas sajë kanë marrë dhenë, “kanë qenë nëpër ekrane më prestigjioze të televizioneve botërore dhe sigurisht kanë pasur impakt negativ. Shpresojmë që edhe komuniteti i biznesit të na bashkohet, por dhe opozita t’i thërrasë mendjes që t’i kthemi dialogut, për shkak se dëmi mund të jetë më i madh sesa përfitimet e kujtdo qofshin”.

Gazeta Fjala është në pritje të përgjigjeve të detajuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për numrin e afaristëve që kanë lënë Kosovën dhe pasojat e krizës tek kapitali vendës.

Situata shqetësuese

Shqetësim të ngjashëm ka shprehur edhe Oda Ekonomike e Kosovës sipas së cilës po dëmtohet në masë të madhe imazhi i vendit karshi inevstuesve nga jasht.

Kjo odë alarmon se pasojat e kësaj situate politike janë vrejtur jo vetëm zvogëlimin e investimeve të huaja direkte por edhe në bartjen e kapitalit dhe investimeve të kompanive vendore në vendet e perëndimit Gjermani, Austri, Zvicër dhe vendet tjera por edhe në vendet e rajonit.

“Situata aktuale politike po shprehet me efekte negative në lëmine ekonomike, sociale, politike dhe integrimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike dhe mbi të gjitha është duke dëmtuar imazhin e Kosovës, pasi që po plason informacione mjaft negative për dhe rreth Kosovës”, është thënë në një reagim të OEK-ut për media.

Sipas OEK-ut, kjo po ndodh në kohën kur vendet e rajonit kanë politika të koordinuara dhe planifikuara mirë dhe gjithanshëm për të tërhequr investitorët e huaj.

Se kriza politike në vend rrezikonte që vendi të futet në krizë serioze ekonomike e financiare, e pati thënë edhe Jasques Miniane, udhëheqës i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë qëndrimit në Kosovë, gjatë muajit tetor.

Nga ana tjetër edhe Cezary Michalzuk, nga Zyra e Bashkimit evropian (BE) në Kosovë, në konferencën, “Ligji i ri për investimet strategjike: Dobitë dhe rreziqet eventuale”, tha se korniza jostabile ligjore dhe niveli shumë i lartë i korrupsionit në Kosovë janë arsyet kryesore pse investitorët e huaj shkojnë në vende tjera për të investuar.

Ai ka dhënë një varg kritikash në drejtim të institucioneve të vendit që nuk po e luftojnë korrupsionin, duke përmendur edhe bllokadën politike e cila përcjellët me protesta.

“Ajo çka shihet në televizione, Parlamenti nuk punon shpesh, në rrugë ka protesta, çështje të cilat investitori i huaj nuk i kupton, shumë shpesh ligjet ndërrohen dhe nuk jepen arsyetime. Kjo dëshmon që ambienti ligjor nuk është stabil. Korniza jostabile ligjore dhe niveli i korrupsionit në Kosovë është shumë i lartë. Për këtë arsye investitorët shkojnë në vendet tjera”, ka deklaruar Michalzuk.

Investitorët po ikin nga korrupsioni e kriza politike

Ditë më parë, në një intrevistë për Gazetën Fjala, Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar udhëheqësit e institucioneve qeveritare për mos krijimin e ambientit të sigurt për investime.

Sipas tij duhet të ndërpritet klientelizmi dhe ti hapet rruga ekonomisë së tregut. Ndërkaq, mohoi se protestat e dhunshme dhe koktej e molotovit po i trembin investitorët e huaj.

“Kokteji i molotovit, është gjuajtur në dy-tri raste dhe në dy muajt e fundit, ndërsa investitorët e huaj ka vite që e kanë braktisur Kosovën. E kanë braktisur, sepse nuk janë të gatshëm t’i paguajnë pushtetarët për të hyrë në tregun e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë që edhe njohës të çështjeve ekonomike e kanë parë si mjaft shqetësuese këtë situatë.

Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS)  tha se Oda Ekonomike plotësisht ka arsye pse shqetësohet dhe pse reagon për ndikimin e krizës politike në investime dhe përgjithësisht në zhvillimin ekonomik.

“Pa dyshim se ndikimi do të jetë i madh dhe me pasoja. Po përmendi vitin 2014 kur vendi përjetoj një krizë politike gjashtëmuajshe, që kishte ndikim vendimtar që norma e zhvillimit të jetë vetëm 1,2 për- normë më e ulëta që nga vitet e pasluftës”.

Rexhepi ka përmendur dy problemet kryesore që sipas tij, kanë ndikuar në imazhin e Kosovës, tek investitorët e huaj, korrupsioni dhe kriza politike.

“Kjo e dyta tregon se vendi nuk ka stabilitet, ndërsa institucionet kanë  shkallë të ulët të efikasitetit dhe mungon zbatimi i ligjit. Ky është mesazhi që  frikëson investitorët”, tha ai.

Sipas Rexhepit, përderisa zgjatë kjo krizë biznesi do të hezitoj të investoj, apo të hap vende të reja të punës.

Me një situatë jo të kënaqshme ishte përballur edhe kryetari i Odës Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, kur kishte provuar të bindë një investitorë që paratë e tij t`i sjellë në Kosovë.

Ai ka treguar se si ishte ndjerë në siklet kur jo shumë larg nga zyra e tij ku ai kishte një takim me një investitor të mundshëm gjerman, protestohej dhe kishte dhunë.

“Çfarë po u ofrojmë për momentin investitorëve të huaj të mundshëm? Pamje dhune, gaz lotsjellës, koktej molotovi, thyerje veturash, demolime, arrestime… këto janë mesazhet më të këqija që mund t’i jepen një investitori potencial,” ka thënë ai.

Gazeta Fjala ka raportuar gjatë muajit dhjetor për pasojat në ekonominë e vendit që ishin rezulatat i skenave të tymit dhe dhunës në Kuvendin e Kosovës.

Ndërmarrës dhe njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se është vështirë të mendohet së ndonjë investitor do të hapë biznesin e tij në kushte të pasigurisë politike.

http://gazetafjala.com/analiza/tymi-i-kuvendit-po-e-rrezikon-ekonomine/

Gazeta raportoi edhe në muajin tetor, atëherë kur sapo kishte filluar bllokimi i seancave të kuvendit nga ana e partive opozitare.

http://gazetafjala.com/analiza/ekonomia-para-bllokades/  /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/investitoret-e-tmerruar-po-e-lene-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala